Përshëndetje doktoreshë Anjeza! Jam një vajzë 31 vjeçe dhe shpeshherë në pjesë e jashtme të veshit më bëhet një si tip koreje dhe më rripet dhe e dyta që ka lidhje me fytin, më ndodh që ndonjëherë pështyma të më shkoj keq dhe të kollitem e kjo kollë më krijon një djegie të fytit edhe për 24 orët në vazhdim dhe ndjej një si shije të hidhur. Ju lutem mund të më thoni çfarë të bëj?
Anjeza Kuçi, otorinolaringologe, Poliklinika Qendrore, tel 0674090843:- Problemi i lëkurës në pjesën e jashtme të kanalit apo edhe të llapës së veshit është problem i lëkurës apo sëmundje e lëkurës. Meqë ka deskuamim apo rrjepje të lëkurës mund të kemi të bëjmë me një dermatit atopik apo me një ekzemë të lëkurës. Nëse problemi është brenda në vesh duhet të laheni me tapa që të mos futet asnjë pikë uji në vesh, të mos përdoret alkooli borik në vesh sepse e than më keq lëkurën. Nëse është pas veshit të përdoren herë pas here pomada me kortizon sa të qetësohet gjendja, të mbahet lëkura e thatë dhe nëse problemi është më i komplikuar, të bëhet një konsultë me mjekun e lëkurës. Ndërsa problemi i mbytjes ka të bëjë me laringun dhe meqë shoqërohet me kollë, e me ndjesinë e lëngut të hidhur në gojë mund të jetë laringit kronik i pjesës posteriore të laringut nga refluksi gastro ezofageal apo rikthimi i lëngjeve të stomakut në gojë që shoqërohet me probleme edhe në organin e zërit. Gjithsesi për një përgjigje më të saktë kërkohet një konsultë me mjekun ORL sepse duhet bërë një laringoskopi për të vendosur një diagnozë më të saktë dhe të jepen këshilla edhe për mënyrën e ushqyerjes nëse vjen nga refluxi gastro-ezofageal. Faleminderit!