– Genti, prej pak kohësh ke hedhur në treg këngën “Një ditë do të qash”, një baladë r`n`b. Përse pikërisht në këtë rrymë?
– Po, është e vërtetë dhe jam shumë i lumtur që, më në fund, e arrita edhe unë një gjë të tillë. Në fakt, ka qenë shumë e vështirë për mua të realizoja një spot të këngës time, sepse edhe ju e dini sa të kushtueshme janë. Kënga është e rrymës r`n`b, sepse e kam dashur shumë këtë rrymë, plus që kam gjetur edhe veten time në këtë këngë.
– Cila është fabula e saj? Kush do të qajë dhe për çfarë do të qajë?
– Fabula e këngës flet për një dashuri të shkuar, një dashuri plot premtime, të cilat pas largimit të saj, ishin vetëm ca fjalë boshe dhe të pakuptimta. Kjo është edhe faza në të cilën gjenden shumë të dashuruar, pa marrë parasysh asnjë rrethanë konkrete. Pastaj, vajza, pa asnjë arsye, ndahet nga djali, pa i dhënë këtij të fundit asnjë arsye për ndarjen. Ndërkohë, mendja e tij ngelet gjithmonë tek ajo, duke kujtuar çdo gjë të sajën. Por, ajo vajzë do të pendohet dhe do të qajë një ditë, ashtu si ai… “një ditë do të qash… moj vajzë”… (Qesh)
– Me kë ke bashkëpunuar për realizimin e saj?
– Muzika është realizuar nga kompozitori i mirënjohur dhe shumë i talentuar, i madhi Kristi Popa. Jam shumë i kënaqur me punën që ka bërë. Teksti është realizuar nga Roni, i grupit Yje të Panjohur. Veç kësaj, Roni është edhe reperi që bën recitimin te kënga. I falënderoj të gjithë nga zemra për këtë hit që realizuan. Klipi është realizuar nga shtëpia prodhuese e videoklipeve Max Production, vetëm këtu në Tiranë, por kemi bërë xhirime në disa vende. Sinqerisht, janë për t’u falënderuar sepse janë lodhur aq shumë me mua, sa nuk e keni idenë. Jam shumë zevzek në punë. Kërkoj shumë dhe, ndoshta e teproj pak si shumë. (Qesh)
– Cila shtëpi diskografike e ka hedhur në treg atë?
– Për momentin, nuk e kam shitur ende tek asnjë shtëpi diskografike. Mora ofertë nga një shtëpi diskografike, por nuk ia vlejti. Nëse do të kem një ofertë më të mirë, pse jo?!
– Ky është edhe klipi yt i parë. Si rezultoi kjo herë e parë?
– Vërtet ishte videoklipi im i parë, por jam shumë i lumtur sepse po ecën jashtë mase mirë. Kjo vihet re edhe nga komentet që bëjnë në rrugë apo kudo që shkoj. Unë mendoj se ky klip po më promovon në mënyrën më të mirë.
– Kjo këngë do të jetë pjesë e një albumi?
– Për momentin, është singëll. Shpresoj ta bëj pjesë të ndonjë familjeje të madhe dhe shumë serioze. (Qesh)
– Do të mbetesh te rryma r`n`b?
– Unë kam eksperimentuar edhe në disa rryma të tjera, por më kanë sugjeruar të rri te kjo rrymë. Akoma s’e di ku do të pozicionohem më shumë, por është e sigurtë që nuk do të rri vetëm te kjo rrymë…
– Ky klip transmetohet shumë herë në ditë. Kur e sheh ti vetë, më shumë bën vërejtje apo mendon se është bërë një punë e mirë për të?
– Po, është e vërtetë që po transmetohet shumë shpesh. Për këtë, jam shumë i lumtur. E mira s’ka fund, por unë jam i lumtur me aq sa kam arritur, pasi për mua është vetëm fillimi. Do të kem edhe shumë më të mira në të ardhmen. Për këtë, ju garantoj.
– Duket që rëndësi të veçantë i jep edhe pamjes tënde. Sa dhe si i kushtohesh?
– Të them të drejtën, jam shumë i fiksuar pas lukut, por nuk e ekzagjeroj. Bëj aq sa i lejohet një mashkulli. Mendoj që këtë dëshirë duhet ta kenë edhe femrat, gjë që unë e çmoj shumë.
– Kush është kujdesur për flokët dhe veshjen tënde në klip?
– Për flokët kam parukierin tim personal, i cili kujdeset për mua në të gjitha evenimentet ku marr pjesë. Ai është Aleksi, parukieri më i mirë sot për sot. Për veshjet në videoklip, falenderimi i shkon Butik Alexias.
– Nëse do të kishe lindur në kohën ku nuk ekzistonin as shkuma, as llaku, as xheli, çfarë do të kishte ndodhur me flokët e tu?
– (Qesh) Prindërit tanë kanë lindur në atë periudhë, por nuk i rezistuan rënies së flokut, apo jo?! Ne po i përdorim këto produkte, por po ato probleme po hasim. Unë them më mirë të jesh pa flokë fare, sesa t`i kesh dhe t’i mbash të parregulluara… Pu pu pu! (Qesh)
– Po nëse do të ishe femër, do të kishe lënë ngjyrë pa përdorur për të lyer flokët?
– Jooo! Mua s`më pëlqejnë shumë ngjyrat që përdorin ca vajza. Më pëlqejnë më shumë ngjyrat serioze. Ajo çka unë pëlqej te një femër, janë flokët e gjata dhe të zeza.
– Kush është Gentjan Dema, jashtë muzikës?
– Gentjan Dema jashtë fushës së muzikës është shumë popullor dhe praktik. Është shumë i shoqërueshëm me të tjerët, edhe pse tani, ky tipar, merret për dobësi. Vazhdoj universitetin, tani kam përfunduar vitin e tretë dhe, më në fund, jam me pushime. Sapo kam mbaruar provimet dhe, në të njëjtën kohë, punoj si menaxher në një kompani.
– Si do ta përcaktoje tipin tënd me tri fjalë?
– Kërkues, i palodhshëm, ambicioz, zemërbutë… Besoj se nuk të vjen keq që e thashë me katër fjalë… (Qesh)
– Beson te horoskopi?
– Është gjëja që e urrej më së shumti. Mendoj se janë gjërat më false që mund të ekzistojnë sot.
– Po te fallxhoret?
– Kur s’besoj te horoskopi, te fallxhoret, jo e jo.
– Po njerëzve a u zë besë fort kollaj?
– Unë si person jam shumë mosbesues, nuk zë besë kollaj. Sipas meje, është më mirë kështu, të mos besojmë shpejt te të tjerët.
– Ke marrë pjesë në disa kompeticione muzikore…
– Po dhe disa ndër to janë: Kënga Magjike 2006 dhe 2008; Top Fest 4 dhe 6; Mikrofoni i Artë 2007.
– Ke ndërmend të marrësh pjesë sërish në to?
– Pse jo?! Nuk e mohoj që do të marr pjesë në to, por për momentin, jo. Pak më vonë, ndoshta.
– Beson në shprehjen “e rëndësishme është të marrësh pjesë” apo synon fitoren?
– Në disa raste, kur je mes njerëzish më të famshëm se ti dhe je shumë i ri për të arritur një çmim, them se është e rëndësishme pjesëmarrja, ndërsa kur edhe ti je i madh apo shumë i famshëm, mund të synosh për çmim. Tani e tutje, edhe unë do të synoj për çmim.
– Me ditët e nxehta, si po ia del mbanë?
– Si të gjithë, duke e mbajtur veten me shpresa… që së shpejti do të freskohet koha. (Qesh) Një ndër problemet është se edhe kohën e kam shumë të kufizuar për të shkuar në plazh; më duhet të mjaftohem me fundjavën.
– Po netët e tua janë aq të nxehta sa edhe ditët?
– Aq të nxehta janë sa s’më merr gjumi gjatë gjithë natës, duke u djersitur pa masë. Eh, sikur ta kalonim verën pak më freskët! Sa për atë lloj nxehtësie që e ke fjalën ti në pyetje, jam singëll… (Qesh)
– Muzika r’n’b nuk mund të këndohet nëpër dasma. Ku e performon muzikën e tij Genti?
– Besoj se këtu, nuk ka vetëm dasma, por edhe mbrëmje muzikore. Kudo që këndohet dhe kërcehet, kjo këngë mund të këndohet…
– Me cilët prej këngëtarëve shqiptarë ke më shumë miqësi?
– Me shumë prej tyre, por mendoj se s’është nevoja t`i kujtojme një nga një, apo jo?!
– Me cilin prej tyre do të realizoje një bashkëpunim?
– Kuptohet, me një këngëtare femër, shumë të suksesshme, në mënyrë që edhe kënga që do të realizonim, të bënte bum menjëherë.
NJE DITE DO TE QASH
– Nëse një ditë ke qarë, për kë ke qarë?
– Për babain tim, kur m`u largua nga kjo jetë.
– Nëse një ditë do të qash, për kë do të qash?
– E qara nuk planifikohet, por të vjen natyrshëm. S`e di…
– Për kë ia vlen të qash?
– Për atë që të plotëson zemrën.
– Zakonisht, dëgjojmë të na thuhet: “Qaj që të shfryhesh!”. Je dakord me këtë teori?
– Jam shumë dakord, sepse është shumë e vërtetë. Njeriu, kur shprehet, arrin të nxjerrë të gjithë mllefin që i ka kapluar shpirtin.
– Njerëzit vënë re te të tjerët mënyrën se si qeshin. Po mënyrën se si qajnë, e ke vënë re ndonjëherë?
– Jo gjithmonë. Vetëm ato të ekzagjeruarat fare, që të lënë mbresa.
– Thuhet se e qeshura të zgjat jetën. Po e qara?
– E qeshura ta zgjat jetën, ndërsa e qara, ta kompenson atë. (Qesh)
– Kur ke qeshur me lot për herë të fundit?
– S’e mbaj mend, sepse qesh shpesh me lot. (Qesh pa lot)
24.08.2009