Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më përdhunoi kur isha fëmijë!

Të dashur miq, unë që po ju shkruaj jam Gena, 28 vjeçe. Jetoj jashtë, por kam ardhur për pushime në Shqipëri.

Historia ime ka një dhimbje të pafund, me të cilën jetoj prej 20 vjetësh. Familja ime përbëhet nga nëna, unë dhe motra, e cila nuk jeton më. Babai na ka lënë jetime që të vogla dhe unë pothuajse nuk e mbaj mend. Jetonim në një fshat të Rrëshenit.

Motra ime, të cilën e mbaj në zemër, ishte më e madhe se unë. Nëna rropatej që të mos na mungonte asgjë. Punonte natë e ditë si e si që ne të afroheshim me shoqet tona, si e si që të mos e ndjenim aq shumë mungesën e babait, por kjo nuk mjaftonte, sepse ishim shumë të varfër. Makthi im nisi një ditë kur mësuesi i fillores më kërkoi të rrija pas mësimit se do të më jepte ca detyra shtëpie. Klasa ishte bosh. Ai më thirri dhe më tha: “Eja tek unë!”. Unë atëherë isha vetëm 8 vjeçe dhe s`kuptoja asgjë. Ai njeri i ndyrë, ai monstër, aty, në klasë, më përdhunoi. Nuk di t’jua shpjegoj se ç`kam ndjerë, veç dhimbjes, vetëm mbaj mend që kam qarë shumë dhe ai më vuri dorën në gojë për të mos më dëgjuar njeri. Ishte diçka që s`mund t`i bëhej një fëmije, por ai përfitoi nga rasti se ne ishim jetime dhe s’kisha një baba që të na dilte për zot. Duke qarë, ika në shtëpi. Nëna ishte në punë dhe unë ika drejt e te motra, e cila kishte ardhur nga shkolla pasi studionte në Tiranë, për Juridik. Ajo mori të më përqafonte kur pa që unë mezi mbahesha në këmbë. Më puthi e më pyeti se çfarë kishte ndodhur, por unë s’dija t’ia shpjegoja, vetëm i thashë se si mësuesi më kishtë vënë në prehër. Ajo u lemeris. Më mori, më pa rrobat e pa që unë isha bërë shumë pis. Ajo filloi të qante si e marrë. Unë nuk kuptoja shumë, mendoja se po qante ngaqë unë isha vrarë, por jo më shumë. Ajo filloi të më mbante afër e më tha që do të më merrte në Tiranë për kontroll. Më mori, më lau dhe më vuri për të fjetur. Dhimbjet e mia nuk kishin të shpjeguar. Po përjetoja një konfuzion total. Isha aq e vogël!

Advertisement

Në mbrëmje erdhi nëna. Motra e solli nga unë e ajo më puthi si çdo natë tjetër. Më pas ikën në kuzhina dhe unë dëgjoja nënën që qante me zë, ndërsa motra betohej se do ta vriste atë njeri monstër që na shkatërroi jetën. Unë as mund të ngrihesha të shkoja nga ato, por as gjumi s`më zinte. Atë natë, motra dhe nëna nuk erdhën fare të flinin. I dëgjoja tek flisnin me njëra-tjetrën dhe e kuptoja se gjendja ishte e rëndë. Ditën tjetër nuk shkova në shkollë. U ngritëm që me mëngjes e kapëm autobusin për të ardhur në Tiranë. Ishte hera e parë që e shihja atë qytet dhe u lumturova shumë sepse, si fëmijë që isha, s’e dija rëndësinë e situatës. Ato më çuan te një mjek fëmijësh. Ai më kontrolloi dhe ua vërtetoi nënës dhe motrës atë që kishte ndodhur. Që aty, motra insistoi të iknim në polici dhe ashtu bëmë. Ikëm dhe unë rrëfeva se si kishin shkuar gjërat, plus që raporti mjekësor e tregonte mirë që unë s’po gënjeja. Atëhere ishin rregulla të rrepta dhe na dhanë fjalën që ai ndyrësirë s’do të dilte për shumë kohë nga burgu. Takuam një njeri tonin në Tiranë dhe ai na ndihmoi për të bërë denoncimin e çdo dokument që na duhej. Ikëm në fshat pasi qëndruam te kushëriri ynë ca ditë me familjarët e tij dhe e ndamë në njëfarë mënyre dhimbjen.

Kur u kthyem atje, nuk e gjetëm ngrohtësinë që prisnim nga njerëzit. Të gjithë na shihnin shtrembër dhe shumica mendonin se ne kishim sajuar gjithçka. Monstra ishte arrestuar dhe të paktën ne ishim të lumtura që ai s’do t’i bënte më njeriu keq. Unë e lashë atë vit shkollën dhe nëna më premtoi që do ta filloja vitin tjetër klasën nga fillimi. As motra nuk iku më në fakultet si më parë, por qëndroi pranë nesh. Nëna ikte në punë, por ndërkohë, ca njerëzit tanë, që e morën vesh fatkeqësinë tonë, na erdhën në ndihmë. Mirëpo drejtësia shqiptare dihet se si funksionon dhe mbas gjashtë muajsh, ai doli nga burgu. Se si, nuk e morëm vesh vetëm se pa paralajmërim motra u ndesh një ditë ballë përballë me të. Ai nuk i kishte folur, por kishte buzeqeshur si me ironi, si t’i thoshte: “Shiko se unë dola e çfarë ju ngeli ju?!”. Motra erdhi në shtëpi shumë e mërzitur. Mua më tha të mos ia hapja derën askujt dhe më tha se po ikte të takonte nënën te puna. Kishte ikur dhe e kishte qëlluar qelbësirën me dy plumba në gjoks, mu në mes të fshatit. Pas kësaj, ajo ishte dorëzuar në polici, duke treguar atje arsyen e fortë që kishte pasur. S’kaluan pak sekonda dhe nëna erdhi në shtëpi duke qarë, më mori mua me vete dhe së bashku ikëm të lajmëronim kushërinjtë që kishim në fshat. Ata u mblodhën të gjithë te komisariati dhe ishte bërë një rrëmujë e madhe sepse njerëzit e viktimës kërkonin të merrnin hak. Mbaj mend që na dërguan në Tiranë për t’u fshehur, por motrën time s’e pashë për plot 5 vjet. Tani që jam e rritur, e kuptoj dhimbjen dhe vuajtjen e saj. Tani, po të mundja, do të shkurtoja jetën time për ta bërë të jetonte edhe ca me ne, mirëpo kjo është e pamundur…

Kaluan vite dhe ne po jetonim tashmë në Tiranë. Pleqtë e fshatit e nxorën me Kanun që ata s’do të merrnin gjak te ne. Të paktën, kjo na favorizoi. Motra doli nga burgu e u bashkua me ne. Filluam të ishim një familje normale, ashtu siç e kisha ëndërruar gjithmonë. Nëna gjeti punë të mirë e motra iu dedikua shkollës. Unë kisha filluar shkollën në Tiranë dhe kisha mjaft mikesha të cilat më donin shumë. Gjetëm paqe për një kohë të gjatë, mirëpo pas aq vitesh, një fatkeqësi tjetër na ndodhi. Motrën time e shtypën me makinë dhe përplasja qe aq e madhe sa s’mundi t`i shpëtonte vdekjes. Në këtë moment, zemra ime u thye në dy pjesë dhe nuk di as se si t`jua shpjegoj dhimbjen që kam provuar në momentin që mora lajmin. Jeta ime qenka shkruar të mos ketë një minutë qetësi… A thua ne jetimët vërtet jemi gjithmonë të pafat? A thua ne nuk jemi të destinuar të jetojmë? Tani jetoj vetëm me nënën, e cila është e plakur shumë. Kam ardhur me të në Itali dhe studioj për Arkitekturë. Unë kurrë s`mund t’ia kthej nënës dhe motrës atë që kanë bërë për mua. Do të doja vetëm që ajo të ishte gjallë e ta shikonte ku kam arritur. O Zot, vetëm një dëshirë kam: Këtë makth që kam kaluar unë, të mos e kalojë askush! Sa mirë do të ishte sikur shteti t’i ndëshkonte vetë këto raste, pa i lënë familjet t’i kthejnë në tragjedi!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Tregohem i dobët para femrave!

Next Post

Ç’është diabeti i ujit?

Advertisement