Përshëndetje! Jam Megi nga Durrësi dhe sot vendosa të tregoj edhe unë historinë time, pas shumë historive që kam lexuar në gazetën tuaj. Ajo që unë do të tregoj ndoshta nuk krahasohet me të tjerat, por di të them që kam vuajtur shumë. Pa ju humbur shumë kohë, po filloj t’jua tregoj. Jam 20 vjeçe dhe jeta më ka mësuar të eci e vetme përpara, pa pasur ndihmën e askujt as edhe të prindërve. Isha 15 vjeçe dhe mami im vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Të gjithë e dinim këtë dhe prisnim nga momenti në moment që të ndërronte jetë. Familja ime ishte e përbërë nga prindërit, motra, Alesia 11 vjeçe, vëllai Ledi 13 vjeç dhe unë. Nga gjendja ekonomike i përkisnim shtresës së mesme, babi punonte si ekonomist në një ndërmarrje private. Mami kishte 3 vjet që mjekohej nga kjo sëmundje, por pa shërim dhe doktori na kishte thënë që ishin muajt e fundit që ajo do të jetonte. Mbaj mend vuajtjet që kam hequr në atë kohë; unë isha përgjegjëse për çdo gjë, meqenëse isha më e madhja. Duhet të bëja gjithçka në shtëpi, duhet të kujdesesha për motrën dhe vëllain, pa harruar edhe mamin e cila kishte nevojë më shumë se të gjithë. Kisha harruar veten time, nuk isha njëlloj me moshataret e tjera dhe, në të njëjtën kohë, duhet të mësoja shumë që të bëhesha e zonja e vetes. Kalonin ditët të mbushura me strese, duhet të isha perfekte në gjithçka sepse babi ishte shumë skeptik dhe nuk lejonte asnjë gabim nga ana ime. Ajo që më mundonte akoma më shumë ishte jeta e nënës time. Si do t’ia dilja mbanë kur ajo të mos ishte, si do kujdesesha për motrën dhe vëllain kur ata ishin në një moshë shumë delikate dhe kishin nevojë për një njeri që t’i mësonte? Po jeta ime si do përfundonte? Po mua kush do më përkrahte se, fundi-fundit, isha fëmijë për vete? Qaja gjithmonë natën dhe i lutesha Zotit që të më ndihmonte për një rrugëzgjidhje sepse gjithçka më dukej e pamundur. Ditët kalonin dhe asgjë nuk ishte në rregull; motra kishte probleme me mësimet dhe unë duhet ta ndihmoja, duhet të mundohesha që ajo të kuptonte se shkolla ishte shumë e rëndësishme për jetën e saj, ndërsa vëllai kishte probleme për përshtatjen në shoqëri; një tjetër problem ky që duhej zgjidhur. Edhe babi me punët nuk ishte mjaft mirë sepse kohët e fundit kishin pasur probleme dhe në fund, mami që sëmundja sa vinte dhe i mëshonte më shumë.
Datën 22 janar nuk do ta harroj sepse në atë ditë, një pjesë e imja vdiq dhe shumë gjëra ndryshuan përgjithmonë. Ishte e shtunë dhe motra iku që në mëngjes te shoqja e vet, ndërsa vëllai shkoi të luante me shokët. Isha vetëm në shtëpi me mamin dhe për një moment, pasi i mbarova punët e shtëpisë, mami më thirri pranë vetes dhe filloi të më thoshte:
“Megi, ty të ka rënë puna më e vështirë, të kujdesesh për gjithçka e sidomos për Alesian dhe Ledin, pa harruar babin. E di që do të vuash shumë, po fati kështu qenka. Unë tani do të largohem nga kjo jetë dhe do të të lë ty amanet motrën dhe vëllain; kujdesu për ta se janë të vegjël dhe, në këtë moshë, kanë shumë nevojë për ty. Të lutem shumë të kujdesesh edhe për babin sepse pas vdekjes sime do bëhet i padurueshëm, por të lutem ty që ta kuptosh. Mua edhe shumë pak kohë më ka mbetur, por ti të lutem bëhu e fortë për mua dhe mos harro edhe veten tënde sepse edhe ti ke shumë nevojë për mbështetje tani, por mami nuk ka çfarë të bëjë… Zoti donte që unë të largohesha nga kjo jetë shumë shpejt, nuk më la t’ju shikoja juve të lumtur me fëmijët tuaj”.
Kur dëgjoja këto fjalë, diçka më therte në shpirt… Si do të jetoja unë pa nënën time? Si do t’i mbaja gjithë këto përgjegjësi mbi shpatulla? Iu betova se do bëja të pamundurën për gjithçka që më kishte thënë. Pas këtyre fjalëve, po lotonim të dyja dhe ashtu më zuri gjumi në krahët e saj të ngrohtë. Ku ta dija unë se do flija gjumë për herë të fundit në ata krahë? Ku ta dija unë që kjo do të ishte hera e fundit që do të bisedoja me nënën time? Pasdite erdhi babi në shtëpi dhe çdo gjë po shkonte si zakonisht, deri në momentin që mami im filloi të rënkonte dhe e kuptuam të gjithë që ishin çastet e saj të fundit. Motra me vëllain filluan të qanin, ndërsa unë me babin e mbanim veten. Mami i kërkoi Alesias dhe Ledit të shkonin tek ajo dhe u tha:
“Alesia, mami të kërkon të bëhesh një vajzë e mbarë dhe të vazhdosh shkollën, dua që ti të dëgjosh Megin për çdo gjë sepse ajo do kujdeset për ty tani. Mami të do shumë dhe gjithmonë do të jetë pranë teje”, ndërsa Alesia e vogël, i tha: “Mami, unë të dua shumë”, e përqafoi dhe u largua duke qarë. Aty mbeti Ledi dhe mami filloi t’i thoshte:
“Dëgjo, Ledi, mami të kërkon të dëgjosh motrën dhe babin, kujdes me shoqërinë dhe të lutet mami, bëhu djalë i mbarë. Gjithmonë do jem pranë teje”. Ledi duke qarë iu përgjigj: “Do më mungosh shumë, mami”. Pasi e përqafoi, Ledi u largua duke qarë.
Mbeta vetëm unë dhe babi. Nuk dinim çfarë të thoshim, por ishte sërish mami ajo që e mori fjalën, duke thënë: “Tani duhet të kujdeseni ju për gjithçka; duhet të jeni të fortë dhe të duroni sepse do përballeni me shumë sfida, por duhet të jeni gjithmonë të bashkuar. Sidomos ti Megi duhet të bëhesh nënë për vëllezërit e tu. Kjo është gjithçka që mund t’ju them sepse tani erdhi momenti të largohem”. Papritur, asaj i ra të fikët nga dhimbjet e mëdha. Filluan të vinin njerëz atë pasdite dhe momenti kur mami im i dha lamtumirën kësaj bote ishte ora 7. Kishte shumë njerëz, por ishte gjyshja ajo që më thirri dhe më tha: “Megi, mami po largohet nga kjo botë”. Këto fjalë më therën shpirtin, shkova te dhoma ku qëndronte mami. Gjyshja kishte të drejtë; ajo po jetonte momentet e fundit të saj. Po fliste përçart dhe fjalët e fundit ishin: “Ju dua shumë. Të lutem, Megi, kujdesu për gjithçka, mos më zhgënje”. Kaq tha dhe iku.
O Zot, çfarë duhet të bëja? Më dukej sikur bota më kishte rënë përmbys, shkova te dhoma ime dhe qava me të madhe, nxora gjithçka, fillova të bërtisja dhe ashtu qëndrova rreth 15 minuta, por jo më shumë sepse duhet të kujdesesha për gjërat. U ktheva te dhoma e pritjes dhe filluam të prisnim njerëzit që vinin e iknin pa pushim. Ishte një mbrëmje e lodhshme, por më në fund të gjithë u larguan dhe m’u desh t’i jepja edhe lajmin për vdekjen e mamit Ledit dhe Alesias. Akoma e mbaj mend të bërtiturën e tyre, nuk pushonin së qari, por arrita t’i qetësoja.
Dita e varrimit ishte shumë e ngarkuar; duhet të isha e vëmendshme në gjithçka, por nuk po jua tregoj se si shkoi sepse mund ta imagjinoni të gjithë se si mund të ketë qenë. Di t’ju them që atë ditë e kuptova me të vërtetë se jeta ime do ndryshonte komplet; isha rritur para kohe dhe kisha marrë në duar shumë përgjegjësi. Ja ku filloi edhe jeta ime e re, vazhdoja të shkoja në shkollë, por vetëm atëhere dilja sepse më duhej të kujdesesha për motrën dhe vëllain, duhet t’i ndihmoja për detyrat e shtëpis, duhet të bëja punët, bukën që do hante babi etj. Ditët kalonin dhe çdo gjë bëhej edhe më e vështirë, por do vinte një kohë kur çdo gjë do dukej sikur i përkiste fundit sepse gjërat u përkeqësuan shumë…
Ledi filloi të mungonte në shkollë sepse largohej me shokët e tij, rruga e tij filloi të ndryshonte, nuk i interesonte më asgjë. I tregova babit për atë që po ndodhte dhe i kërkova që të mundohej të fliste me të mira me të, por nuk më dëgjoi. Kur erdhi Ledi nga shkolla, babi e qëlloi dhe filloi t’i bërtiste. Ledi nisi të qante dhe ta ofendonte. Gjendja që u krijua në shtëpi, na stresoi të gjithëve. Aq shumë u acaruan gjërat saqë Ledi u largua nga shtëpia. Nuk dija çfarë të bëja, u mundova ta ndaloja, por ai u largua. Pas ikjes së tij, fillova të diskutoja me babin dhe i thashë: “Nuk di të edukosh as edhe një fëmijë që ka nevojë për ty!”. Pas Ledit, ishte Alesia ajo që e kisha lënë pas dore, por edhe ajo kishte nevojë për mua sepse kishte filluar gjithashtu të shoqërohej me disa vajza që, edhe pse të vogla, nuk më pëlqenin shumë. Me Alesian situatën e kisha në dorë sepse ishte e vogël dhe e mësoja gjatë gjithë kohës, por edhe ajo donte punë. Ledi atë ditë u kthye në darkë dhe u mundova të flisja me të, por nuk më dëgjoi. Kështu, kaluan ditët dhe nuk po shkonte asgjë mirë. Ledi vazhdonte me veprimet e tij, nuk pyeste askënd dhe nuk dija më as unë si të veproja, ndërsa me Alesian mundohesha t’i zgjidhja punët, edhe pse me atë e kisha më të lehtë sepse i mësoja ato që dikur mami im m’i kishte mësuar mua. Përkundrejt të gjithave, kisha edhe une nevojë për ndihmë sepse sa vinte e vuaja edhe unë. Sapo kishin filluar ngacmimet e para e gjithashtu duhet të mësoja shumë dhe kjo do të thoshte që presioni sa vinte e rritej. Kaloi një vit nga vdekja e mamit dhe gjërat nuk ishin rregulluar aspak. Nuk flisja më as me babin; ai i zgjidhte gjërat në një mënyrë që nuk më pëlqente. Pas disa kohësh, vendosa të flisja me Ledin sepse gjendja nuk mund të vazhdonte më kështu. Fillova t’i flisja për mamanë, se ajo nuk dëshironte që Ledi të sillej ashtu dhe se ai ia kishte premtuar asaj. Folëm për shumë gjëra dhe shumë gjatë. Asnjëherë nuk do më shkonte në mendje se nga ajo bisedë, gjërat me Ledin do të ndryshonin për mirë sepse vura re që me kalimin e kohës ai nisi të ndryshonte, filloi të merrte në duar jetën e tij, filloi të ishte më i përgjegjshëm, përqendrohej te mësimet dhe shokët filloi t’i zgjidhte me kujdes.
Edhe me Alesian gjërat shkonin shumë mirë, por probleme kisha me babin i cili nuk merrej fare me edukimin e motrës e vëllait, por përveç kësaj, edhe me mua sillej shumë ftohtë, madje ne nuk flsinim fare. Kjo situatë më shqetësonte shumë. Kaluam edhe një vit tjetër pa harmoni në shtëpi dhe qëndronim të bashkuar vetëm unë, Ledi, Alesia. Pas 2 vjetësh, gjërat u përkeqësuan akoma më shumë. Nuk e dija ç’po ndodhte me babin, nuk po kuptoja më asgjë. Unë isha 17 vjeçe dhe çdo gjë në shkollë po bëhej më e vështirë, si mësimet, ashtu edhe ambienti në të cilin qëndroja. Pasi shkova 18 vjeçe, isha maturante dhe ngarkesa ishte shumë e madhe, por të paktën kisha ndhmën e Ledit dhe Alesias. Kulmi ishte kur një ditë vjen babi në shtëpi dhe më thotë:
“Megi, të kam gjetur burrin ideal”.
Kur dëgjova këto fjalë, sa nuk më ra pika dhe i thashë: “Çfarë po thua kështu? Kush të tha se unë dua të fejohem? A kupton se çfarë po thua?”, por babi më tha:
“Është familje shumë e mirë, me gjendje ekonomike shumë të mirë”. E dëgjoja dhe nuk kuptoja asgjë, i thashë që në atë moment “jo”, por presioni sa vinte e do shtohej dhe në fund unë do pranoja…
Kështu shkuan gjërat, u detyrova ta njihja dhe në fund, të fejohesha. Nuk ishte i keq fizikisht, por unë nuk e doja. Gjithsesi, u fejova me të për të ndihmuar familjen time sepse ata kishin nevojë nga ana financiare. Edhe shkollën nuk e vazhdova më dhe sot jam 20 vjeçe shtatzënë. Si përfundim, mund të them që sakrifikova shumë për familjen time dhe e mbajta fjalën që i dhashë mamit tim. Tani e ndihmoj familjen time me sa kam mundësi, por e lumtur nuk jam sepse jetës sime i kam mohuar shumë gjëra. Nuk ka më kthim pas dhe tani, do të jetoj këtë jetë. Ky ishte fati im!