Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

U dashurova me gruan e shefit

Përshëndetje lexues të gazetës “Intervista”! Ndër shumë histori që keni lexuar, do të mund të njiheni edhe me historinë time.

Kam përjetuar gjithçka në jetë: trishtimin, frikën… Kam përjetuar edhe gëzimin ndonjëherë, por kurrë nuk kam qenë i lumtur gjatë fëmijërisë.

Linda dhe u rrita në një familje tepër të varfër dhe, si të mos mjaftonte kjo, jam keqtrajtuar vazhdimisht nga ime më, ndërsa babai vdiq kur unë isha vetëm një vjeç. Ime më nuk e kuptoi kurrë se çfarë dëmi më shkaktonte; vuaja fizikisht dhe psikologjikisht. Mendonte se po më edukonte në mënyrën e duhur, ndërkohë që unë vuaja. “Do të më falënderosh një ditë”, më thoshte. Provova disa herë të largohesha nga shtëpia, por kthehesha përsëri sepse më merrte uria. “Elton, mos guxo ta përsërisësh më këtë veprim”, më kërcënonte ajo, që gjatë gjithë kohës ishte e dehur. Aroma e alkoolit më ishte kthyer në frikë sepse e dija se, kur pinte, do ta shfrynte të gjithë inatin tek unë. Më kishte sosur durimi, ndaj në moshën 13 vjeçare u largova nga shtëpia dhe këtë herë, për të mos u kthyer më. Ndihesha i lirë! Durova urinë për disa ditë! Fatmirësisht, në rrugë njoha një djalë i cili ashtu si unë, ishte larguar nga shtëpia. E kalonim kohën bashkë dhe ai më kuptonte më mirë se kushdo tjetër. Quhej Denis dhe ne u bëmë shokë të ngushtë sepse na bashkonin shumë gjëra. Bënim punë të ndryshme e të rëndomta për t’u ushqyer dhe një ditë na ndihmoi fati sepse një burrë na punësoi në shtëpinë e tij për të mirëmbajtur kopshtin. Jetonte vetëm, ishte i divorcuar dhe kishte shumë pasuri. Na donte si fëmijët e vet dhe kujdesej shumë për ne. I isha shumë mirënjohës për gjithçka po bënte, megjithëse Denisi nuk ishte shumë i sjellshëm sepse të tillë e kishte bërë jeta e keqe që kishte kaluar. Edhe pse Agroni (kështu quhej zotëria që na punësoi) u mundua me shumë mënyra ta ndryshonte sjelljen e Denisit, ai përfundonte gjithnjë duke provokuar telashe. Herën e fundit vodhi një dyqan dhe për këtë, e kapën dhe e futën në burg. Shpesh kishte vjedhur edhe në shtëpinë e Agronit, por ai e kishte falur.

Advertisement

“Nuk kam nevojë për ju”, na tha që herën e parë kur e vizituam në burg. Që atë ditë, nuk morëm më vesh asgjë prej tij. Agroni, pas largimit të Denisit, filloi të kujdesej më tepër për mua. Nuk punoja më si kopshtar, por më mbante në shtëpi dhe më quante si djalin e vet. Tani ndihesha shumë rehat, ai ishte për mua si babai që më kishte munguar aq shumë, por vitet kalonin dhe unë e kuptoja se nuk mund të jetoja gjithë jetën me paratë e Agronit, ndaj një ditë, i thashë se do të kërkoja një punë. Shkollën e kisha mbaruar tashmë, isha 25 vjeç dhe isha në kohë të bëhesha i zoti i vetes…

“Ti nuk ke nevojë të punosh”, më tha Agroni kur i tregova se doja të filloja punë. “Por më vjen mirë që e ke këtë mendim… Meqë e ke vendosur, mund të bësh diçka në zyrën time”, vazhdoi ai.

“Faleminderit shumë, por është më mirë për mua të punoj diku tjetër sepse vetëm kështu do ta kuptoj se po punoj vërtet”, i thashë dhe ai pranoi.

M’u desh të kërkoja shumë për punë, por edhe këtë herë, fati më ndihmoi sepse një ditë, pas shumë intervistash që kisha bërë në vende të ndryshme pune, dikush më telefonoi dhe më tha: “Shefi ju pret nesër në orën 9.00 për intervistën e fazës së dytë”. Ishte zë vajze e cila me siguri do të ishte sekretarja. Isha i emocionuar dhe Agroni u gëzua shumë kur i tregova. Kështu, unë fillova punë. Shefi im quhej Gëzim. U punësova në firmën e tij dhe punoja me shumë dëshirë. Isha mësuar me punën që në moshë mjaft të vogël. Edhe vetë Gëzimi e kishte vënë re këtë dhe më krijonte një ambient shumë të ngrohtë në punë. Më kishte marrë me sy të mirë dhe i kisha hyrë në zemër. M’u duk pak e çuditshme sepse ishte shpejt dhe ndihesha shumë i privilegjuar, por kjo nuk ma ndryshonte sjelljen sepse isha përballur me shumë gjëra në jetë e asgjë nuk më bënte më përshtypje. Jeta ime kishte marrë një kthesë të madhe dhe gjatë këtij “udhëtimi” provova se shpresa vdes e fundit. Jetoja me shpresën se do të gjeja një jetë më të mirë dhe e arrita, megjithëse vuajtjet e së kaluarës ishte e vështirë t’i harroja. Vetëm Agroni e dinte historinë e jetës sime, por kishte shpesh momente kur doja të flisja me dikë dhe këtë e bëra një ditë me shefin tim. Pasi mësoi historinë time, ai nuk dukej më si shefi, por si dikush që e kisha njohur prej kohësh. “Më pëlqeve që ditën e parë kur u shfaqe në zyrën time”, më tha. Kur shkoja në punë, më dukej sikur isha në zyrën e babait tim. Ditën e ditëlindjes, ai më dha njërën nga makinat e punës dhe më tha se kështu do t’i kisha më të lehta vajtje-ardhjet. E falënderova dhe i isha shumë mirënjohës. Për Krishtlindje, ai më ftoi në shtëpinë e tij bashkë me Agronin. Shkuam me kënaqësi. Për herë të parë do të njihja familjen e shefit tim. Derën ma hapi gruaja e tij; ishte aq e bukur sa unë kisha shastisur duke e parë! U përmenda kur dëgjova zërin e shefit që po na ftonte të futeshim brenda. U ndjeva në siklet që pata atë lloj reagimi që herën e parë, por u mundova ta kaloja atë situatë dhe të mos bija në sy. Shpresoja që askush të mos e kishte vënë re reagimin që pata. Shtëpia e tyre ishte vërtet e ngrohtë dhe po ndihesha shumë mirë, përveç sikletit që ndjeja sa herë shkëmbeja shikimin me gruan e shefit. Ajo quhej Moza dhe më buzëqeshte sa herë më shihte. Nuk dija si ta merrja buzëqeshjen e saj. Nuk e dija nëse ishte një buzëqeshje mirësjelljeje apo diçka më shumë. Megjithatë, mbrëmja kaloi mjaft bukur dhe Gëzimi, edhe pse ishte më i ri, u përshtat shumë me babain tim. Ata madje filluan të bisedonin për çështje biznesi me njëri-tjetrin. Emrin e gruas së shefit e fiksova menjëherë dhe nuk e harrova kurrë. Kishte një tip që të bënte për vete menjëherë. “Sa do të doja ta kisha njohur unë më parë!”, mendoja me vete, edhe pse e dija që kjo që mendoja ishte gabim. Si mund të mos dashuroheshe pas saj? Ajo më tërhiqte si me magnet.

“Nuk e di çfarë ke bërë, por Moza ka përshtypje shumë të mira për ty”, më tha Gëzimi të nesërmen në punë, duke buzëqeshur.

“Më vjen mirë për këtë”, i thashë, ndërkohë që brenda meje po gëzohesha shumë për faktin që ky i yni ishte pëlqim i ndërsjelltë. Që atë ditë unë shkoja jo rrallë në shtëpinë e tyre sepse ata vetë më ftonin qoftë edhe për të pirë një kafe, por si pa e kuptuar, kjo po më bënte keq mua sepse e shihja çdo ditë Mozën dhe çdo ditë e më tepër më pëlqente. Një ditë, ajo erdhi në zyrën e të shoqit për t’i dorëzuar diçka dhe rastësisht, u takuam në korridor. “Ç’kemi Elton? Si po të ecin punët?”. Unë isha mekur dhe mezi thashë një “po” të trembur. Prania e saj më emociononte shumë dhe nuk e njihja më veten, por ashtu siç isha, guxova dhe e ftova për kafe. Ajo pranoi menjëherë! Nuk po e kuptoja ç’po bëja sepse kjo do të më sillte probleme serioze me shefin në vazhdim.

“Mund t’i themi dhe Gëzimit”, thashë, sa për të mos rënë në sy. “Gëzimi ka shumë punë dhe nuk besoj se do të vijë”, tha ajo. Unë këtë doja dhe gjatë bisedës me të në kafe, kuptova që ajo  ngjante si të ishte shpirti im binjak. “Je shumë e bukur” i thashë një moment pasi kisha gjithë kohës që rezistoja të mos ia thoja. Më falënderoi dhe uli kokën.

“Më fal, nuk doja të ndiheshit në siklet…”

“Jo, nuk ndihem në siklet, por kisha kohë pa dëgjuar të ma thonin këtë”

“Vërtet? Më duket e pamundur për një femër si ju!”

Që nga ajo ditë, ne patëm disa takime derisa filluam një lidhje të fshehtë. Na mori rrjedha dhe nuk mendonim për asnjë tjetër përveç vetes sonë. Ishim shumë të dashuruar dhe nuk ndiheshim aspak në faj për këtë. Asnjëherë nuk e kishim përmendur Gëzimin në bisedat tona dhe sa herë që përshëndetesha me të në punë apo kur më ftonte në shtëpinë e tij, ndihesha në faj, ndërsa kur isha me Mozën i harroja të gjitha këto dhe çdo vrarje ndërgjegjeje. Lidhja jonë ishte një lidhje pasionante dhe nuk e dinim se cili do të ishte përfundimi i saj.

“Elton ke filluar ta lësh punën pas dore”, më tha një ditë Gëzimi. Vërtet mendoja shumë pak për punën qëkur njoha Mozën. Ai filloi të më ngacmonte duke më thënë se me siguri do të kisha njohur ndonjë vajzë që do të ma kishte marrë mendjen. Unë qeshja dhe nuk doja të ktheja përgjigje. Ishte në të mirën time që ai të mendonte se unë kisha një të dashur sepse kështu nuk do të dyshonte te ne të dy. Isha mësuar të flisja me dikë sa herë që kisha nevojë dhe ky ishte një ndër këto raste. Mora Agronin, që tashmë unë e quaja babain tim dhe i tregova gjithçka qëkur nisi.

“Çfarë ke bërë kështu? Si mund të dashurosh e të lidhesh me gruan e shefit tënd, aq më tepër që ai ka qenë si një baba për ty dhe të ka ndihmuar kaq shumë? Kjo sjellje nuk më pëlqen fare, ndaj hiq dorë sa më parë nga ky fiksim”, më tha ai prerë. E dija reagimin e tij, por nuk doja t’ia dija. Mozën e doja dhe nuk do ta lija për asnjë arsye. Babi priste që unë të shkëputesha nga kjo lidhje, por kjo nuk ndodhi. Ai e kuptoi këtë dhe më tha që do të më duhej t’ia dilja vet për zot jetës sepse ai nuk do të mbulonte asnjë nga shpenzimet e mia. Paga që merrja nga puna ime nuk më dilte për gjithçka dhe nuk e dija çfarë të bëja. Edhe Mozën nuk e braktisja dot. I tregova asaj dhe më tha se nuk do të isha gjithmonë i varuar nga babi, ndaj duhet ta pranoja këtë sfidë. Dhe kështu bëra, i thashë babait se hiqja dorë nga gjithçka, por nga Moza, jo.

“Je çmendur? Kjo që keni ju nuk është dashuri, por fiksim! Pastaj, ti je më i ri se ajo”. I thashë se nuk do t’i dukej kaq katastrofë nëse do ta shihte me sy tjetër, por ai i qëndronte mendimit të tij. “Do t’i them Gëzimit, nuk më lë rrugë tjetër!”, më tha, në fund.

U ktheva nga ai dhe i thashë: “Ti nuk mund të ma bësh këtë!” 

“E bëj dhe me shumë bindje madje”

“Atëhere, harroje që je babai im”

“Nuk do të doja kurrë një djalë me këtë sjellje”, më tha dhe u largua. Në moment u pendova që i fola ashtu, por ishte tepër vonë. Aty e kuptova se duhet t’ia thoja vetë Gëzimit të vërtetën. Mora guximin dhe vajtja në zyrën e tij.

“Pse kaq herët sot Elton?”, më pyeti.

Më ngatëroheshin fjalët në gojë kur i tregoja dhe në fund i kërkova të falur, ndërsa dorëheqjen e kisha bërë gati. E lashë mbi tavolinë dhe u ngrita për të ikur. Fatmirësisht, nuk shkoi aq keq sa e kisha pritur, megjithëse më foli shumë ashpër dhe më tha të zhdukesha nga zyra e tij menjëherë. Kishte të drejtë! Gëzimi ishte njeri i mrekullueshëm dhe nuk e meritonte këtë. Më pas mësova që Moza e kishte tradhtuar edhe një herë më parë dhe tani, ata janë të divorcuar. Kuptova se ajo që ndjeja për Mozën nuk ishte dashuri, por një pasion i cili u shua shumë shpejt. Ky pasion lëndoi persona të rëndësishëm në jetën time dhe mua, gjithashtu. I kërkova falje edhe babait, më tepër për fjalët që i thashë. Ai më ka mësuar ta jetoj jetën ashtu si duhet dhe akoma ndjek këshillat e tij. Zoti më solli fatin dhe unë nuk duhet t’i jepja shkelmin vetëm për një kapriço. Vuajtjet më kanë bërë të rritem para kohe dhe të vlerësoj të mirat që më sjell Zoti.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Deshi të më përdhunonte komshiu

Next Post

Selma mundet!

Advertisement