Dashuria të bën vërtet të vuash, sidomos atëhere kur edhe persona të tjerë ndikojnë në marrëdhënien tënde. Fatleqësisht, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me mua. Jam Albana dhe kam lindur në Tropojë. Dihet se Tropoja është një qytet ku nuk mund t’i shpëtosh paragjykimit. Para se të vija të jetoja në Tiranë bashkë me familjen, atje kisha një lidhje me një djalë. Ai është pesë vjet më i madh se unë. Familja jonë e mori vesh për ne vetëm pas 6 muajsh. Kjo do të ishte edhe një goditje e fortë për ne të dy. Pasi babai mësoi se kush ishte djali, u nevrikos shumë dhe më tha: “Ti, nuk do ta takosh më atë djalë”. Unë i kërkoja një shpjegim, por ai nuk më jepte asnjë. Vetëm më vonë mora vesh nga ime më se me djalin me të cilin doja të fejohesha, ishim kushërinj të largët. Në fillim u tmerrova sepse mendova se kisha shkuar me kushëririn por më vonë, edhe duke marrë informacion mësova se nuk përbënte problem nëse ne do ta vazhdonim lidhjen tonë. Edhe Arjani ishte në dijeni të asaj që po ndodhte dhe ishte edhe ai shumë i mërzitur me familjen e tij. Babi i tij ia kishte ndaluar gjithashtu, të takohej me mua. “Nëse e takon përsëri atë vajzë, mos u kthe më në shtëpi”, i kishte thënë. Asnjë nuk mund të na kuptonte. Kishim vetëm njëri-tjetrin dhe duhet të mendonim se çfarë duhet të bënim. Të dy dëshironim shumë ta vazhdonim lidhjen, por familjet tona ishin bërë tashmë një pengesë shumë e madhe për ne. Nuk po na linin të jetonim dashurinë tonë, por po e vrisnin atë. Fakti që ne ishim kushërinj të gjashtë, i bënte të mos ia dinin fare për ndjenjat tona, megjithëse kjo nuk përbënte një problem në lidhjen tonë. Por, përsëri ne nuk u dorëzuam, pavarësisht se koha deshti të na ndante në largësi. Familja ime vendosi të shpërngulej në Tiranë. Unë nuk doja, por kush donte t’ia dinte për atë që doja unë. Askush nga familja ime nuk ma vinte veshin, kur bëhej fjalë për Arianin. Ata e kishin thënë fjalën e fundit dhe donin që të bëhej ashtu siç donin ata. Javët e para në Tiranë ishin shumë të vështira për mua, megjithëse flisja shpesh në telefon me Arianin. Flisnim fshehurazi gjithnjë. Ariani më tha se babai ia kishte ndaluar ardhjen në Tiranë ose nuk do të kthehej më në shtëpinë e tij. Nuk dinim ku të kërkonim pak mbështetje dhe mirëkuptim. Arianin e doja shumë; po ashtu edhe ai mua. Madje vinte më takonte edhe këtu në Tiranë ndërkohë që familjes i thoshte se do takonte shokun e tij të ngushtë i cili jetonte gjithashtu në Tiranë. Takoheshim rrallë dhe i mungonim shumë njëri-tjetrit. Ariani më thoshte se nuk mund të vazhdonte më kështu. Largësia po ia vështirësonte çdo gjë. Një ditë më tha se kishte vendosur të shkonte në Greqi dhe pastaj të më merrte edhe mua me vete. Unë nuk doja që ai të shkonte edhe më larg, por nëse kjo do të shërbente për të mirën tonë, isha dakord. Kishte momente që lodhesha shumë edhe unë nga kjo situatë, por e gjeja forcën për të vazhduar para në dashurinë që kisha për Arianin. Babi im, me sa duket, dyshonte se unë dhe Ariani flisnim ose takoheshim, prandaj edhe po mundohej të më fejonte. Unë nuk doja asnjë përveç Arianit dhe ai e dinte shumë mirë këtë, por problemi i tij ishte vetëm opinioni i njerëzve. Familjen time e vriste shumë opinioni dhe nuk donin që të përfliteshin. Pranonin edhe që fëmija i tyre të mos ishte i lumtur, dhe ata të jepnin përshtypjen e famijes së mirë dhe me parime para të tjerëve, por unë nuk doja t’ia dija për të tjerët nëse vetë do të isha në rregull dhe e lumtur. Më kishte ardhur në majë të hundës sjellja e tim eti i cili donte të më fejonte me zor, por edhe ime më nuk më kuptonte sado që kisha shpresa se ajo do të mbante anën time, por jo. “Unë nuk do të jem kurrë dakord me këtë lidhje. Ka djem të tjerë sa të duash dhe nuk duhet të mendosh më për atë djalë. Nuk e kupton që po gabon sepse sado i largët, ai mbetet kushëriri yt?”. “Mami, nuk e kupton se jemi kushërinj shumë të largët?”, i thashë, por më kot. Ajo e kishte mendjen të mbledhur top se isha unë ajo që po gaboja, prandaj edhe nuk e merrja më mundimin që të flisja me të për këtë çështje apo t’i ktheja përgjigje kur ajo më pyeste. Ariani iku në Greqi dhe unë isha shumë e shqetësuar për të. Nuk më rrihej fare në shtëpi, prandaj pasi mbaroja mësim në fakultet, shkoja në punë. Doja ta kaloja gati gjithë kohën jashtë shtëpisë. Tashmë, bashkimi ynë ishte vetëm pjesë e imagjinatës sime. Largësia po më bënte të vuaja shumë. Qaja fshehurazi sepse kisha nevojë të shfryhesha diku. Sa herë që flisja me Nuk më rrihej fare në shtëpi, prandaj pasi mbaroja mësim në fakultet, shkoja në punë. Doja ta kaloja gati gjithë kohën jashtë shtëpisë. Tashmë, bashkimi ynë ishte vetëm pjesë e imagjinatës sime. Largësia po më bënte të vuaja shumë. Qaja fshehurazi sepse kisha nevojë të shfryhesha diku. Sa herë që flisja me Arianin, më mbante me shpresën se një ditë do të kthehej dhe do të më merrte me vete. “Po mundohem që të siguroj një të ardhme për ne të dy”, më thoshte. Unë e besoja sepse e dija që ai nuk do të më harronte kurrë. Po kalonin vite dhe tani unë isha mësuar me këtë gjendje. Shumë shpejt m’u kthye buzëqeshja sepse Ariani u kthye vërtet një ditë. U takuam fshehurazi familjeve, si gjithmonë. Më kishte marrë malli shumë. Ai kishte ndryshuar, kishte marrë pamjen e një burri të pjekur. “E dija që do të ktheheshe, e mbajte premtimin”, i thashë. Tani, atje, në Greqi kishte një shtëpi dhe një punë. Kishte arritur t’i siguronte të gjitha këto me shumë mundime, vetëm për ne të dy. Familjen e tij nuk e kishte vizituar akoma. Unë isha e para që po e takoja pasi kishte ardhur. Të nesërmen do të shkonte në Tropojë për të parë familjen e tij e pastaj, pasi ai të kthehej në Tiranë, kishim vendosur të bënim celebrimin për të siguruar bashkim familjar në Greqi. Nëse kjo do të realizohej, ne do të ishim shumë të lumtur, por, kaluan dy javë dhe Ariani nuk po kthehej nga Tropoja. U frikësova se çfarë mund t’i kishte ndodhur, prandaj edhe i telefonova. Më tha se i kishte vdekur babai, prandaj nuk mund të vinte dhe ta linte nënën e tij vetëm. Duhet të ndodhte patjetër diçka që të na pengonte përsëri. Më vinte shumë keq për babain e tij, pavarësisht se nuk ishte dakord për ne të dy. Vdekja e tij ishte një humbje e madhe për familjen e Arianit. Ariani po jetonte në Tropojë dhe po i qëndronte afër nënës së tij. Unë këtej përballesha me ankesat e prindërve të mi dhe me përpjekjet e tyre për të më fejuar. Nuk e kuptonin se po gabonin rëndë me mua, por kur ata ta kuptonin, do të ishte shumë vonë. Po luftoja vazhdimisht për të mbrojtur dashurinë time pa e ditur se çfarë përfundimi do të kishte ajo, por e ndjeja se po bëja gjënë e duhur, megjithëse po kundërshtoja edhe familjen time. Nuk ndihesha aspak fajtore për këtë, për sa kohë ata nuk më kuptonin. Një jetë kisha dhe kisha të drejtat e gjithë botës për të qenë e lumtur me njeriun që dashuroja. Familja ime, pavarësisht se mendonte se po mundohej për të mirën time, nuk kishte të drejtë të më pengonte për të qenë e lumtur. Gëzimi im i vetëm për ato kohë ishin momentet e bukura që kisha kaluar me Arianin. Pse po vuaja aq shumë për të qenë e lumtur? Ëndërroja edhe unë të krijoja familjen time një ditë dhe isha aq e rritur sa të vendosja vetë për veten time. Doja të isha e pavarur dhe, edhe nëse gaboja, ta mbaja vetë përgjegjësinë për çdo gjë dhe jo të isha vazhdimisht nën presionin e familjes. Kur mendova se Ariani kishte ndërruar mendje, ai u kthye. E ëma i kishte kërkuar që t’i premtonte se nuk do të më takonte më sepse edhe i ati këtë gjë dëshironte. Ai, megjithëse i kishte premtuar, përsëri më takoi. “Të dua dhe nuk mund të rri pa të parë”, më tha. Bëmë celebrimin në fshehtësi të plotë pa e marrë vesh asnjë nga familjet tona. Ishte një emocion i madh për mua në momentin që firmosa dhe statusi im ndryshoi. Sytë m’u mbushën me lot nga gëzimi se po martohesha me njeriun që doja. Futëm letrat për bashkim familjar dhe Ariani iku përsëri në Greqi sepse e kishte lënë punën shumë pas dore. Kësaj radhe, isha më e qetë pas ikjes së tij sepse e dija që na lidhte diçka shumë e fortë; ishim të martuar zyrtarisht. Tani mbetej vetëm dalja e letrave dhe ne do të bashkoheshim përgjithmonë. Nuk e dija nëse duhet t’ua thoja prindërve në momentin që do të largohesha apo t’ua thoja pasi të kisha kaluar kufirin. E dija që ata do të më pengonin, prandaj mundësia e dytë ishte më e përshtatshme. Ata e shihnin që unë isha më e lumtur se më parë, por nuk e kuptonin pse. Edhe unë e mbaja gojën kyçur, nuk mund të flisja për asgjë sepse kjo ishte një çështje mjaft delikate nga e cila varej e ardhmja ime. Flisja me Arianin dhe e stresoja edhe atë, duke e pyetur vazhdimisht se kur mund të dilnin letrat. E dija se kisha bërë zgjedhjen e duhur që u martova me të sepse nuk jam penduar për asnjë çast. E dua si më parë, madje mund të them, edhe më shumë se më parë. Ai ishte mashkulli që do të dëshironte çdo femër. Merrte përgjegjësitë që i takonin për t’i siguruar familjes një të ardhme të sigurtë, ndërkohë që shumë moshatarë të tij mendojnë akoma për aventura. Pas shtatë muajsh, dolën edhe letrat. Nuk po më besohej kur më njoftuan. U lumturova jashtë mase. Ia thashë menjëherë Arianit i cili duhet të kthehej që të më merrte edhe mua. Tani që e kisha të sigurtë ikjen, u mërzita se do të largohesha nga familja ime. Ata nuk dinin akoma asgjë. Nuk e dinin se vajza e tyre do të largohej pa e ditur ata dhe se ishte martuar me personin që ata as nuk do ta besonin kurrë. Të gjitha këto kisha arritur t’i bëja nga dashuria e madhe dhe shpresoja që familja ime ta pranonte këtë. Bëra gati valixhen pa më parë askush dhe dola për të takuar Arianin, i cili më priste në aeroport. Më në fund, ëndrra jonë po realizohej. Prindërit nuk i kisha takuar fare, por u telefonova sapo arritëm në Athinë. Mami m’u përgjigj në telefon dhe u bë shumë keq kur i tregova nga po i telefonoja. Filloi të qante dhe më pyeste se pse ua kisha bërë këtë. Nuk mund të isha martuar me Arianin sepse nuk mund të krijoja familje me të. Ata akoma nuk më kuptonin, prandaj iu përgjigja shkurt se isha e lumtur dhe uroja që një ditë të më kuptonin. Kështu, nisa një jetë të re me Arianin. Krijova familjen time falë këmbënguljes që kisha treguar gjatë gjithë kësaj kohe. Të dy kishim luftuar për të qenë të lumtur. Fanmiljet tona akoma nuk e pranojnë martesën tonë. Ata nuk e falin faktin që ne jemi martuar kundër vullnetit të tyre. Tani jam mësuar me jetesën në Greqi dhe nuk jemi kthyer akoma në Shqipëri. Pavarësisht atyre që thonin prindërit tanë, fëmijët dolën shumë të shëndetshëm. I gjithë ai kundërshtim ishte vetëm nga frika e opinionit. Më vjen shumë keq që prindërit tanë jetojnë akoma për të tjerët duke ndrydhur kështu veten dhe jetesën e tyre. Fati im i keq ishte se linda në një qytet të vogël ku gjykimi i të tjerëve merrej shumë parasysh, por pata fatin të provoja lumturinë. Asgjë nuk është e gabuar nëse bëhet në emër të dashurisë. Kur dy njerëz duhen, asgjë nuk duhet ta ndalojë dashurinë e tyre. Pavarësisht se kjo më ndodhi mua, nuk u dorëzova kurrë derisa arrita të isha me Arianin. Prita me vite, durova shumë fjalë dhe paragjykime, për të qenë këtu ku jam sot. Familja ime mendon se e kam mohuar, por jo. Ata mbeten akoma familja ime dhe janë shumë të rëndësishëm për mua, pavarësisht se nuk e kuptojnë. Pas shumë kohësh, i kam takuar dhe akoma qëndrojnë me atë shprehjen në fytyrë. Më duket sikur duan të më thonë që kam gabuar, por nëse ky “gabim” më bën të lumtur, do të vazhdoj të jetoj me të.
Advertisement