Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj, jam një nënë 35 vjeçare nga qyteti i Tiranës. Historia ime fillon që në adoleshencë. Linda në një familje tepër të varfër fshatare e për pasojë, kushtet e jetesës ishin shumë të këqija. Që në moshën 10 vjeçare, u detyrova të punoja në bujqësi për të ndihmuar sadopak familjen time. Punoja tokën dhe bëja çfarëdolloj pune që më dilte përpara. Lodhesha shumë, ama nuk kisha ç’të bëja, ishte e pashmangshme. Kjo gjendje vazhdoi derisa u martova me bashkshortin tim aktual, Arbenin, i cili jetonte diku pranë fshatit tim, por punonte në Tiranë, që do të thoshte se, pasi të martoheshim, kishte shumë mundësi që ne të dy të zhvendoseshim në Tiranë për të ndërtuar familjen tonë. Në fakt, ashtu ndodhi. Pasi u martuam, unë dhe Arbeni u zhvendosëm në Tiranë për të jetuar në një shtëpi me qira, derisa të blinim një shtëpi tonën. Arbeni punonte në ndërtim dhe merrte një pagesë të mirë, por jo të mjaftueshme për të blerë një shtëpi e për pasojë, duhet të kursenim pak, megjithatë unë isha shumë e lumtur pasi kisha nje bashkshort punëtor, që më donte dhe që kujdesej për mua. Nga ana tjetër, unë nuk po vuaja dhe po lodhesha siç bëja dikur kur jetoja në fshat. Pas një viti martesë, linda fëmijën e parë e cila ishte vajzë. Të dy u lumturuam shumë me ardhjen e saj në jetë, ishte një fëmijë i shëndetshëm që e bëri më të plotë familjen tonë të vogël. Ditët kalonin, vajza rritej dhe ne jetonim shumë të lumtur. Pasi Ana u bë 3 vjeçe, unë solla në jetë fëmijën tonë të dytë e cila përsëri ishte vajzë dhe që ne e pritëm me gëzim dhe emrin ia vendosëm Gena. Pas lindjes së Genës, shpenzimet tona filluan të shtoheshin, por përsëri vazhdonim të jetonim shumë të lumtur me vajzat tona derisa edhe për ne filluan problemet.
Gena, njësoj si Ana, ishte një fëmijë i shëndetshëm, por kjo gjendje zgjati deri në moshën dyvjeçare sepse pikërisht në këtë moshë ajo nisi të shfaqte shenja se zhvillimi i saj nuk po ecte siç duhej. Vajza, deri në ato momente na kishte kuptuar kur i flisnim dhe thoshte edhe vetë ndonjë fjalë, por që nga ajo moshë, Gena nisi të mos fliste më dhe as nuk na kuptonte kur ne flisnim me të. Të gjithë e vumë re këtë problem të saj, por nuk e çonim te mjeku sepse si të gjithë prindërit, edhe ne e kishim të vështirë ta pranonim atë që po i ndodhte vajzës sonë. E duruam këtë gjendje për rreth një vit rresht, por pas një viti unë nuk durova më dhe e binda Arbenin ta çonim te mjeku specialist për zhvillimin mendor. E çuam atje dhe doktori na dërgoi t’i bënim disa analiza gjaku. I bëmë dhe ia çuam rezultatet, por doktori tha se gjithçka ishte në rregull me ato. Pas kësaj, na dërgoi t’i bënim një kontroll të përgjithshëm, analizat, eko e gjithçka që duhet për një kontroll total. Morëm përgjigjet dhe shkuam përsëri te mjeku. Ai i pa me vëmendje dhe na tha që duhet të shkonim pas disa ditësh pasi ai ato pergjigje duhet t’i diskutonte së bashku me kolegët e tjerë. U larguam dhe pritëm me padurim derisa të vinte dita për te shkuar përsëri. Erdhi dita dhe së bashku me Arbenin shkuam te doktori. U ulëm përballë tij dhe po prisnim me padurim atë që ai do të na thoshte. Doktori tha: “Analizat kanë dalë të gjitha në rregull, vajza juaj nuk ka asgjë që unë apo mjekët e tjerë mund ta shërojmë. Pas diskutimit që bëmë, të gjithë mendojmë se ajo ka një vonesë në zhvillim, asgjë më tepër. Do ta shikoni që shumë shpejt ajo do të nisë të flasë dhe të bëjë atë që bën çdo fëmijë i moshës së saj”.
Fjalët e tij na qetësuan ne të dyve dhe familjet tona të cilat qenë shqetësuar shumë për atë që po i ndodhte vajzes sime, ama ditët kalonin dhe Gena vazhdonte të mos fliste, madje ajo çdo ditë harronte diçka që e kishte bërë më parë; dukej sikur zhvillimi i saj nuk po përparonte, por po shkonte pas.
Kjo gjë më shqetësonte shumë, por Arbenit nuk ia thoja sepse s’doja ta shqetësoja, duke menduar se ishte vetëm imagjinata ime dhe se zhvillimi i vajzës po ecte përpara. Kaloi kështu edhe një vit tjetër dhe Gena vazhdonte të mos fliste, të mos na kuptone e të mos njihte asnjeri, as mua si nënën e saj. Kjo gjendje po më shqetësonte shumë ndaj e binda Arbenin ta çonim te një mjek për ta kontrolluar, por edhe ai na tha të njëjtën gjë. Pas tij e çuam te një mjek tjetër e kështu me rradhë, e çuam te shumë mjekë në Tirane, Durrës, nëpër spitale private dhe te çdo mjek i huaj që vinte në Shqipëri, por të gjithë të njëjtën gjë na thonin.
Përpos mjekëve, e dërgova në shumë besimtarë sepse mendonim se mund t’i kishin bërë magji, por asgjë s’po funksiononte. Kjo gjendje po shkatërronte gjithçka; së pari po na shkatërronte neve si prindër emocionalisht, vajzën e madhe për të cilën tashmë po kujdeseshim shumë pak, po shkatërroheshim ekonomikisht sepse çdo mjek, vizitë mjekësore apo analizë kërkonte para. Familjarët tanë mundoheshin të na ndihmonin me aq sa mundeshin, por as ata nuk kishin faj sepse kishin edhe familjet e tyre. Çdo ditë që kalonte ishte një mankth për mua; çdo doktor që takonim ishte një shpresë më pak që vajza jonë të bëhej njeri normal. Ditët i kaloja duke qarë e vajtuar për fatin e vajzës sime i cili dukej se tashmë ishte vendosur. E vetmja gjë që na këshilluan mjekët ishte ta dërgonim në një kopësht posaçërisht për të tillë fëmijë. Aty kujdeseshin për ta dhe u bënin ushtrime për zhvillimin mendor. E gjeta këtë qendër, e dërgoja dhe e merrja nga aty çdo ditë, gjë që e bëj edhe sot e kësaj dite. Pasi u sistemuam pak me Genën duke e dërguar aty ku na premtuan se vajza një ditë do të bëhej e zonja e vetes, unë ngela shtatzënë përsëri dhe linda djalë. Emrin ia vumë Ardi. Gjatë periudhës së shtatzanisë, i kisha bërë të gjitha anlizat në mënyrë që të shmangnim mundësinë që sëmundja e Genës të ishte e trashëgueshme, por gjithçka doli në rregull. Sapo lindi, i bëmë Ardit edhe shumë analiza të tjera për të shmangur çfarëdolloj gjëje, por gjithçka doli në rregull. Tashmë dukej sikur gjendja ishte më e mirë sepse Ana ishte në shkollë, Gena sikur po e merrte pak veten edhe pse me hapa shumë të ngadaltë, djali ishte shumë mirë dhe gjendja jonë ekonomike sikur po përmirësohej, edhe pse vazhdonim të jetonim me qira pasi çdo kursim e kishim konsumuar me vizitat e vajzës. Por as këtë herë unë s’do të isha e lumtur. Nuk e kuptoj se pse duhet të më ndodhin mua të gjitha!…
Në moshën 3 vjeçare, Ardi nisi të shfaqte shqetësime shëndetësore. Në fillim u ftoh, pastaj u rrëzua nga krevati dhe theu dorën e pas këtyre, ai nisi të qante çdo natë me orë të tëra. E çuam te mjeku i cili na udhëzoi t’i bënim kontroll të përgjithshëm dhe pasi bëmë të njëjtat gjëra që bëmë edhe me vajzën, doktori na tha se Ardi kishte një sëmundje që i kap të gjithë fëmijët e vegjël, epilepsi (sëmundja e tokës) dhe se do t’i kalonte shumë shpejt me mjekimet që ai do të na jepte. Fjalët e tij më qetësuan shumë. Kështu vazhdoi jeta ime duke u kujdesur për djalin se mos e kapte sëmundja, duke dërguar Anën në shkollë, Genën në kopshtin e saj dhe duke u munduar që edhe në shtëpi t’i mësoja ndonjë gjë vetë vajzës sime të sëmurë, ta angazhoja në punë që të mësohej. Pra, edhe pse nuk punoja, lodhesha shumë dhe vuaj shumë për fatin e fëmijëve të mi. Kaluan muaj dhe Ardi nuk po shërohej, madje sëmundja e tij sikur po avanconte. E çuam përsëri për kontroll, por tashmë te një mjek italian i cili na dërgoi menjëherë t’i bënim rezonancën e kokës. E bëmë dhe ia dërguam mjekut. Pasi e pa me kujdes dhe e diskutoi me ca kolegë, ai u drejtua nga ne dhe na tha se duhet të ishim më të fortë se kurrë pasi Ardi, djali im i vetëm, kishte tumor në kokë. Ky lajm më turbulloi të gjithën dhe nisa të bërtisja me të madhe:
– Jo, djali im! Jo ai… nuk mund të jetë e vërtetë! Joooo…!!!!
Mjeku më mori dhe më bëri një qetësues. Kur u zgjova, isha më e qetë dhe i kërkova doktorit që të më shpjegonte me hollësi dhe pa më fshehur asgjë se çfarë kishte djali im dhe çfarë mund të bëhej për të. Ai më tha se duheshin analiza të tjera për të parë se çfarë mund të bëhej me të. I bëmë të gjitha ato që duheshin dhe përfundimi ishte se ai duhet të operohej, por këtu askush nuk e merrte përsipër. Kemi shkuar nga doktori në doktor dhe askush nuk po e merr përsipër rastin e tij. Shpresat se ai mund të operohej këtu u shuan, por motra ime që jeton në Gjermani më premtoi se do të më ndihmonte dhe ajo u fut në kontakt me një mjek gjerman, një ndër më të mirët atje. Ai i kërkoi që t’i dërgonim nga këtu të gjitha analizt që i kishim bërë Ardit. Ia dërguam dhe pasi i kishte parë me vëmendje, ai na tha se e merrte përsipër operacionin e djalit, por vetëm nëse ne e çonim atë atje sa më shpejt. Në të njëjtën kohë, analizat e djalit i dërguam edhe në Itali dhe nga aty na erdhi përgjigjja që nëse djali operohet, ai do të jetë në rrezik jete, prandaj është më mirë të vazhdojë vetëm me mjekime. Pra, dy mjekë shumë të mirë, na japin mendime krejtësisht të kundërta…
Ne tashmë s’po dimë ç’të bëjmë, ndërkohë që djali nga dita në ditë bëhet akoma më keq dhe e ka ndërprerë tërësisht zhvillimin e tij. Nuk kupton thuajse asgjë dhe është bërë më keq se Gena. Mundësi ekonomike për ta dërguar jashtë shtetit nuk kemi dhe nga ana tjetër, mjekimet që ai merr janë shumë të shtrenjta e kam frikën se një nga këto ditë s’do të mund t’ia blejmë ilaçet për të cilat ai ka nevojë. Situata që po kaloj po më çmend. Çdo ditë që kalon është një sfidë më vete, është një ditë më pak jete për djalin tim dhe mbase një ditë më pak zhvillimi për vajzën. Nga ana tjetër, siç ju thashë edhe pak më lart, gjendja ekonomike sa vjen e përkeqësohet, ndërkohë që nevojat tona sa vijnë e rriten. Të afërmit mundohen shumë duke na ndihmuar me sa kanë mundësi, madje na kanë premtuar se në qoftë se vendosim ta dërgojmë djalin jashtë shtetit, ata do të na ndihmojnë për t’i siguruar paratë, por ne akoma s’e kemi vendour çfarë do bëjmë, pasi askush nuk po na jep një përgjigje përfundimtare dhe 100% të saktë. Nuk e kam idenë se çfarë do bëhet me mua, me familjen time, me fëmijët e mi. Kjo jetë nuk paska qenë për mua dhe shpesh pyes veten se çfarë kam bërë që të meritoj gjithë këtë vuajtje apo ndoshta ky ishte fati im te cilin e vendos dikush tjetër dhe unë nuk kam asnjë të drejtë të ankohem…
Nuk e di më se çfarë të mendoj për veten, për jetën time, për familjen time, për të ardhmen që e pret Anën, se a do të jetë në gjendje Gena që kur unë mos të jem më në këtë jetë, ajo të kujdeset për veten, se a do jetë Ardi në të ardhmen time apo… s’dua as ta mendoj, por ja që është diçka që mbase unë nuk do të mund ta shmang dot me dashurinë e madhe që ka nëna për fëmijën. Gjithçka është një kaos në jetën time dhe s’e di se si do të shkojë. Këtë jetë nuk ia uroj as hasmit sepse është e tmerrshme…