Rosela Gjylbegu: Të jesh me këmbë në tokë Rosela Gjylbegu është këngëtarja aq e dashur për publikun shqiptar. E ëmbël, e buzëqeshur, me një thjeshtësi madhështore, Roselën e kemi sjellë këtë herë paksa ndryshe, në një intervistë në të cilën ajo ka folur pak më shumë për veten por pa lënë edhe muzikën pas dore. Rosela dëshiron të mbahet mend për diçka, se për çfarë, ju duhet ta zbuloni vete!
Fabjola Kuburi:- Roselë, ketë herë të duam në një rubrikë të veçantë të gazetës tonë, në atë të “Alfabeti i personazhit” dhe pa humbur kohë të nisim me A, si artist… çfarë “emri” ka artisti brenda teje Roselë?
– Faleminderit për ftesën, nuk mund t’ju thoja “jo” kurrsesi. Mendoj se emri i artistit brenda meje është ëndrrimtare, po ëndërrimtare!
-B, si bekim…kë apo çfarë konsideron bekim në jetën tënde?
-Familjen tim!
-D si Dashuria… Cili është emri i përveçëm që mban dashuria jote?
– Nëna!
-E si Era… Nëse do të kishe patur mundësi t’i komandoje erërat e kësaj bote, çfarë apo kë do të kishe dashur të zhduknin nga faqja e dheut ato?As këtu s’do të më thuash ndonjë emër të përveçëm?
– Gjithë energjinë negative që na rrethon do kisha dashur t’a zhdukja .
– F si festivale…a janë më festivalet fabrikat nga të cilat dalin edhe këngëtarë të mirë apo edhe rëndësia e tyre është zbehur?
– Jo, rëndësia e festivaleve nuk mund të zbehet asnjëherë , aty skena është e shenjtë dhe ka tjetër seriozitet përgatitjet e emocionesh ndaj mbetet një vlerë për artin në çdo kohe.
-G si guaska… çfarë mund ta thyejë guaskën e prepotencës artistike që besoj ka kapluar prej kohësh artin shqiptar?
– për ktë pyetje para disa kohësh në instagramin tim vendosa një foto me një thënie që më pëlqeu shumë dhe të cilën e shoh gjithnjë e më shpesh si status në adresat e profileve të shumë artistëve “STOP MAKING STUPID PEOPLE FAMOUS”
-I si instikt… A i gjen instiktet njeriu në momentin që më shumë i duhen? Edhe ti në këtë rast..!
– Po i gjen dhe unë jam një nga këta njerëz që udhëhiqem nga instiktet e mia ndoshta nuk është gjë e mirë sepse duke qenë shumë emotive si natyrë nganjëherë dhe nxitohem por përpiqem shumë të vetkontrollohem duke ruajtur ekuilibrin në çdo situatë, por kjo vjen dhe më moshën me eksperiencën.
-J si Jeta… Çfarë do të doje të mos mungonte kurrë në jetën tënde dhe çfarë do të doje të mos e provoje kurrë në jetë? Ç’mendon se mund të kesh qenë në një jetë të mëparshme?
– Në jetën time do doja të mbizotëronte shëndeti dhe dashuria, nuk do doja të shihja njerëzit e mi më të dashur duke vuajtur sepse nuk ka dhimbje më të madhe të duket vetja aq i padobishëm dhe të duket sikur nuk mjafton ajo që ti bën për ta. Ah, mendoj se duhet të kem qenë një lule.(Qesh)
-K si karriera…kur karriera bëhet pengesë në jetë?
– Epo kjo ndodh në një realitet të vogël si ky i joni, ku paragjykohesh dhe kthehesh dhe në shënjestër. Megjithëse unë përpiqem shumë të jem me këmbë në tokë dhe ta jetoj jetën time normalisht dhe pse jo gjthmonën mund ta bëj haptas pasi duke qenë person publik duhet të kem kujdes në daljet e mija dhe përpiqem të le një emër të mirë të gëzoj e meritoj respektin e njerëzve.
-M si muzika… E ke nisur rrugën e muzikës që fëmijë dhe e di që do të më thuash se muzika në tërësi është jeta jote… E kam gabim?
– Jo aspak gabim, muzika është plotësimi dhe realizimi i çdo gjëje që unë jam e përfaqeësoj aty unë mund të shpreh edhe ato që fshihen në skutat e zemrës, por që nëpërmjet artit , melodisë e teksteve unë mund ti them në mënyrë të ndjerë e të rafinuar.
-N si negativ…si i largon njerëzit negativë që mund të kesh përreth?
– I mbaj shumë larg, e para duke ja treguar vendin dhe e dyta duke i injoruar. Nuk mund të shpenzoj energji kot për njerëz dhe gjëra që nuk vlejnë.
-P si puna e përditshme…ti punon në një tjetër drejtim nga ai i artit e saktësisht në Kuvendin e Shqipërisë, si ndihet Rosela atje dhe sa e ndihmon kjo punë në plotësimin e vetes ?
– Po e drejtë tashmë jam pjesë e administratës prej gati 10-vitesh, është një punë që e bëj me shumë pasion e përgjegjësi më ka rritur shumë eksperienca në punë, kam mësuar dhe vazhdoj mësoj çdo ditë gjëra të reja që plotësojnë formimin tim dhe njohuritë e mia, më ka shkathtësuar për të përballuar çdo lloj situate, të kontrolloj emocionet e mia dhe të jem me ekspresive si natyrë ti shpreh gjerat.
-R si Rosela…mendon se je me fat që mban këtë emër, kush është “përgjegjës” për këtë emër të bukur?
– Emri im ishte marrë nga filmi “Bashkë me Erën” ose “Gone with the wind “i vitit 1939 ku personazhi kryesore quhej Rosela O’hara që përkthehet trëndafil i kuq, emrin ma ka vënë nëna ime e cila e adhuronte këtë libër i cili me pas u bë dhe film dhe donte të ma vinte këtë emër duke qenë se personazhi Roselës në këtë libër personifikon një femër të fortë dhe guximtare, që pavarsisht çdo vështirësie që kaloj në jetë ajo ia doli mbanë të vazhdonte përpara dhe nuk u dorëzua derisa gjeti lumturinë e saj.
-S si suksesi… Çfarë është suksesi në vetvete dhe kur e ke ndjerë ti që ke arritur sukses?
– Suksesi është kurorëzimi i arritjeve të një pune të bërë më shumë mund e sakrifica, suksesi më i madh për çdo njeri është kur çdo gjë që ai është, çdo gjë që bën apo çdo arritje e ka me mundin e vet dhe gëzon respektin e njerëzve për këtë. Kjo është gjithçka kam dashur të meritoj, respektin e njerëzve.
-Sh si shoqëria… Pse duhet të jetë krenare shoqëria jote që të kanë mes tyre?
– E bukur kjo, por mendoj që duhen pyetur miqtë e mi për këtë nuk shkon të mburrem unë me veten ….ama unë e di që jam me fat që rrethohem nga miq të jashtëzakonshëm që kanë qenë pranë meje në çdo moment të bukur apo të vështirë që më pranojnë për atë që unë jam ata janë familja ime e dytë.
-T si Tirana… Me cilin qytet të botës do ta ndërroje? Po Shkodra a zë vendin e parë në zemrën tënde?
-E para është Shkodra sepse e kam për krenari e nder t’a vë në piedestal vendlindjen time, me pas Tirana që të them drejtën pavarësisht gjithave dhe pse njeriu kërkon gjthmonë e më shumë unë e dua këtë qytet, stilin e jetesës, punën dhe gjithçka më rrethon kam zgjedhur të jetoj në vendin tim dhe dua të bëj më të mirën për këtë vend me aq sa mundem.
-V si vepra të mira…për çfarë vepre do të doje të mbaheshe mend?
– Për zemërgjerësinë, për dashurinë pa kushte që i dhuroj njerëzve që dua fort, por dhe atyre që kanë shumë nevojë për dikë që i bën të ndjehen më mirë .
Z si zemra… Zemrën, si e ke sot, bosh apo plot?
– Nuk kam arsye ta kem bosh, zemra ime është gjthmonë plot për sa kohë rrethohem nga familja ime, miqtë e mi e shumë njerëz që më duan fort dhe më mbushin jetën!