Miqtë e mi, ju përshëndes shumë dhe dua që me anë të këtij shkrimi të kuptoj a ka njerëz si unë në këtë botë që po vuajnë për diçka që s`mund të jetë kurrë e tyre. Unë quhem Alda dhe jetoj në një qytet pak afër Tiranës. Para tre vjetësh konkurova për shkollë të lartë dhe fitova Ekonomik Biznes në Shkodër. Nuk isha shumë e lumtur sepse preferoja Tiranën, ku çdo gjë është më mirë, plus që fakulteti ka më shumë prestigj dhe prioritet, mirëpo aty fitova dhe isha e detyruar të vazhdoja për të mos humbur vitin. Shkolla si fillim ishte e vështirë. Jo vetëm ajo, por edhe shoqëria e qyteti për mua ishin të huaj. Në fillim gjithçka që bëja ishte shkollë-shtëpi sepse nuk njihja njeri dhe nuk kisha dëshirë për shoqëri të zgjeruar. Historia ime fillon para dy vjetësh, kur njoha ca goca shkodrane të cilat hynë menjëherë në shoqëri me mua, më qëndruan shumë afër dhe filluam të dilnim në kafe, xhiro nëpër qytet e kështu, u ambientova pak.

Unë isha e palidhur dhe as që më binte ndërmend të krijoja ndonjë histori dashurie aty sepse shkodranët më dukeshin pak të pabesë, plus që edhe vetë shoqet e mia shkodrane më sugjeronin të mos ua varja shumë çunave aty sepse talleshin shumë me studentet. Ne dilnim nëpër kafe e ca netë vendosëm të dilnim në ndonjë party. Ok. Një natë dolëm e u kënaqëm pa masë me miket e mia. Ditën tjetër në shkollë, shoqja ime më tha që isha bërë shumë e bukur një natë më parë dhe se të gjithë ishin habitur nga ndryshimi im. Kjo gjë kishte ndodhur sepse ata ishin mësuar të më shikonin përherë të veshur sportive dhe veshja ime e asaj nate kishte rënë goxha në sy. Kaluan ca ditë dhe po kjo shoqja ime më bëri muhabet për një shokun e saj i cili kishte insistuar të pinte kafe me mua. Sigurisht që nuk pranova sepse ishte e kotë një njohje për mua e doja t`i përkushtohesha më shumë shkollës…

“Dakord, më tha ajo, po shiko se ai nuk është si çunat e tjerë!” dhe më siguroi që kurrë s’do të ishte nisur për t’u tallur. Kaluan ditë dhe unë nuk pranova të dilja me asnjeri në kafe. Një ditë po pinim kafe aty afër fakultetit me një grup gocash dhe një shokun tim, kur na u afrua një djalë që nuk e njihja fare dhe, duke u kërkuar falje gocave, u tha: “Mund t’jua vjedh pak shoqen?”… Unë ngela sepse s’e kisha fare idenë se kush ishte. Kur m’u drejtua mua, u habita dhe i thashë që s’doja të ndahesha nga shoqet. Ai qeshi e më tha: “Mirë, dua të ulem të pi kafe këtu me ju, nëse më lejoni”. Shoqëria ime pranoi dhe ai filloi të më gjuante me fjalë e ngacmime nga më të ndryshmet. Ishte një situatë e këndshme, humori; të gjithë qeshnim si të marrë përballë tij. Nuk e kisha pritur që një tip aq serioz të bënte aq shaka dhe batuta. U ndamë nga kafja, më kërkoi numrin e telefonit, por unë nuk ia dhashë. Shoqet, gjatë rrugës për në shtëpi, më qortuan:

– Po ti moj, gjithë jetës beqare do ngelesh?

Por unë isha e bindur dhe e vendosur që t’i përkushtohesha vetëm shkollës dhe kaq. Kaluan ditë dhe ai vinte sillej nga shkolla, më përshëndeste e vetëm kaq. Ai nuk hiqte dorë nga unë e unë s`kisha as qëllimin më të vogël që t`i jepja një shans. Megjithatë, duke pasur një shoqëri të përbashkët, ne filluam të njiheshim edhe më shumë e të dilnim për kafe. Ai m’u përkushtua shumë dhe unë nuk e kuptova se si më afroi ashtu pa kuptuar e më bëri për vete. U lidhëm më 15 shkurt të atij viti dhe pas tre muajsh, unë pranova të bëhesha e dashura e tij. Ishim shumë të lumtur bashkë. Për mua, ishte lidhja e parë dhe ai vërtet më trajtonte ashtu siç e meritoja dhe siç kisha ëndërruar përherë. Nuk kishim grindje xhelozie apo gjëra të këtij lloji sepse unë isha gjithmonë shumë tolerante. Ai ma shfaqte me të gjitha mënyrat dashurinë e tij dhe kishim arritur deri aty sa unë hyja dhe dilja në shtëpinë e tij pa problem. Njerëzit e tij më respektonin shumë dhe unë e kisha ndarë mendjen që ai do të ishte njeriu im i vetëm. Pati një periudhë që mamaja ime e mori vesh dhe ajo ishte kundër kësaj lidhjeje, duke menduar që ai ishte mysliman e ne të krishterë, mirëpo kur e pa sa e lidhur isha me atë person, hoqi dorë e më tha: “Bëj si të të duket ty më mirë!”.

Në periudhën më të vështirë të lidhjes sonë, kur unë mendoja edhe t`i jepja fund që të mos lëndoja familjen, ai vinte dhe këmbëngulte që të mos më humbte për asnjë arsye në botë. Kishte net që qante si fëmijë e mua më dhimbsej shumë; mendoja se nuk e meritoja dashurinë e tij. Ndihesha në faj po të hiqja dorë aq kollaj. Vazhduam si më parë sepse gjatë atyre ditëve unë u binda më shumë për dashurinë që ndiente për mua. U bënë dy vjet lidhje dhe të gjithë në Shkodër e dinin për ne të dy. Isha shumë e bindur për dashurinë dhe për besnikërinë e tij, por isha gabuar rëndë…

Një ditë, shoqja ime që ma kishte prezantuar dhe ishte bërë shkak për njohjen tonë, më shokoi kur më tha: “T. po fejohet!”. S`m’u besua kjo gjë, s`mund t’u besoja veshëve. Mendova mos ishte ndonjë provokim apo ndojnë dashakeqësi, ndaj fola me të në telefon dhe ai më përgënjeshtroi çdo gjë duke më thënë se ajo donte të na ndante e kësi gjërash dhe unë, sigurisht që i besova. Dashuria më kishte verbuar. Kaluan kohë dhe ne vazhdonim si më parë. Dilnim për kafe, dreka, diskoteka e kshu të përhershmet. Ishte sezon kurë unë iu dedikova pak mësimeve dhe I tashë që do të dalim më rrallë në mënyrë që të justifikoja veten dhe tek prindërit. Ç`do gjë mirë. Një ditë e marr në telefon si përherë s`më përgjigjet. I bëj sms s`më kthen. Më habiti kjo gjë. Ne një natë më parë ishim bashkë dhe çdo gjë ishte në rregull. U bënë dy ditë, një javë… As s`më merrte në telefon as s`më kthente më sms. U mërzita shumë… Dola ta kërkoja në shoqërinë e përbashkët, por ishte e kotë, ata s`më ndihmuan. Takova atë shoqen time dhe ajo, e mërzitur në maksimum, më tha që duhej të bëhesha e fortë sepse ai ishte fejuar me mblesëri me një bashkëfshataren e vet dhe mua s`kishte gjetur guximin të ma thoshte. Nuk e kuptova se si arritëm deri në atë pikë. Shpesh, pyesja veten nëse kisha bërë diçka të gabuar, por ishte e kotë që torturohesha sepse përgjigjen s’e gjeja dot. Nuk di t’ju numëroj mesazhet dhe telefonatat që i bëja për ditë me radhë, por s’merrja asnjë përgjigje. Nuk mund ta besoja se si një njeri që më deshi aq shumë, më braktisi aq rehat. Unë isha e dërrmuar dhe s`doja të ikja fare as në shkollë, doja vetëm të kthehesha në shtëpi, të përqafoja mamanë e t’i thoja se sa isha penduar që s’e dëgjova, por e lejova një njeri aq të lig të tallej me mua.

Ende kam dyshime shumë të mëdha në mendjen time. S’e di se cila ishte arsyeja e shkëputjes së tij pa asnjë shpjegim. A thua kisha vepruar diçka keq që e kisha bërë të largohej? Ndjenjat e mia të dashurisë u kthyen të gjitha në urrejtje. Sezoni im u kthye në një makth të vërtetë sepse nuk kisha nerva të merresha me asgjë dhe s`kisha nerva të shikoja asnjeri. Për fat të mirë, atë s’e pashë askund. Evitoja vendet ku e dija që mund të rrinte sepse s`mund të kontrolloja dot lotët e mi dhe s’doja t`i tregoja sa e doja, megjithëse mendoj se këtë gjë ai e ka ditur gjithmonë. Mora vesh se atë gocën që ka marrë nuk e njihte më parë, mora vesh që ajo ishte një gocë gjimnaziste të cilën me siguri e sillte nga të donte, por ky fakt dihej tashmë. Mora vesh që ishin të lumtur…

Zemra ime qan sa herë që i kujtoj bashkë, edhe pse lotët ia kam mohuar vetes me kohë. A mund të jetë ai vërtet i lumtur me atë njeri kur sa e sa net më ka qarë para syve duke më premtuar dashuri të përjetshme? Unë tani nuk kam më besim fare te meshkujt dhe as s`dua t`ia di për asnjeri. Zemra ime është kthyer në gur, por kurrsesi s`mund t`i harroj kohët e kaluara me të. Vetëm pyes veten: A është i lumtur? Vetëm pyes veten: A më mendon ndonjëherë siç bëj unë?

Ndarja jonë ishte shumë e pakuptimtë, aq sa më ka lënë me pasoja dhe s`më vjen turp ta pranoj që do të më shoqërojë gjithë jetën ndjenja e mosbesimit ndaj meshkujve. Tashmë, ajo tjetra jeton dhe gëzon një njeri që më përkiste mua. Tashmë, ajo është e lumtur në krahët e tij e ndoshta si mua, i premton dashuri të përjetshme. Për një gjë jam e bindur dhe e them me sinqeritet të plotë: Ai njeri, jo vetëm që s’e di ç`do të thotë dashuri, por është një qenie me komplekse dhe s’do të dijë kurrë se çfarë do apo çfarë nuk do. Në fund të fundit, jam e lumtur që nuk përfundova me të. Jam e lumtur që shkoi kështu sepse ai ishte mësimi im dhe njëkohësisht, vuajtja ime për të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *