Jeta ime ka qenë një jetë shumë e vështirë, madje më e vështirë se e ndokujt tjetër mbase. Që sot e kësaj dite, ende nuk kam mundur ta marr veten, madje kur e kujtoj, më duket sikur më ka ndodhur sot, edhe pse ka pesë vjet që ka ndodhur.
Para 10 vjetësh u njoha me një vajzë që banonte shumë afër shtëpisë sime, por nuk ishim në të njëjtën lagje. Në atë kohë, si çdo i ri, edhe unë kisha namin se isha një djalë i paedukatë dhe imoral, por nuk isha aspak i tillë. Kisha vetëm namin, duke qenë se unë rrija me disa shokë që merreshin me budallallëqe. U lidha me këtë vajzë dhe kurrë nuk e kisha menduar se do të dashurohesha me dikë kaq shumë. Ndenjëm thuajse një vit të lidhur, pa djeninë e familjes. Më pas unë i propozova që të fejoheshim. Ashtu si unë, edhe ajo më donte shumë dhe ishte e gatshme të bënte gjithçka për mua. Vendosëm që t’u tregonim familjeve për lidhjen tonë. Familja ime nuk kishte asnjë kundërshtim, madje ishin shumë të kënaqur me vendimin tim. Të nesërmen u takuam dhe e pyeta të dashurën nëse i kishte thënë familjes për vendimin që kishim marrë. Ajo më tha se i kishte thënë, por familja i kishte bërë namin, pasi nuk donin që vajza e tyre të kishte lidhje me një djalë si unë e jo më të fejoheshim. Ndërkohë, ne vazhdonim ta mbanim lidhjen tonë në fshehtësi, derisa një ditë unë nuk durova dot më dhe vendosa ta rrëmbej. Doja ta kisha në çdo moment pranë meje. E mora dhe e çova në shtëpinë time, aty ku do jetonim. Që nga ajo ditë, ajo u bë nusja ime edhe pse familja e saj vazhdonte që të mos ishte dakord, madje vendosën të mos flasin më me të. Më vinte shumë keq për të kur e shihja të trishtuar, pasi familja e saj nuk e mbështeti vendimin e saj për të qenë e lumtur. Mundohesha t’i rrija gjithmonë pranë dhe ta bëja të lumtur.
Kaluan disa muaj dhe unë mora lajmin më të lumtur të jetës sime; do të bëhesha baba. Nuk di si t’jua shpreh lumturinë që ndjeva në ato çaste. Muajt kalonin dhe unë mezi e prisja ardhjen e fëmijës sonë. Më në fund, erdhi dita kur ajo do të lindte dhe më në fund, lindi djalë. Isha njeriu më i lumtur në botë! Tashmë i kisha të gjitha, nuk doja t’ia dija për asgjë tjetër. Pas gjithë asaj kohe, më në fund, prindërit e saj vendosën të vijnë të shohin nipin e tyre. Edhe pse nuk ishte e drejtë mënyra se si ishin sjellë me ne, unë u hoqa sikur s’kishte ndodhur asgjë dhe i respektova. Këtë e bëra për hir të sime shoqeje që e doja aq shumë. Kohët kalonin dhe djali u bë gjashtë muajsh. Ishim shumë të lumtur. Një ditë morëm lajmin se ime shoqe ishte sërish shtatzënë. Nuk e di pse kësaj radhe nuk ndjhesha aq ai lumtur sa herën e parë. Sigurisht që u gëzova shumë, por nuk ndjeja të njëjtin entuziazëm. Kaluan tre muaj dhe shkuam për të bërë një eko e për të parë gjininë e fëmijës. Doktoresha na tha se tashmë ishin dy çuna. Pra, ime shoqe priste binjakë. U gëzuam shumë që të dy që do të bëheshim me kaq shumë fëmijë. Të dy i donim shumë fëmijët. Mezi prisnim momentin kur ata të lindnin. Muajt kalonin dhe ajo ishte në muajnin e shtatë. E gjithë shtatzania po shkonte për mrekulli, edhe pse nuk është e lehtë të mbash në bark dy fëmijë. Në fillim të muajit të nëntë, ime shoqe filloi të përkeqësohej. Herë pas here kishte luhatje tensioni e shpesh kishte edhe gjendje të fikëti, duke qenë se shtatzania ishte gjatë periudhës së verës dhe ishte shumë vapë. Një ditë, tek po dilnim, ajo pati probleme me frymëmarrjen. E ula e thashë ta qetësoja, por ishte e pamundur. Frymëmarrja e saj sa vinte e vështirësohej. Lajmërova një ambulancë dhe rrugës, tek po e çonim për në spital, unë po e mbaja me frymën time. Ajo më tha të mos lodhesha kot se i kishte ardhur fundi. Më tha të kisha kujdes djalin dhe mbylli sytë. Këto ishin edhe fjalët e saj të fundit. Nuk mund ta besoja! I dëshpëruar, u kërkoja doktorëve që ishin në makinë me mua të bënin diçka, por ata thanë që tani s’kishin ç’të bënin më, sepse ajo kishte vdekur. Qaja me shumë dhimbje dhe nuk doja të jetoja më. Në atë moment, gjithçka e shihja të zezë. Qaja për të dhe për momentin, ngaqë isha i dëshpëruar, përpiqesha të gjeja një fajtor për vdekjen e saj dhe mendoja se ishin binjakët që ajo priste, por më pas u kthjellova dhe thashë me vete se ajo që po mendoja qe një budallëk. E kisha shumë të vështirë ta pranoja. Vazhduam rrugën për në spital për të bërë një autopsi e për të marrë vesh nga i kishte ardhur vdekja. Rezultoi se fëmijët që kishte në bark kishin tre ditë që kishin vdekur dhe kjo kishte bërë që edhe asaj t’ia merrnin jetën, për të më lënë mua dhe djalin vetëm. Ata të tre u nisën në një rugë shumë të largët dhe pa kthim e unë ndjehesha i pafuqishëm për të ecur përpara.
Djalin e rrita me ndihmën e nënës sime. Tashmë, ai është pesë vjeç dhe unë e kam rritur me fotografitë e së ëmës, duke i folur gjithmonë për të. Mbase kam bërë edhe gabim, sepse tani ai ndjen shumë mall dhe më pyet gjatë gjithë kohës se kur do të kthehet. Ai nuk e kupton se ajo nuk do të kthehet më. Nuk ka natë që unë të mos ëndërroj me të. Më mungon shumë dhe ndjehem tmerrësisht i dëshpëruar që nuk kam asnjë rrugëzgjidhje. Kuptova se jeta ime nuk kishte asnjë kuptim pa të. Edhe sot e kujtoj njëlloj si para pesë vjetësh. Thonë se koha shëron gjithçka, por për mua ka ndodhur e kundërta. Unë nuk gjej asnjë forcë veç djalit, për të ecur përpara. Më duket e pamundur të jetoj pa të. Më duket sikur do ta tradhtoj. Çdo ditë në ëndërr ajo më thotë se do të ishte e lumtur sikur unë të gjeja dikë që të kujdesej për mua dhe për djalin, por unë nuk dua t’ia di për askënd veç saj. Askush nuk ma mbush zbrazëtinë që më ka lënë ajo. Kjo ndodh mbase sepse sapo kishim filluar jetën bashkë dhe unë s’arrita ta shijoja, sepse vdekja e mori shumë shpejt. Tani jam 28 vjeç dhe nuk kam asnjë dëshirë në jetë, më duket sikur po jetoj kot. I jam dedikuar totalisht djalit. Kujdesem për të për gjithçka. Mundohem të bëj të pamundurën që të mos i mungojë asgjë. Më vjen shumë keq që nuk mundi ta njohë nënën e tij, që ishte një njeri i mrekullueshëm. Ai sheh nëpër foto vetëm bukurinë e saj fizike, por atë shpirtërore nuk mundi ta shohë. Të dy do të ishim shumë të lumtur sikur ajo të ishte pranë nesh, por fati deshi që ajo të shkonte bashkë me fëmijët që prisnim. Ata e deshën aq shumë sa arritën t’i merrnin edhe jetën për të qenë me ta.
Çdo njeri ka synimet e tij në jetë, por unë kam zbuluar se pa familje dhe pa grua, asgjë nuk ka kuptim. Natyrisht që gra ka kudo, por kur dashuron dikë dhe krijon një familje me dëshirë, është një lumturi shumë e madhe. Unë nuk do të doja asgjë nga kjo jetë, veçse të isha edhe një herë me të dhe me djalin bashkë, ashtu siç ishim para se ajo të shkonte. E di që tashmë është e pamundur, por duhet të jetoj gjithë jetën me fotot dhe me kujtimet e saj. E kam dashur dhe do të vazhdoj ta dua deri në vdekje.