– Doktor Evi, para dy muajsh më ka dalë brenda lëkurës një kokrrizë e vogël, por më dhemb edhe zona rreth saj.
Para disa kohësh, më patën dalë disa si iriqë të vegjël, por m’u zhdukën dhe tani ka ngelur kjo kokrriza që ju përmenda. Çfarë të përdor?
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog, Poliklinika Qendrore, 0682213329:- Do të mundohemi t’ju japim përgjigjen e duhur për pyetjen tuaj. Një nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme është dhe Condiloma aquimitate, e cila shkaktohet nga një lloj virusi që transmetohet nëpërmjet aktit seksual nga i infektuari tek i shëndoshi. Shenjat karakteristike të saj janë prania e tyre në pjesën e lëkurës apo dhe të glanspenisit si dhe te femra, në sipërfaqe të vaginës, te buzët e mëdha dhe një pjesë e mukozës. Këta elementë, populli i njeh me emrin e iriqit. Ato mund të jenë të veçuara, 1 ose dy, por ndonjëherë edhe më të avancuara, duke arritur (sigurisht, në raste të rralla), përmasat e një vileje rrushi. Mjekimi është mirë të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, qëkur shfaqen shenjat e para, sado të vogla të duken. Ky mjekim konsiston në mjekim lokal që mund të jenë disa solucione specifike ose pomada, si edhe azoti i lëngshëm. Azoti i lëngshëm ndërhyn në indet e trupit dhe bën që të ulet temperatura në shifra shumë të ulëta, duke shkaktuar nekrozë, vdekjen e indit. Ky është një nga mjekimet më të zakonshme dhe me sukses. Nëse ky mjekim do të kryhet nga një mjek specialist, nuk ka asnjë lloj pasoje. Ju urojmë shëndet!