– Doktor Evi! A mund të më shpjegoni çfarë është sëmundja e prostatës dhe pikërisht, hipertrofia beninje? Një 50 vjeçar.
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog, Poliklinika Qendrore, 0682213329:- – Organet riprodhuese të mashkullit përbëhen nga testet, penisi, vezika seminale dhe prostata. Prostata është një gjendërr që ndodhet direkt nën vezikën urinare e që ka si funksion kryesor formimin e lëngut spermatik. Është një gjendërr që shumë vetë nuk e dallojnë sepse ajo nuk duket, nuk preket me dorë, por as nuk shikohet. Ka një volum afërsisht 30 ml. dhe ka, pak a shumë, formën e një gështenje. Kjo gjendërr mund të dëmtohet dhe të pësojë patologji të ndryshme, por ato më të shpeshtat janë infeksioni e kanceri i prostatës dhe ajo që quhet hipertrofi beninje e prostatës. Në shqip, kjo do të thotë, zmadhimi i mirë i prostatës. Do ta quajmë të tillë, për arsye se kemi edhe zmadhim të keq të saj, në rastet e kancerit të prostatës. Hipertrofia beninje e prostatës është një patologji e hasur shpesh në moshat 40 vjeçare. Me rritjen e moshës, rritet edhe mundësia për zmadhimin e saj. Ky zmadhim vjen në mënyrë të heshtur dhe pacienti nuk ndjen absolutisht asnjë dhimbje.
– Zmadhimi i prostatës ndahet nga ana klinike në tre gradë: Shenja e parë e hipertrofisë së prostatës është ulja e currilit të urinës. Mashkulli, ndoshta edhe pa e kuptuar, urinon diku aty afër, derisa arrin në një fazë që quhet me një shprehje kuptimplotë: “Simptoma e lagies së këpucëve”. Faza e dytë, e cila vjen sigurisht gradualisht, është kur pacienti fillon ta shtojë urinimin natën. Ai shkon shpesh në banjë të urinojë, por nuk e zbraz tërësisht qesen e urinës. Në të ngelet gjithmonë një sasi e konsiderueshme urine, mbi 100 cc. Përveç kësaj, ai fillon të ketë edhe shqetësime të tjera, diegie, infeksione të shpeshta urinare, urinim të shpeshtë ditë e natë. Kështu, vjen faza e tretë kur pacienti bllokohet dhe nuk arrin të urinojë. Urina e sekretuar nga veshkat mbush qeskën e urinës, gjë që çon në bllokimin e kanalit të urinës dhe barku fillon të rritet. Pacienti është i detyruar të shkojë në spital në mënyrë urgjente dhe atje, nëpërmjet kateterit, zbrazet urina nga vezika urinare. Siç e thashë më lart, ky proces vjen në mënyrë të heshtur, me muaj ose vite. Në këtë rast, shkak kryesor është rritja e volumit të prostatës dhe, për pasojë, dëmtimi i sfinkerave të vezikës urinare.
– Mjekimi jepet gjithmonë në bazë të gjendjes dhe stadit të sëmundjes. Fillimisht, pacienti, në stadin e parë, në momentin kur fillon të kuptojë currilin e urinës, duhet të paraqitet te një mjek urolog, në mënyrë që të bëjë ekzaminimin dhe një ekografi të domosdoshme për të përcaktuar gjendjen e tij. Mjekimi bëhet fillimisht me ilaçe nga goja. Tashmë, këto preparate janë të shumta dhe veprojnë në sfinkerin e urinës dhe në indin e prostatës, duke rregulluar urinimin apo duke vepruar vetë në zmadhimin e saj. Nëpërmjet ekos, kuptojmë që një volum mbi 30 mililitra ka filluar. Mjekimi i sotëm me ilaçet që thashë më lart është një sukses i atij koeficienti të madh meshkujsh që kanë fillimet e hipertrofisë së prostatës. Ilaçet janë të shumta dhe me efekt të mirë e të lartë. Gjendja komplikohet në qoftë se pacienti nuk do të mjekohet pranë mjekut dhe mund të shkojë deri në ndërhyrjen kirurgjikale, në stadin e tretë të sëmundjes. Kirurgjia konsiston në ndërhyrjen në prostatë dhe rregullimin e pasojave që sjell vetë zmadhimi i saj. Po ta marrë mjekimin që në stadin e parë apo të dytë, pacienti nuk është i detyruar të shkojë deri në operacion. Operacioni mund të jetë e vetmja rrugë mjekimi, në qoftë se nuk mjekohet atëhere kur duhet.