Përshëndetje! Quhem Elona dhe vendosa të shkruaj për historinë time të dashurisë e të tregoj gjithçka që më ka ndodhur.
Pasi mbarova studimet për Ekonomik, fatmirësisht, arrita të punësohesha si bankiere.
Aty u njoha edhe me Eraldin, i cili kishte të njëjtin pozicion si unë. Me kalimin e kohës, ai u kthye nga thjesht koleg, në më tepër se një shok për mua. Ishte tepër i rregullt dhe asnjëherë nuk e tepronte, në asgjë që thoshte apo bënte. Kishte qenë gjithmonë korrekt me veten dhe në raport me të tjerët, ndërsa vëllai i tij binjak ishte e kundërta e tij, kishte një karakter krejtësisht ndryshe; më i qeshur, më i shoqërueshëm dhe tepër i lirshëm. Në fillim, pamja e njëjtë ma vështirësonte dallimin mes tyre, por ishin pikërisht ato që përmenda më sipër, që më bënin t’i dalloja më shpejt. Eltoni apo Toni, siç e thërrisnin të gjithë, ishte laborant dentar dhe kishte klinikën e tij. Pacientët e tij ishin të shumtë sepse ai arrinte t’i bënte të gjithë për vete me tipin që kishte. Sa herë bisedonim, shkëmbenim shumë batuta me njëri-tjetrin dhe bisedat tona ishin gjithnjë mjaft interesante, pasi kishim pothuajse të njëjtin tip. “Kur bashkoheni ju të dy… Duket sikur njiheni prej kohësh”, na thoshte Eraldi sapo na shihte bashkë. Megjithëse ishin vëllezër dhe aq më tepër, binjakë, ata nuk shkonin edhe aq mirë bashkë. Ndoshta Eraldi bëhej xheloz edhe për marrëdhënien aq të lirshme që kisha me vëllain e tij, por ai e dinte që unë dashuroja atë dhe nuk kishte arsye për të qenë xheloz. Ne qëndronim pothuajse gjatë gjithë kohës bashkë edhe për arsye të punës, por mua nuk më ka pëlqyer asnjëherë të punoj në të njëjtin ambient me partnerin tim sepse marrëdhënia do të bëhej tepër monotone. Përveçse gjatë gjithë ditës, ne edhe pushimin e drekës e kalonim bashkë. Një ditë, Toni na ftoi që të dyve të drekonim, por Eraldi i tha se kishte shumë punë, kështu që vajta unë. U ulëm në një restorant afër punës dhe, edhe pse isha e lodhur, ndihesha e qetë sepse do të kaloja pak kohë në shoqëri të mirë. Biseduam gjatë. Toni të jepte mjaft energji pozitive, ndërsa kur drekoja me Eraldin, përgjithësisht, flisnim vetëm për punë.
“Si ia kaluat sot?”, na pyeti Eraldi në mbrëmje.
“Më mirë, s’ka!”, tha Toni duke qeshur, ndërkohë që Eraldi e pa me zili. Ishin tipa aq të kundërt saqë nga momenti në moment, mund të ziheshin. Kjo më vinte edhe mua në siklet sepse për shkak të tij, duhet të mbaja distancë me Tonin.
“Nuk e kuptoj pse keni këtë marrëdhënie ju të dy, aq më tepër që jeni binjakë”, i thashë Eraldit një ditë.
“Ai do vetëm të duket dhe të jetë më i miri në gjithçka që bën”, më tha ai. Edhe pse jetonim vetëm, ne kalonim mjaft kohë në shtëpinë e prindërve të tij, ku jetonte edhe Toni. Nuk e kuptoja se si një person si ai, aq i shoqërueshëm, nuk kishte një të dashur, pasi çdo vajzë do ta bënte për vete, megjithatë, unë nuk e pyesja për lidhjet me femrat. Një natë, tek po festonim në një klab, Toni më ftoi për të kërcyer. E pashë Eraldin në sy dhe ai tundi kokën në shenjë pohimi, megjithëse dukej i inatosur. Pas kërcimit, kur u kthyem në tavolinë, Eraldi kishte ikur!
“Ku është Eraldi?!”, pyeta motrën e tij që ishte me ne atë natë.
“Më tha se kishte dhimbje koke, ndaj iku”.
E dija se ky ishte një justifikim koti dhe e vërteta ishte se ai ishte bërë përsëri xheloz, ndaj kishte ikur.
“Me mua nuk ke kërcyer ndonjëherë kaq shumë”, më tha të nesërmen në mëngjes.
“Sepse ti nuk kërcen dhe kur ta kërkoj këtë, më nxjerr nga një justifikim”, i thashë dhe dola sepse nuk doja ta vazhdoja diskutimin me të. Tani Toni ishte kthyer në një mollë sherri për ne dhe kjo më kishte ardhur në majë të hundës. Provova edhe të distancohesha nga Toni i cili e vuri re këtë dhe më pyeti nëse kishte bërë diçka që më kishte fyer sepse isha larguar shumë prej tij, por, edhe pse veprova ashtu, ne përsëri grindeshim. Mendova të ndërroja punën, duke menduar se kjo mund të na ndihmonte dhe kështu bëra.
“Pse do të ndërrosh punën?!”, më pyeti i çuditur. I thashë se kisha një ofertë më të mirë, për të punuar si rrobaqepëse te një shoqja ime që kishte hapur një atelie. Sakrifikova punën si bankiere me shpresën se do të rregulloheshin gjërat mes nesh, por e dija që Eraldi nuk donte t’ia dinte për këtë. Për të kishte rëndësi vetëm puna. Për Eraldin ishte shumë e rëndësishme të ishte korrekt në punë dhe mund të sakrifikonte gjithçka për të. Tani shiheshim më rrallë dhe puna që bëja, më pëlqente, madje stilistja më propozoi të isha unë ajo që do të sfiloja me veshjet e saj. Më pëlqeu propozimi i saj, ndaj pranova, por kur ia thashë Eraldit, e priti shumë keq dhe më kundërshtoi me forcë. Diskutuam edhe për këtë, por i thashë se punën do ta vazhdoja, donte apo s’donte ai. Në mbrëmje po mundohej të më kërkonte të falur për mënyrën se si më foli, por nuk më tha se ishte dakord me punën, edhe pse nuk e dinte sakrificën që kisha bërë për lidhjen tonë. Për një periudhe kohe, dukej sikur gjërat u rregulluan mes nesh. Nuk diskutonim më si më parë, argëtoheshim më shumë dhe gjithçka dukej e bukur, por në çdo moment kisha frikë se mos prishej gjithçka. Dhe kështu ndodhi…
Eraldi vazhdonte të mos ishte dakord me punën që bëja.
“Do të krijojmë familje dhe ti duhet të qëndrosh pranë fëmijëve, kështu që do të të duhet t’i lësh sfilatat”. Unë nuk isha aspak dakord, nuk do ta lija punën sepse donte ai.
“Edhe ti si baba duhet të qëndrosh pranë fëmijëve, por ty, e vetmja gjë që të intereson është puna, madje mendoj se mund t’i qëndrosh më besnik punës sesa mua”.
Ai u acarua dhe thoshte se të ardhurat në shtëpi i sillte ai dhe që të kishim një jetesë të mirë duhet të punonte shumë.
“Po unë, çfarë? Jeta ime do t’i përkushtohet vetëm shtëpisë, ndërsa për jetën sociale as nuk bëhet fjalë?!”.
Ishim që të dy mjaft të acaruar dhe këto zënka na largonin edhe më shumë nga njëri-tjetri. Nuk ishte më dashuria e dikurshme mes nesh. Sa herë takoja Tonin, për momentin harroja gjithçka sepse ai kujdesej që të ndihesha shumë mirë, por ndodhi që një ditë na pa Eraldi i cili nuk e mendoi dy herë dhe i gjuajti Tonit. Plasi një sherr i madh mes tyre, sikur të mos ishin vëllezër. Xhelozia e Eraldit ishte e pavend.
“Ti po kërkon të më marrësh gruan dhe këtë nuk ta fal”, tha ai i xhindosur. Ishte kthyer në një person tjetër, ndërsa unë po ndihesha shumë keq sepse më dukej sikur isha unë arsyeja e atij sherri. Më pas, Eraldi filloi alkoolin dhe vinte shpesh i dehur në shtëpi. I qëndroja pranë dhe dukej sikur po ndryshonte, por akoma nuk binim dakord për shumë gjëra, veçanërisht për punën time. Më kishte thënë shpesh se donte të kishte fëmijë, por nuk pranoja sepse do të më duhej ta braktisja punën përgjithmonë. E dija se pasi të bëhesha nënë, nuk do të mund të kthehesha më në punë dhe kujdesi ndaj fëmijëve do të ishte angazhimi im i vetëm. Isha tepër e re për ta bërë këtë, kisha nevojë për atë punë. Edhe Toni mendonte ashtu si unë, më mbështeste në gjithçka dhe me të, arrija të kuptohesha shumë mirë.
“Eraldi ka ndryshuar shumë. Edhe më parë ka qenë tepër serioz, por tani është bërë fare. Puna e ka kthyer në një makinë”, tha dhe ishte e vërtetë. Ndjenjat për të ishin në plan të dytë. Teksa po bisedonim atë mbrëmje, Toni më puthi dhe unë ia ktheva puthjen, edhe pse nuk e kuptova pse.
“Më fal… nuk e di si e bëra”, po mundohej të justifikohej, por më pas më tha se kishte ndjenja për mua dhe se këtë nuk kishte patur guxim të ma thoshte më parë. I buzëqesha dhe i thashë se më pëlqente, por nuk e dija nëse e dashuroja apo jo.
“Më është dukur gjithmonë sikur njiheshim prej kohësh, më ke mbështetur në shumë momente të vështira dhe këtë e vlerësoj shumë”.
Pashë që po i shkëlqenin sytë. Ishte njeri i mrekullueshëm! Fjalët që më tha atë mbrëmje, më mbetën në mendje dhe i kujtoja në çdo moment, edhe kur isha me Eraldin. Sapo shihja Tonin, zemra më rrihte fort, ndryshe nga herët e tjera. Kisha rënë në dashuri me të dhe tani nuk e dija çfarë ishte ajo që ndjeja për Eraldin. Nëse i thoja se doja t’i jepja fund lidhjes, e dija se nuk do ta pranonte sepse më dashuronte, edhe pse, sipas mënyrës së tij.
Nuk gjeja dot mënyrën si t’ia thoja Eraldit. Edhe Toni e kishte shumë të vështirë sepse e kishte vëlla. Eraldi vazhdonte me të njëjtat mendime dhe kjo ishte e padurueshme. Ishte më mirë që lidhja të merrte fund sa më shpejt. Një natë, teksa po bisedonim për të njëjtat gjëra, vendosa t’ia thoja. Ai reagoi siç e prisja; u xhindos dhe filloi të bërtiste si i çmendur.
“E dija që në fillim se kishte diçka mes jush! E shikon që kisha të drejtë?”. U mundova t’ia shpjegoja se atëhere ne nuk kishim asgjë me njëri-tjetrin, ishim thjesht miq, por nuk donte të më dëgjonte. Vetëm fliste vetë. Mendonte se e kisha tradhtuar gjatë gjithë kohës dhe e quante veten budalla që nuk e kishte vënë re. Në fund, nuk e pranonte ndarjen. Ndoshta po mundohej të m’i bënte gjërat edhe më të vështira, por unë e kisha vendosur, do të ndahesha prej tij. Menjëherë pasi diskutuam, Eraldi kishte vajtur të kërkonte Tonin të cilin fatmirësisht, nuk e kishte takuar, por ky takim mes tyre nuk mund te shmangej për shumë kohë. Pas shumë përpjekjeve tona, arrita të ndahesha nga Eraldi, edhe pse për një kohë shumë të gjatë, nuk më linte të qetë. Më thoshte se nuk mund të ndahesha prej tij sepse më dashuronte dhe kishim kohë me njëri-tjetrin; nuk e kuptonte se vetë ai kishte ndikuar në këtë ndarje. E kuptonte dashurinë shumë ndryshe nga unë dhe edhe pse më parë na bashkonte diçka, tani nuk na bashkonte më asgjë. Për shumë kohë e kishte shumë problem të na shikonte bashkë, por me kalimin e kohës, filloi të mësohej me këtë fakt. U munduam shumë ta ruanim një raport shoqëror me njëri-tjetrin dhe i sugjerova që të njihej me dikë sepse kjo do ta ndihmonte shumë. E ndoqi këshillën time dhe nuk kaloi shumë që Eraldi na u shfaq me një vajzë në krah. Isha kurioze të dija se çfarë do të ndjeja kur t’i shihja bashkë, por nuk ndjeva asgjë, madje më erdhi mirë që edhe ai kishte një të dashur dhe kishte ku të përqendrohej. Kjo e bënte edhe të mos ndihej i distancuar apo inferior karshi nesh. Eraldi u dashurua dhe kjo ishte shumë e papritur sepse ai e kishte të vështirë të dashurohej. Me sa duket, kishte gjetur dashurinë e vërtetë sepse shumë shpejt ata u martuan. Doja shumë të ishte i lumtur, ashtu siç isha edhe unë me Tonin, i cili vazhdonte të ma bënte çdo ditë të bukur. Edhe pse me shumë vështirësi, Eraldi vendosi të shikonte veten e tij dhe jo të vazhdonte të ishte xheloz edhe pas ndarjes. E kisha menduar ndryshe, duke e njohur tipin e tij, por çuditërisht, ndryshoi dhe më vinte mirë për këtë. Nuk ishte më ai tipi i hekurt dhe shumë serioz. Tashmë ishte një tjetër Erald, i qeshur dhe shumë i dashuruar. Do të doja shumë të kishte ndryshuar gjatë kohës që ne ishim bashkë, por ndoshta dashuria që kishim patur për njëri-tjetrin nuk kishte qenë e mjaftueshme. Megjithatë, nuk më vinte keq sepse gjeta njeriun i cili do të ishte gjithmonë i gatshëm të ndryshonte për mua.