– Ju përshëndes si redaksi. Kam një problem për të cilin do të doja të më ndihmonit me një këshillë.
Jam 27 vjeçe dhe kam një problem për të cilin dhe tani që po shkruaj më vjen pak turp. Kam problem në lidhje me marrëdhëniet intime që kam me të fejuarin tim.
Gjithmonë përpara se të bëjmë marrëdhënie unë ndihem shumë keq, kam frikë të madhe e turp dhe kjo gjë, shpesh, ma shuan kënaqësinë. Theksoj se ky është mashkulli i parë me të cilin kryej marrëdhënie seksuale dhe, fatkeqësisht, edhe pse po bëjmë gati 7 muaj, nuk ndjej kënaqësi, përkundrazi, e marr me shumë stres. Në fillim mendova mos kisha ndonjë infeksion, por pastaj pashë se nuk kisha dhe jam shumë mirë nga ana shëndetësore. E shoh që gjithë problemi qëndron te frika ime. Pres një këshillë nga ju…
Redaksia: – E kuptoj gjendjen tuaj dhe më vjen keq që nuk e përjetoni dashurinë tuaj ashtu siç duhet. Mendoj se kjo lloj frike që keni, nuk ka shumë kuptim, për më tepër në moshën tuaj. Edhe pse nuk keni shumë përvojë në jetën intime, tashmë duhet ta kishit kaluar këtë gjendje, që besoj se ka të bëjë shumë me marrëdhënien tuaj intime dhe më bën të mendoj se nuk jeni shumë e kënaqur me lidhjen që keni. Ndoshta prisnit më shumë nga partneri, ose fantazia që keni patur përpara se të kryenit marrëdhënie, nuk i përshtatet asaj që ndodh realisht. Pra, është një “problem” i vogël brenda jush, të cilin duhet ta zgjidhni vetëm ju, duke reflektuar. Kjo gjë ju pengon të jepni maksimumin nga vetja. Ju mungon qetësia brenda vetes dhe nuk e përjetoni marrëdhënien si një kënaqësi. Atëhere, unë ju këshilloj të mos shqetësoheni; jepini kohë vetes sepse me kohë arrihet kënaqësia edhe në marrëdhëniet seksuale. E rëndësishme është të konfirmoni me veten që vërtet e dashuroni partnerin. Përveç kësaj, duhet t’i kërkoni partnerit t’ju ndihmojë në këtë drejtim, të jetë më i kujdesshëm dhe t’u bindet dëshirave tuaja. Duhet të keni pak durim dhe me kalimin e kohës, do të vini re që marrëdhënia do të përmirësohet, sepse do të keni fituar edhe më shumë eksperiencë. Kur futeni në intimitet, duhet të lini mënjanë të gjitha komplekset dhe ndrojtjen. Në këtë mënyrë, edhe partnerin e bëni më shumë për vete.