– Dr. Evi, ju përshëndes. Kam një problem. Jam 47 vjeç dhe para një viti, në cipën e jashtme të kokës së penisit m’u shfaq një plasaritje e vogël për të cilën mjeku dha një pudër. U shërova për 2-3 ditë, por sivjet përdora të njëjtën pudër dhe s’më bëri efekt. Mjeku më dha disa kokrra tepër të hidhura që duhet t’i pija në mes të bukës dhe një tip melhemi të quajtur nystatinë. S’pata asnjë përmirësim. Shkova te një mjek që më tha të bëja analizën e spermës dhe pastaj duheshin nja 5-6 muaj për t’u shëruar. U habita pse nuk mund të kishte ndonjë ilaç që vepron më shpejt, por ai më tha që nuk ishte kaq e thjeshtë. Shkova te një mjek tjetër që më tha t’i bënim analizat unë e gruaja. Të gruas ishin të rregullta, ndërsa të miat, me pak kripëra. Më dha permanganat e pomadë nystatinë. “Pasi të mbarosh, më tha, hajde përsëri”. Në fakt, koka e penisit vazhdon të jetë mavi dhe dëshira për seks është zvogëluar. Kur më del gjumi, kam një djegie të lehtë. Nuk di ç’të bëj. Ka ca muaj që kam shumë frikë. Shtoj se bëra edhe analizat e gjakut për sëmundjen e sheqerit, por dolën në rregull. A mund ta di si të veproj tani?
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog, Poliklinika Qendrore, 0682213329:- – Infeksionet e shpeshta të glanspenisit dhe të lafshës së saj, quhen balanopastitis dhe mund të jenë me natyrë mikrobiale apo mykotike. Shenjat e tyre shfaqen me skuqje të lafshës dhe të kokës së penisit, kruajtje, shtrim të një shtrese të bardhë në këtë pjesë dhe erë të keqe. Nëse është e avancuar me enjtje apo shqetësime muskulare, atëhere personi është i paaftë të kryejë aktin seksual. Kjo patologji vërehet vetëm te meshkujt që nuk janë bërë synet. Unë, si mjek me eksperiencë 25 vjeçare, nuk e kam vënë re një patologji të tillë te pacientët që janë bërë synet. Në rastet e avancuara, zgjidhje përfundimtare dhe shërim i këtij problemi është synetllëku. Në rastin konkret, nuk është se po jua udhëzoj një gjë të tillë, por kam përshtypjen se mjekimi që keni marrë nuk ka qenë i duhuri. E them këtë sepse këto lloj patologjish nuk hyjnë te grupet e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Këtë gjendje mund ta kalojë edhe një person që nuk kryen marrëdhënie seksuale. Nuk është nevoja për spermokulturë dhe mjekimi merret vetëm me mjekim lokal. Pastaj, e fundit dhe më kryesorja që ju sugjeroj është edhe një konsultë me mjekun e duhur. Ju uroj shëndet!