Tatuazhet janë në modë, sidomos te brezi i ri. E dimë që shumë prej jush i pëlqejnë, por, meqë bëhet fjalë për diçka të përhershme dhe që nuk është pa rreziqe, është mirë të mendoheni dy herë para se ta bëni, si edhe të merrni masa për të evituar çdo rrezik për shëndetin. Lexoni intervistën me mjekun!
- Çfarë është tatuazhi?
- Të bësh një tatuazh do të thotë të lësh shenjë në lëkurën tënde përgjithmonë. Konkretisht, bëhet fjalë për ta futur bojën nën lëkurë, me qëllim që vizatimi i bërë të jetë i përhershëm. Realizimi i një tatuazhi bëhet shpesh me shumë etapa: Në fillim zgjedhja e vizatimit, pastaj tatuazhi. Por, në çdo rast, ai që bën tatuazhin duhet të informojë në mënyrë të detajuar mbi vazhdimësinë, pasojat dhe rreziqet e tij.
- Çfarë tatuazhisti duhet zgjedhur?
- Pa dyshim, një që të jetë profesionist dhe serioz. Ai duhet të përdorë një material steril dhe njëpërdorimësh. Edhe zgjedhja e bojërave duhet bërë sipas disa rregullave.
- Si realizohet tatuazhi?
- Pasi bëhet vizatimi, tatuazhisti e aplikon në një letër transferimi. Më pas, ai pastron (ndonjëherë edhe rruan zonën) dhe dezinfekton zonën e përcaktuar, pastaj e transferon vizatimin mbi lëkurë. Pastaj bëhet tatuazhi: Me anën e një ageje speciale ai e penetron bojën në lëkurë. Ky veprim është pak a shumë i gjatë dhe, sipas ndjeshmërisë së secilit, shkakton pak ose shumë dhimbje.
- Si bëhet cikatrizimi i tatuazhit?
- Realizimi i një tatuazhi provokon hemorragji të vogël. Është normale pra që të formohen kore të vogla në nivelin e vizatimit. Për të favorizuar cikatrizmin, është e rëndësishme të ndiqen këshillat e tatuazhistit. Nëse ai vë një fasho, hiqeni më mirë pas disa orësh, për ta lënë lëkurën të marrë frymë. Mund të ketë enjtje të vogla. Është mirë të aplikohet rregullisht, për nja dhjetë ditë, një krem cikatrizues. Shërimi i plotë, zakonisht, bëhet brenda dy javëve (por mund të zgjasë edhe më shumë, nëse vizatimi është i madh). Kujdes, duhet të evitoni ekspozimin në diell pas 6 muajve nga bërja e tatuazhit.
- Cilat janë rreziqet e bërjes së një tatuazhi?
- Rreziku më i madh është një infeksion, qoftë ai bakterial (infektim nga streptokoku ose stafilokoku) ose viral (hepatiti, B ose C, HIV…). Ndodh rrallë, por rreziku ekziston. Për këtë arsye, kushtet higjienike duhet të jenë optimale. Personi që bën tatuazhin duhet të punojë në vende të pastra dhe të dezinfektuara rregullisht. Ai duhet të mbajë doreza të reja dhe të vërë intrumentet që do të përdorë para klientit. Nëse këto kushte bazë nuk respektohen, më mirë ndërroni vend.
- Kur nuk këshillohet të bëhet tatuazhi?
- Disa sëmundje dobësojnë sistemin e mbrojtjes imunitare, si diabeti, ose kanceri, por edhe disa sëmundje të lëkurës (ekzemë, psoriazë…), apo të gjakut, si SIDA. Këto janë raste kur nuk këshillohet bërja e një tatuazhi. Gjithashtu, edhe nëse merrni disa ilaçe antikoagulante.
- Kemi dëgjuar edhe për tatuazhet me këna që bëhen në disa vende orientale. Ato nuk janë të përhershme, por a paraqesin rrezik?
- Është e vërtetë që tatuazhet me këna largohen me kalimin e kohës, por kjo s’do të thotë se janë të parrezikshme. Mund të pësoni një intolerancë ndaj produktit të përdorur, që mund të kthehet në reaksion alergjik kronik. Kjo ndodh për shkak të pigmenteve që i shtohen kënasë, që të intensifikohet ngjyra. Këto shpesh përdoren në industrinë tekstile dhe futen në doza të përqendruara, prandaj mund të jenë të dëmshme. Pasojë imediate është reagimi i lëkurës në vendin e tatuazhit. Me kalimin e kohës mund të zhvillohet një intolerancë nga pigmenteve të përdorura, që mund të ndodhë për shembull nga kontakti i rrobave të lyera me të njëjtat pigmente.