Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

E Diel

Kjo fundjavë kaloi në shtëpi, me telenovela dhe duke luajtur me spider në kompjuter. Këtë periudhë nuk kam shumë për të mësuar; edhe pak dhe lamtumirë shkollë, lamtumirë stres, lamtumirë probleme që ma bëtë të hidhur këtë vit të adoleshencës sime! Kjo fundjavë në shtëpi, sigurisht, nuk mund të them se po kalon pa tension midis meje dhe mamasë. Ajo më kërkoi të dilja me të sot. Nuk pranova. “Nuk më dilet!”, i thashë. Më duket sikur po mundohet të më marrë me të mirë, por akoma nuk e ka gjetur gjuhën e duhur për të komunikuar me mua, pasi më kërkoi që të mos lyhesha.

– Nëse do dalim bashkë, të dua serioze! – më tha. Unë nuk pranova dhe u mbyll e gjitha aty. Mbasdite te ne erdhi tezja, bashkë me Dejvin. Tezja është shumë zbavitëse. Sa ndryshe është nga mami im! Ndonjëherë ato të dyja fërkohen në muhabet, por e kalojnë shpejt pasi tezja nuk mban mëri, i fut një të qeshur dhe ndryshon temë. Të mendosh që janë motra… nuk ngjasojnë fare! Mami e ka karakterin të sertë dhe për këtë ngjan shumë nga gjyshi, kurse tezja, i ngjan gjyshes; ajo ishte shumë e mirë.

Advertisement

Dëgjova që tezja po i thoshte mamit: – Po lëre, ka qejf, është e re, nuk i bën ndonjë dëm – dhe vazhdoi – plus që e ke nxënëse të mirë. Ky i imi nuk mëson fare, pale bën edhe karagjozin në shkollë, ngela në drejtori…

Me siguri, mami po i qahej për mua dhe kërkonte nga ajo ndonjë këshilllë, por siç e ka tezja, mundohet t’i çdramatizojë gjërat.

Ne të dy ishim në ballkon kur u dëgjuan këto fjalë. “Po flasin për mua”, i thashë dhe ia bëra me kokë. Më pas e pyeta se si ia hodhi me zyshen e biologjisë.

– Paq, sa të kem mamin unë, do kaloj si do kaloj! – më tha. – S’më erdhi hiç mirë që dëgjova gjëra për ty dhe për atë…

E Martë

E urrej, e urrej, e urrej! Nuk më besohet që më trajtoi në këtë mënyrë, gjithë bota ime u përmbys, më kishte premtuar që nuk do të më prekte me dorë… Sa budallaqe u tregova! Nuk duhet të kisha shkuar. Në mëngjes vesha kompletin e të brendshmeve, vesha bluzën time të preferuar, nuk mora shumë libra me vete se e kisha menduar që orët do t’i lija, futa edhe një lines në çantë se nuk i dihej, e kisha dëgjuar njëherë nga një vajzë. U takuam në mëngjes në shkollë dhe në orën e tretë u nisëm për në shtëpinë e tij. Isha e lumtur, por e heshtur gati gjithë rrugës. Kur arritëm te shtëpia, nëpër shkallë ma shtrëngoi dorën fort. Hymë në shtëpi, u ula në divan dhe ai mori dy gota e hodhi uiski. M’u lut që ta pija, e provova. Ishte shumë i fortë, por vazhdova ta pija. Ai e la përgjysëm. Përdore, vajtëm në dhomën e tij. E dija që ishte tifoz i Interit, por jo kaq shumë. Kishte postera, flamuj dhe foto të Uesli Shnaiderit, lojtarit të tij të preferuar. U ulëm te krevati e nga xhepi nxori një cigare, që ngjante më shumë si e bërë vetë. Ma mori mendja që nuk duhet të ishte cigare, por hashash. I thashë që unë nuk doja ta provoja. M’u lut, por unë qëndrova e vendosur në vendimin tim; ai e thithi dy herë dhe e shoi. Më pas ndezi kompjuterin dhe vendosi disa nga këngët e grupit Three doors dovvn. Edhe mua më pëlqejnë ato këngë dhe filuam të kërcenim. Papritur si e pa e kuptuar u gjenda vetëm me të brendshme dhe ai, gjysëm lakuriq. Fillova të trembesha, kisha frikë, nuk e di pse, sikur diçka më ndalonte. Në ato momente doja të largohesha. Ai filloi të më prekte në vendet intime, të më puthte në të gjithë trupin. Nuk e di, por nuk po e ndjeja veten gati për të kryer aktin. E largova dhe iu luta të shkoja në banjo. Më lejoi të shkoja. U ula pak aty e po mendoja çfarë të bëja, t’i shkoja deri në fund asaj që kisha nisur apo të ndaloja. Ndihesha si në grackë, po shikohesha në pasqyrë, sikur nuk e njihja veten. Unë Mariusin e pëlqeja aq shumë, por tani diçka ndodhi brenda meja, nuk ndihesha gati, megjithëse e doja. Në ato momente, mendova: “Nëse ai më do, do të më kuptojë”. Dola nga banjoja…

– Marius – i thashë, – a nuk mund ta lëmë për njëherë tjetër?

– Mos u bëj budallaqe, shumë vajza të tjera do të donin të ishin në vendin tënd… – më tha.

Ndoshta në ato momente, po të mos ishte treguar aq arrogant, po të kishte qenë më i ëmbël, mund edhe të isha dorëzuar, por kjo përgjigje më bëri më të vendosur për të ikur.

– Dua të iki, – i thashë.

Ai u afrua e filloi të më puthte, të më prekte duke më tërhequr drejt krevatit. Nuk ishte më i ëmbël si në fillim, por më imponues dhe i dhunshëm. Fillova ta shtyja, por ai më përplasi në krevat dhe m’u hodh përsipër. Në tentativë për të më hequr sutjenat, m’i këputi rripat. E shtyva me gjithë forcën e trupit dhe u ngrita. Ai më kapi për krahu dhe nuk më lëshonte. Filloi të më thoshte se më donte. I kërkova të më linte të ikja ose ndryshe do të bërtisja dhe ashtu bëra. Nga kjo, u tremb dhe më lëshoi.

– Mirë, mirë… – po më thoshte dhe sytë iu egërsuan akoma më shumë.

Unë me nxitim u vesha, i hoqa byzylykun nga dora dhe ia hodha te krevati.

– Qetësohu… – po më thoshte, por unë e ndjeja që s’mund të kisha më besim. Dëshiroja vetëm të largohesha. Dola në korridor, por e shikoja që ai nuk donte të ma hapte derën. Fillova ta lëvizja dorezën me dëshirën e atij njeriut që mundohet t’i largohet të keqes me çdo mënyrë.

– O hape, o do të filloj të bërtas! – këmbëngula.

Nuk kishte ç’të bënte tjetër, kishte frikë se mos e dëgjonin komshinjtë dhe tërë nerva, e hapi derën. Para se të dilja, dëgjova që më shau: “kurvë” dhe më rëndë. Nuk u shqetësova për fjalët, mjafton që u largova nga ajo situatë që po më tmerronte.

Nuk e di pse shkoi kështu. Ndoshta po të mos më kishte ofruar gotën e uskit dhe të mos kishte pirë hashash, gjërat do kishin qenë më ndryshe. U tremba. Njerëzit, kur janë nën efektin e drogës, janë edhe të dhunshëm. Edhe vetë nuk doja të isha pa koshiencë në veprimet e mia. Po të mos kishin ndodhur këto gjëra, ndosha do kishte qenë pikërisht kështu; unë të humbja virgjërinë me njeriun që dashuroja, por që në fakt nuk rezultoi të ishte ashtu siç e mendoja. Asnjëherë nuk më kanë pëlqyer personat e dhunshëm dhe ai këtë më tregoi se ishte, tregoi një aspekt që deri në ato momente unë nuk e kisha njohur. Po ecja nëpër rrugë me shpejtësi. Nuk shkova më në shkollë atë ditë. Mezi prisja të shkoja në shtëpi e të qaja, të qaja me të madhe. Sa do të doja të vdisja në ato momente! Nuk e prisja që gjërat të shkonin kështu… Sa e kisha ëndërruar gjithë ato muaj dhe tashti kështu… Kur hyra në shtëpi, hyra me shpresën dhe idenë që nuk kishte njeri, por sikur ajo ditë s’kishte të mbaruar, vëllai kishte thyer krahun në shkollë dhe të mitë bashkë me të, me dorën të futur në allçi, sapo kishin hyrë në shtëpi. Lotët më plasën e nuk po i përmbaja dot. Prindërit shyqyr kujtuan se po qaja për vëllanë. Nuk mund të them që nuk më erdhi keq për të. Sado që s’e duroja, prapë ai ishte vëllai im, por në ato momente isha aq e tronditur saqë shqetësimit tim iu shtuan edhe problemet e tjera. Të mitë nuk dinin kë të qetësonin më parë, mua apo vëllanë.

E enjte

Dy ditë nuk shkova në shkollë me pretekstin që të kujdesesha për tim vëlla. Sot shkova, por që në orën e parë u ndesha me shikimin e Mariusit. Shpresova të vinte të më kërkonte falje për atë që ndodhi, por ai as që lëvizi. Ishte me disa djem të klasës së tij dhe më shikonin e po qeshnin. Kur hyra në klasë, vajzat më pyetën pse nuk kisha shkuar ato ditë. U tregova për tim vëlla, por disa kunja fluturuan nga disa nga vajzat me të cilat nuk shoqërohesha shumë. “Ja çfarë virgjëreshe, prandaj s’erdhi në shkollë se u lodh tepër”… Nuk munda as t’u përgjigjesha se nuk e dija as vetë kujt i drejtoheshin. Më pas më treguan që për mua ishin hapur fjalë nga më të ndryshmet, që nuk isha e virgjër, që kisha shkuar edhe me djem të tjerë, që dija të bëja seks oral e kushedi çfarë tjetër, që askush nuk pati guximin të m’i thotë drejtpërdrejt. Bota ime u shemb. Do të doja të lija mësimin, por nuk e lashë, ndenja aty pa u shoqëruar me asnjë. Sot më shumë se kurrë kisha nevojë që Melisa të ishte me mua, ajo nuk kishte për të më braktisur dhe aq më tepër, për t’i besuar të gjitha këto. Mariusin e kapa te shkallët. I thirra. Nuk donte të vinte, por u tregova këmbëngulëse.

– Ti i ke përhapur gjithë këto fjalë?! – i thashë.

– Nëse bredh ti me çunat, unë nuk të kam faj…

– Ti e di shumë mirë që nuk është kështu, – i thashë.

– Duhet ta mendoje para se të silleshe ashtu me mua. Shumë vajza të tjera do të donin të ishin në vendin tënd, por ty të duket vetja më rëndësishme… – më tha.

E urreva, e urreva me gjithë shpirt. Nuk më besohej që më kishte ndodhur mua, një dashuri që u kthye në makth. Edhe në banjot e shkollës ishte emri im i shkruar dhe fjalë të ndyra nga pas. Atyre vajzave që kisha muhabet, fillova t’u tregoja, por çfarë rëndësie kishte? Disa thonin “s’ka gjë”, por mua më vinte inat që më thonin fjalë që nuk ishin të vërteta.

E Shtunë

Sot fola me Melisën. Ia tregova të gjitha se çfarë më kishte ndodhur këtë javë e nuk iu besua. Më qetësoi, më tha që të mos i jepja rëndësi, se ai këtë vit mbaronte shkollën, nuk kishte për të qenë më dhe fjalët vetvetiu do të harroheshin, e vërteta do të dilte në shesh. Më tregoi që kishte qenë në diskotekë dhe një shok nga shoqëria e motrës kishte filluar t’i afrohej. Gjithashtu, më tregoi që kishte parë vajza kubiste që kërcenin nëpër kafaze, të veshura vetëm me të brendshme…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kam probleme të mëdha..!

Next Post

Kujtimet e një oficeri policie

Advertisement