Si çdo jetë njeriu, kafshe, bime, si të gjitha fenomenet shoqërore, natyrale, edhe familja ka ciklin e jetës së vet. Kjo dihet, por ajo që shpeshherë harrohet është e vërteta se çdo periudhe zhvillimi në jetën e familjes ka problemet e veta të veçanta dhe se cikli i jetës së një familjeje, nuk është gjë tjetër veçse një ndryshim i përhershëm ngjarjesh dhe periudhash, të cilat në një formë apo në tjetrën, i kalon çdo familje, se problemet familjare, s’janë veçse disa shkelje dhe çrregullime të marrëveshjes së bashkëshortëve, pikërisht në një stad të caktuar të ketij cikli. Nuk është sekret për askënd se familjet me stazh 20-vjeçar dallohen shumë nga të sapoformuarat apo ato që kanë vetëm dy-tre vjet jetë. Sigurisht, si edhe në jetën shoqërore në përgjithësi, familja mund “ta djegë” ndonjë etapë, si bie fjala, lindjen e fëmijës, por pothuajse të gjitha ngjarjet e tjera janë të pandryshueshme dhe të njëllojta, ashtu sikurse edhe vetë mosha e njerëzve. Në mënyrë pak a shumë konvencionale, ciklet e jetës së një familjeje, sociologët i ndajnë në shtatë faza…
1. Periudha e njohjes, e dashurisë, e fejesës dhe e bashkimit të dy njerëzve në
familje.
2. Periudha e jetesës së dy bashkëshortëve para lindjes së fëmijëve.
3. Faza e familjes me një fëmijë të vogël, ose triadha, siç quhet.
4. Faza e pjekurisë së familjes, pra, e stabilizimit të saj.
5. “Faza e rritjes dhe e largimit të fëmijëve nga foleza e vjetër”.
6. Faza e “folezës bosh”…
7. Faza e fundit, kur njëri nga parnerët vdes dhe lë vetëm partnerin tjetër.
Periudha e dashurisë, fejesës, krijimit të familjes…
Sipas përfundimit që kanë nxjerrë sociologët, për ta kaluar sa më mirë këtë fazë, është e nevojshme që dy të rinjtë të zgjidhin disa detyra: Së pari, si vajza, ashtu edhe djali, duhet të fitojnë pavarësinë e plotë nga prindërit e tyre përsa u përket problemeve emocionale dhe ekonomiko-financiare, të fitojnë përvojën e duhur që të kujdesen tanimë për veten e tyre dhe njëri-tjetrin, ta tërheqin njeri-tjetrin, të kenë, pra, një status adekuat me moshën e tyre. Kjo është një periudhë shumë e rëndësishme si për zhvillimin psikik individual, ashtu edhe për zhvillimin e mëtejshëm të “krijesës së tyre”, familjes së re.
Periudha e dytë, vitet kur partnerët bashkëjetojnë pa fëmijë
Sipas studimeve të sociologëve, pikërisht në këtë periudhë fillojnë krizat e para familjare, sidomos kur fillon diskutimi për rregullat dhe mendimet që ka njëri dhe tjetri për këtë mënyrë jetese. Ka disa rregulla për të cilat ata merren vesh lehtë, por ka të tjera që nxjerrin probleme dhe vështirësi në fillim për njërin nga bashkëshortët e pastaj, edhe për çiftin, familjen. Është në të mirën e familjes që ata të dy të përcaktojnë mirë deri në imtësi detyrat e tyre: Nga kush dhe kur do të lahen enët, kush do të psonisë, si do t’i sigurojnë të ardhurat? Më të vështira paraqiten sidomos diskutimet për disa çështje më të thella dhe më të rëndësishme. Ja ç’thotë një psikolog i shquar për pacientët e tij që kalonin këtë fazë: “Stefani, 26 vjeç, ishte mësuar që e ëma t’i priste atë dhe të atin, pra, bashkëshortin e saj, me tavolinën shtruar, me gjellën e ngrohtë mbi sobë, ndërsa Irina, e shoqja, ishte rritur në një familje tjetër, ku pjesëtarët e familjes nuk hanin kurrë një vakt bashkë. Ata kalonin së bashku vetëm ditët e pushimit, kur në shumicën e rasteve hanin jashtë, ndërsa në familjen e Stefanit, nuk hanin kurrë në restorant apo në lokale të tjera. Edhe kur dilnin piknik, gjellën e merrnin të gatshme nga shtëpia ose e përgatisnin atje, në natyrë… Secili ngulte këmbë në të tijën dhe shkoi puna deri te këshillimet me mua. Stefani kishte arritur në përfundimin se Irina nuk e donte, se, “po ta donte, sikurse donte e ëma e tij bashkëshortin e vet, do t’i përgatiste një gjellë të ngrohtë”, etj. Në këtë përfundim kishte arritur edhe e shoqja nga ana e saj, përderisa ai “kishte filluar të ankohej kësisoj”… M’u desh, vazhdon psikologu, t’i sqaroj dhe u dhashë vetëm një këshillë: Tani ju keni krijuar familjen tuaj. Përcaktojini vetë rregullat, natyrisht, duke i bërë ndonjë lëshim njëri-tjetrit… Le të bëjë secili punët për të cilat i vjen ndoresh më mirë, mjafton që detyrat të jenë të përcaktuara dhe të ndara në mënyrë të barabartë, me drejtësi…”.
Cikli jetësor i familjes, në fazën kur ajo shtohet
Kjo është një periudhë kur kriza mund të thellohet dhe ndryshon vetë struktura e familjes (ishin dy; u bënë tre). Mirëpo, me lindjen e fëmijës apo të fëmijëve, në familje ndryshon jo vetëm struktura e saj, por gjithçka, gjithë mënyra e jetës. Në këtë fazë, burri dhe gruaja nuk janë vetëm bashkëshortë që kanë krijuar një familje të re, kanë njëri-tjetrin dhe i përkushtohen vetëm njëri-tjetrit, por janë edhe prindër të një fëmije që kërkon çdo gjë prej tyre. Preokupacionet dhe përgjegjesia tek ata rriten, ndërsa koha në dispozicionin e tyre mbetet po ajo ose shkurtohet shumë. Po kështu, shtohen shpenzimet, ata do të kenë më pak para dhe kryesorja, më pak gjumë për të ripërtëritur forcat. Fëmija nuk i sjell familjes vetëm gëzim dhe lumturi, por e shndërron këtë fazë në një provim të madh për secilin nga partnerët në veçanti dhe për të dy së bashku dhe familjen e tyre në tërësi. Ja ç’thotë një baba i ri: “Pas lindjes së fëmijës, më dukej sikur ime shoqe nuk e çante më kokën për mua, nuk përkujdesej, gjithë vëmendja dhe ndjenjat e saj u përqendruan te fëmija, madje më dukej sikur edhe problemet e higjienës dhe pastërtisë së shtëpisë ajo i vinte mbi të gjitha kërkesat dhe nevojat e mia. E kuptoja se kjo ishte e nevojshme, por sa ishim vetëm ne të dy, nuk kisha menduar kurrë se do të arrinte puna gjer atje sa të mos përfillesha prej saj në këtë farë mënyre dhe të mos më përkushtonte mua asnjë grimë të vëmendjes së saj. Ajo, gjithë ditën e ditës lante, fshinte, merrej me gjithfarë vogëlsirash, vetëm për mua të mos kujdesej, veçse me mua të mos rrinte…”. Ndërsa e shoqja e tij, nga ana e vet, i kishte pohuar psikologut të saj: “Asokohe, e dhënë tërësisht pas fëmijes, unë as që e kuptoja se im shoq e përjetonte në këtë mënyrë lindjen e fëmijës, nuk më shkonte as ndërmend se ai vuante përbrenda dhe s’dinte si të vepronte… Vonë e mora vesh se ishim në prag të ndarjes…”. Të gjitha këtyre mund t’u shtohet edhe e veçanta tjetër e kësaj periudhe, kur gruaja kërkon vetërealizimin e saj si nënë dhe ka xhelozi për pjesëmarrjen e të shoqit në jetën aktive shoqërore, nga e cila ajo është shkëputur… Po kështu, mund të lindin probleme me prindërit e të dyja palëve sepse secili kërkon të japë kontrubutin e vet në rritjen e bebes dhe “u mbijnë në sy gjithë kohën”…
Është e qartë se edhe problemet që shfaqen në këtë periudhë, mund të zgjidhen vetëm duke u kuptuar nga secili ndryshimet dhe, në radhe të parë, duke ndarë detyrat sipas rolit që mund dhe duhet të luajë njëri dhe tjetri prind në mbarëvajtjen e familjes së shtuar… Natyrisht, duhet marrë parasysh në radhë të parë prirja e secilit dhe veçantitë e gjinisë, sepse sado i prirur të jetë babai, ai nuk i jep dot kurrë gjoks bebes së vogël.
Faza e stabilitetit në familje
Zakonisht, kjo fazë në jetën e familjes vjen njëkohësisht me “krizën” e moshës së mesme të bashkëshortëve. Dhe, kjo “krizë”, siç dihet, karakterizohet nga një kombinim i mundësive të mëdha me kufizime serioze. Të dy partnerët kanë fituar një përvojë të madhe jetësore, kanë zënë në shoqëri një pozitë të caktuar, por nuk janë aq në gjendje sa t’u përshtaten ndryshimeve të kushteve ekonomike dhe, meqë e kanë të vështirë të ndryshojnë diçka, e lënë jetën të vazhdojë “ashtu siç u vjen”, pavarësisht nëse u pëlqen ajo jetë apo jo. Një faktor tjetër tipik që u sjell njerëzve kjo fazë është përkujdesja për prindërit e tyre pleq dhe përjetimi i vdekjes së tyre…
Fëmijët fillojnë të “braktisin” folezën prindërore…
Kjo është faza kur kriza familjare acarohet më shumë se çdo herë tjetër. Prindërit shikojnë se atyre u janë “mbaruar fjalët” dhe s’kanë ç’t’i thonë njëri-tjetrit… Fëmijët martohen dhe zakonisht, largohen nga foleza e vjetër. Në këtë periudhë, për dreq, nxjerrin krye të gjitha kundërshtitë që gjatë viteve ishin fashitur nga telashet që sillte lindja, rritja, arsimimi dhe sistemimi i fëmijëve në jetë, fillojnë “fërkimet” dhe grindjet. Në shumë vende, pikërisht në këtë moshë, divorcet arrijnë kulmin.
Faza e fundit e ciklit në jetën e familjes
Dalja në pension i acaron edhe më shumë problemet midis bashkëshortëve, lind nevoja e veçimit nga njeri-tjetri, dalin veç, flenë veç. Shpesh, në këtë periudhë, njëri nga bashkëshortët sëmuret dhe tjetrit i duhet t’i shërbejë, mirëpo ai mezi hedh këmbët për vete… Kalojnë ca kohë kështu “hiq e mos e këput” dhe një ditë të bukur, njëri nga bashkëshortët ndahet përgjithmonë dhe tjetri mbetet vetëm. Fillon faza e vetmisë dhe këtu është fundi i familjes…
Ja, pra, ne pamë se në çdo fazë të jetës së familjes bashkëshortët kishin rrezik të ndaheshin, ashtu sikurse kishin mundësi t’i forconin më te familjen dhe marrëdhëniet midis tyre, kështu që, si përfundim, mund të themi: Bashkëshortët e kanë në dorën e tyre t’i kapërcejnë krizat bashkarisht. Rëndësi ka fakti që ata të mos mbyllin sytë para realitetit duke menduar se kundërshtitë do të kalojnë vetë. Shkrimtari i madh rus Leon Tolstoi, ka shkruar: “Neve gjithmonë na duket se të tjerët na duan pasi jemi të mirë dhe nuk na shkon kurrë ndërmend se janë të mirë ata që na duan”. Familja na bashkon. Në familje ne e duam njëri-tjetrin, kujdesemi për njëri-tjetrin. Familja është pikërisht si një organizëm i gjallë njerëzor, i përbërë nga sisteme dhe organe të ndryshme që formojnë një njësi të tërë. Dhe, meqë është një gjë e gjallë, kjo do të thotë se zhvillohet vazhdimisht; ndryshon me kalimin e kohës, nganjëherë ngjitet nëpër shkallët e jetës. Ndryshimet më të rëndësishme ndodhin në periudhat e krizave, prandaj të gjithë thonë: Jeta familjare është një provë, një provim. Jeta familjare nuk është gjithmonë e keqe, por ama, është gjithmonë si një provim i vështirë. Lum kush e kalon!