Kam filluar të mbaj ditar qëkur mendimet e mia tashmë jofëminore nuk kam me kë t’i ndaj. Dikur flisja shumë me mamin, por ndoshta ato që i tregoja, nuk ishin aq të rëndësishme sa këto që kam tani në zemër.

Një barrierë është krijuar midis ne të dyjave e grindjet kanë zënë vendin e paqes, sidomos tani që unë kam më shumë nevojë se kurrë.

Ndoshta ajo e ka harruar kur edhe vetë ka qenë adoleshente. Unë e kam një shoqe të ngushtë qw quhet Melisa, me tw cilwn kam kaluar shumë gjëra, që nga kopshti e deri tani. Ajo më këshilloi të mbaja ditar. Nuk kam mbajtur ndonjëherë më parë e nuk e di në do tw më vijnë fjalët për të shkruar, megjithëse kam dëgjuar që shumë moshatare të miat mbajnë. Melisa sot u largua për në Itali… Sa do tw më mungojë! Me kë do të shfryhem? Kujt do t’ia tregoj sekretet e mia? Kush do të më këshillojë? Shoqe të tjera kam, por me të kisha një raport të veçantë. E përcolla deri në Rinas bashkë me prindërit e saj. U u nis me avionin e orës 12 e u ndamë me lot në sy. Ajo do të fillojë një jetë të re atje, kurse unë mbeta këtu. Më ka zënë trishtimi, sa më ngjan sikur po mbytem, sikur çdo gjë ka mbetur në kohë. Jam 16 vjeçe, në vitin e parë në gjimnaz dhe dëshiroj aq shumë të iki nga shtëpia të jetoj vetëm. Mezi po e pres atw ditë, mezi po pres të largohem për në universitet. Më e rëndësishmja është se kam shprehur dëshirën të studioj në Itali dhe këtë gjë e duan edhe të mitë. Do tw jem larg, vetëm, e lirë. Në shkollë jam nxënëse e mirë, gjithmonë kështu kam qenë. Mamaja as që e mendon të jetë ndryshe, të jem nxënëse e dobët. Ajo gjithmonw më thotë: “O më e mira, o asgjë’’. Nga njëra anë, edhe unë e kam për zemër këtë mendim, por unë tashmë jam adoleshente dhe mendoj që nuk mund të flitet vetëm për shkollë. Ekzistojnë edhe gjëra të tjera, si për shembull, unë nuk jam më fëmijë, po kthehem në një vajzë të rritur. Shtëpia ime ndonjëherë më ngjan më tepër si një çmendinë, sesa si një shtëpi me njerëz normalë, veçanërisht kur të mitë nuk kuptohen. Mendoj që ata kanë arritur në fazën që më shumë nuk e durojnë njërin-tjetrin. Ndoshta po të mos ishim ne ose opinioni se çfarë do të thonë të tjerët, nuk kishin për të ndenjur bashkë. Sa do të doja të isha vajzë e vetme ose të kisha motër, të mos kisha vëlla. Është një bezdi e vërtetë, fut hundët kudo, më luan gjërat dhe m’i fsheh, është kurioz kur unë vishem dhe ajo që të jep më shumë mërzi e t’i bënë nervat kaçurrel është se gjithmonë fiton. “Është i vogël, thotë mami, hapi rrugë”. Ikën ato vite kur ekzistoja vetëm unë, megjithëse unë mbaj mend mirë ditën kur lindi, sa e gëzuar isha. Ishte aq i vogël e kisha dëshirë të kujdesesha unë për të, por me kalimin e kohës u kthye në një objekt sherri edhe me mamin. Ajo e mbron gjithmonë dhe, kur e ka gabim, s’më kupton. Këto kohë në bankë ka marrë një post të rëndësishëm, e ka mendjen te numrat e te paratë dhe ç’është më e keqja, nuk më pyet pwr çfarë kam nevojë unë, sikur të kishte rëndësi vetëm që mos tw na mungojnë gjërat. Nuk mendon se kam nevojë për të, për dikë që të komunikoj. Në këtë periudhë i ka shtuar edhe predikimet e saj: “Mos u lidh me njeri, duhet të ruhesh sepse djemtë të tallin, bëjnë gjithçka për ty sa të vënë në dorë kanë nevojë, ke kohë për të zgjedhur, ai mund të bëhet pengesë dhe të të kufizojë për të ardhmen tënde, mund të jetë tepër vonë atëherë”. Ajo vazhdon më pas: “Mos pi duhan” dhe shpreh pakënaqësi për koleget e saj që e pinë atë. Ajo nuk arrin ta kuptojë se në shkollë duhani është shumë i përhapur, pa përmendur hashashin, që e pinë djemtë në orët bosh. Duhani, në botën e saj, duhet të jetë një diçka normale,  se shumë gra e pinë. Ndonjëherë bëhem kurioze, po ajo nuk e ka provuar, edhe sikur ta kishte pirë nuk do të tregonte. Ajo që unë mendoj, është se këtë gjë ajo më shumë e bën që të ma shpifi mua, megjithse unë e kam provuar dhe herë pas here e ndez me shoqet, por nuk mund të them që jam pirëse e rregullt. Një nga temat tabu për mamin tim është seksi. Për të, ai nuk duhet as të përmendet. Kur ka skena në televizion, ndërrohet kanali. Kur e pyes, më shumë flet një mur sesa ajo. E eviton, siç bëjnë mësueset e biologjisë, duke e bërë pushim atë orë, pasi kanë zor të flasin, se aq duan nxënësit e fillojnë të tallen. Me Melisën po që mund të flitet. Ajo është me fat sepse ka një motër më të madhe që jeton në Itali si studente prej 2 vjetësh dhe me liberalizimin e vizave, edhe ajo shkoi për pushime. Më pas ka për të ndjekur edhe shkollën aty. Ajo flet me të motrën për shumë gjëra të moshës sonë, madje m’i shpjegon edhe mua. Ndonjëherë më tregon se edhe me të ëmën diskuton për këto gjëra, madje e quan diçka të natyrshme ta bëjë këtë. Melisa është tip gazmor që e merr jetën si t’i vijë, zbavitet e nuk e shikon si domosdoshmëri që të bëhet dikush në jetë, si ndodh me imponimin që më bëjnë të mitë. Edhe prindërit i ka më liberalë. Kur u largua, i premtuam njëra–tjetrës se do të komunikonim gjithmonë nëpërmjet internetit, nuk kishim për ta harruar shoqërinë. Eh, interneti!… Megjithwse kemi kompjuter në shtëpi, interneti është një kapitull i mbyllur te ne, i dëmshëm për mua dhe vëllain, mendon mami, megjithëse ajo e përdor, por justifikohet se e përdor për punë. Unë e përdor shpesh, kam adresën time, kam faqen time në Facebook dhe miq. Këto më shumë i kam realizuar në shtëpinë e Melisës. Mamaja e saj më mirëpret edhe tashti që Melisa u largua. Mendoj se Melisa kishte të drejtë… Ditari qenka njw mjet shumë interesant për t’u shfryrë, të ndihmoka kur ndihesh vetëm, por ajo që është më e rëndësishmja, është të gjej një mënyrë që ky ditar të mos i bjerw njeriu në dorë sidomos tim vëllai që ka për t’ua treguar të gjithëve në shtëpi.

Vijon…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *