Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Dashurova kushëririn e burrit


Para 20 vjetësh, nisi historia ime e gjatë dhe mizore. Them mizore pasi e tillë u tregova unë duke u shkaktuar shumë dhimbje disa njerëzve, por mbi të gjitha, njeriut tim më të shtrenjtë. Në vitin 1990, familja vendosi të më fejonte me një djalë që jetonte në Amerikë. I ati i djalit kishte shumë vite që ishte arratisur në Amerikë dhe ishte martuar me një grua gjermane. Nga kjo martesë kishte lindur ky djalë. Ishte një familje shumë e pasur. Kur prindërit e mi më treguan nga ishte ai, unë, pa e parë fare, u thashë se pranoja të fejohesha. Pranova menjeherë sepse ai kishte para dhe mua nuk do të më mungonte asgjë, por mbi të gjitha, do të shkoja në Amerikë; atje ku çdo shqiptar e kishte ëndërr të shkonte. Erdhi dita kur ai, së bashku me familjen e vet, do të vinin në Shqipëri, në shtëpinë tonë. Ata erdhën të tre bashkë. Kur e pashë djalin, megjithëse ai ishte shumë simpatik, nuk ndjeva ndonjë emocion të veçantë, por mendoja vetëm për të ardhmen time. Do të shkoja në Amerikë, do të isha shumë e pasur dhe do të kisha gjithçka që nuk e kisha pasur. Na prezantuan dhe ne i dhamë dorën njëri-tjetrit. Ai nuk dinte asnjë fjalë shqip pasi ishte hera e parë që kishte ardhur në Shqipëri. Ishte shumë i entuziazmuar dhe unë i pëlqeja shumë. Nuk m’i hiqte sytë në asnjë moment. Bëmë fejesën dhe gjithçka shkoi për mrekulli. Më kishte blerë shumë veshje dhe bizhuteri; gjëra që unë s’i kisha parrë kurrë në jetën time. Më pas, ai, bashkë me familjen, u nisën për në Amerikë dhe atje filluan të bënin dokumentet për të më marrë edhe mua me vete.

Një ditë ai më telefonoi dhe më tha se letrat ishin gati dhe do të vinte të më merrte. Unë mezi prisja, s’po më durohej dot derisa të niseshim. Ata u kthyen dhe djali më ftoi një ditë që të shkonim për darkë. Ndjehesha shumë e lumtur, pasi për mua ishte hera e parë që po shkoja në një restorant. Më çoi në restorantin që ndodhej te 15 katëshi. Më dukej si ëndërr në atë kohë, pasi nuk kisha mundur dot ta shihja nga afër 15 katëshin e jo më të ulesha për të ngrënë atje. Kisha dëshirë që të gjithë ata që më njihnin, të më shihnin. Ishte një ndjenjë që më vinte natyrshëm. Ai, me një tufë lule në dorë dhe me një unazë floriri shumë të madhe, më propozoi që të martoheshim. E mora unazën, e vura menjëherë në gisht dhe i thashë se pranoja që të martohem. Ai më tha se dasma do të bëhej pas një jave dhe menjëherë pas dasmës, ne do të niseshim bashkë për në Amerikë. Ndjehesha në qiellin e shtatë, nuk po e besoja. Të gjitha këto të mira po më ndodhnin mua! Ai ishte përgatitur për të gjitha. Më kishte sjellë tre fustanë nusërie, shumë bizhuteri dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Erdhi dita kur do të martoheshim dhe familja e tij bisedoi me familjen time që me të gjitha shpezimet e dasmës të merreshin ata. Dasma u organizua dhe doli një mrekulli; një dasmë që do ta ëndërronin të gjithë. Të nesërmen, që në mëngjes, u nisëm për në aeroport për të shkuar në Amerikë. Nuk kisha mundur të shkoja kurrë në aeroport dhe as nuk e dija nga ishte e jo më të hipja edhe në avion. Si përfundim, u nisëm dhe ishte një udhëtim i mrekullueshëm. Rruga zgjati gati 15 orë dhe unë ndjehesha shumë e lumtur. Mbërritëm atje dhe kur zbrita nga taksia, ç’të shihja?! Një qytet me ndërtesa të stërmëdha, një vend që të mahniste! Mbeta gojëhapur. Qyteti ku jetonte burri im ishte Nju Jorku, të cilin unë e kisha dëgjuar vetëm në televizor dhe kurrë nuk ma kishte marrë mendja se do të kisha shkuar ndonjëherë, aq më tepër rreth viteve ‘90. Arritëm në shtëpinë ku do të jetonim, një shtëpi shumë e madhe, me një oborr të gjelbëruar. Ndjehesha sikur isha në ëndërr, nuk e besoja që të gjitha ato do të ishin të miat. Burri më ftoi brenda që të më tregonte dhomën ku do të rrinim bashkë. Nuk kisha parë kurrë një dhomë aq të bukur, nuk kam fjalë t’jua përshkruaj…

Advertisement

Kaluan disa muaj dhe unë tashmë kisha mësuar edhe gjuhën shumë mirë. Kisha filluar të dilja edhe vetë nëpër qytet. Pas disa kohësh mbeta shtatzënë. Të them të drejtën, nuk u entuziazmova aspak që prisja një fëmijë, ndërsa im shoq ishte njeriu më i lumtur. Nuk më linte asgjë mangut. Më blinte gjithçka që doja. Ai donte që të ishim sa më të lumtur, sidomos tani që do të krijonim familje. Po në të njëjtin qytet jetonte edhe xhaxhai i burrit bashkë me fëmijët e tij dhe ne shkonim shumë shpesh, duke qenë se vetëm ata kishim aty. Shkonim thuajse çdo ditë dhe ju nuk do ta besoni, por unë rashë në dashuri me njërin prej djemve të tij. Sa herë e shihja, më mbushte me jetë! Kisha vënë re se edhe ai më shihte në të njëjtën mënyrë. Vendosa ta mbaja në heshtje ndjenjën që kisha, pasi nuk doja të humbisja ato që kisha, por në të vërtetë, unë nuk e doja aspak tim shoq. Më vinte keq për të pasi ai bënte shumë për mua, por nuk munda ta dashuroja kurrë; gjithmonë shtiresha me të. Ndjenjat nuk komandohen prandaj më vinte shumë keq për të.

Një ditë u gjenda vetëm me kushëririn e tij dhe ai më tha: “Atë që ndjejmë që të dy nuk mund ta fshehim dot”. Nuk durova më dhe menjëherë e putha. Të dy u puthëm dhe përfunduam duke fjetur bashkë. Ndjehesha shumë keq, pasi e dija shumë mirë që kisha tradhtuar, por nuk mund t’ia thosha dot të vërtetën tim shoqi. Kushëriri i tij më tha ta mbanim të fshehtë lidhjen që kishim nisur dhe ashtu bëmë për disa vjet me radhë. Ndërkohë, unë linda vajzë dhe ajo u rrit e u bë 10 vjeçe. Për gjithë këto vite unë e kisha mbajtur të fshehur lidhjen që kisha me kushëririn e burrit. Një ditë unë shkova në shtëpinë e tij dhe të dy po putheshim e përqafoheshim, kur në atë moment hyri im shoq dhe na gjeti bashkë. Nuk e desha veten, mendova se në atë moment gjithçka mori fund. Mendova se do të na vriste të dyve, por ai pasi pa këtë skenë, nuk tha asgjë, por doli dhe e mbylli derën me forcë. Nuk doja të kthehesha më në shtëpi dhe vendosa të jetoja me njeriun që doja. Im shoq nisi gjyqin për divorc, vendosi të merrte edhe vajzën dhe më hoqi të drejtën për ta takuar. Ndjehesha shumë keq, pasi vërtet kisha fituar njeriun që dashuroja, por njëkohësisht, humba njeriun më të shtrenjtë të jetës sime. Herë pas here shkoja të takoja vajzën edhe ajo vinte të më takonte, por ende nuk e dinte arsyen se përse ishim ndarë. Një ditë ajo e mori vesh dhe vendosi të mos më takonte më. Unë, gjatë kësaj kohe, linda edhe dy fëmijë binjakë me burrin që e mora me dashuri. Dy vëllezërit, domethënë ish-vjehrri im dhe babai i burrit që kisha aktualisht, tashmë urreheshin. Në shtëpinë që jetoja tani nuk kisha më lluks, por duhet të punoja që të jetoja, ndërkohë që atje nuk punoja, por vetëm harxhoja para. Humba edhe pasurinë më të madhe të jetës sime, vajzën. Ndjehem shumë keq që jeta ime mori këtë rrjedhë dhe kjo gjë vetëm për fajin tim. Ndjehem fajtore për vajzën time që e mori vesh se çfarë nëne jam e gjithashtu ndjehem shumë fajtore ndaj ish-burrit tim, që bënte gjithçka për mua dhe unë ia shpërbleva në këtë mënyrë. Ndjehem shumë e penduar që kam shkaktuar kaq shumë dhimbje. Nuk dua të justifikohem, por ndjenjat nuk frenohen dhe këtë gjë unë nuk munda ta ndalja dot. Tani vërtet kam familjen e lumtur që dëshiroja, por më mungon shumë vajza ime dhe një pjesë brenda meje do të mbetet gjithmonë bosh.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Astrologia shpjegon...!

Next Post

7 hapa drejt fëmijës…

Advertisement