Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Djali më mohoi të gjitha sakrificat që bëra për të


Jam një grua e vjetër, shumë më afër vdekjes sesa lindjes. Të them të drejtën, e kisha menduar ndryshe pleqërinë, jo të mbetesha e vetme, siç kam mbetur tani, por si duket, jeta ime e vështirë më bëri të fortë dhe tani, të paktën, jetoj.

U martova e re, në moshën 17 vjeçare. Burrin e mora me shkuesi dhe, siç ishte atëherë, e njoha ditën e parë të martesës. Unë mendoja se më kishin dhënë ndonjë burrë të vjetër a të shëmtuar se ne, atëherë, nuk guxonim as të pyesnim se me kë po martoheshim. Njëherë i thashë nënës:

– Sa vjeç është ai?

Advertisement

Ajo ma bëri shenjë të mbyllja gojën dhe më tha me zë të ulët: – Mos fol se të dëgjon yt atë! – dhe s`më dha asnjë përgjigje.

Pra, nuk dija gjë derisa e pashë natën e parë të martesës. Ai nuk ishte plak, por një djalë shumë i bukur. Megjithëse jeta e nuses së shtëpisë ishte shumë e vështirë, unë prapë se prapë ngushëllohesha se tashmë isha martuar në qytet dhe do të kisha një jetë tjetër më të mirë se ajo e fshatit. Familja e burrit ishte familje e mirë, pra, prindërit kishin menduar mirë për mua, megjithatë atëhere nuk ishte ashtu si sot. Gratë ishin më shumë shërbëtore sesa të dashura. Gjithsesi, ata më donin shumë dhe kisha dashurinë e madhe të burrit tim. Megjithëse nuk ishim njohur më parë, ne e donim shumë njëri-tjetrin.

Në moshën 19-vjeçare linda një djalë që i ngjante shumë tim shoqi. Ishte një fëmijë i mbarë qëkur ishte foshnje. Rritja e fëmijës për mua ishte më e rëndësishmja. Merresha me të dhe mundohesha që të mos i mungonte asgjë (me aq sa kishim në atë kohë).

Një ditë, burri erdhi shumë i shqetësuar nga puna. Kur e pyeta, më tha se në punë e kishin akuzuar për diçka që nuk e kishte bërë. Unë isha e sigurtë që ai nuk mund të bënte asgjë të keqe, por të nesërmen atë e pushuan nga puna dhe e thirrën në hetuesi. Pastaj, qëndroi në gjendje arresti në shtëpi dhe, kur doli në gjyq, e shpallën fajtor. E dënuan me tre vjet heqje lirie. Kjo, për mua, ishte shumë e tmerrshme. Tashmë, unë do të rrija vetëm për tre vjet dhe djali im do të rritej pa babain e tij. Vjehrra u bë shumë keq. Ajo ndryshoi plotësisht. U bë shumë nevrike dhe të gjithë inatin e nxirrte me mua. Unë isha mes shumë thikave, pa dashurinë e burrit, me djalin e vogël që kishte shumë nevojë për përkujdesje, prindërit e mi i kisha larg e në fshat, ku punohej natë e ditë e punët nuk kishin fund, më mungonte edhe inati e mërzia e vjehrrës!

Kalova tre vite të tmerrshme duke menduar se edhe e keqja e ka një fund, në një moment që zëvendësohet me të mirën. Ai doli nga burgu dhe kishte ndryshuar shumë. Ishte bërë i ndjeshëm, prekej nga gjëra të vogla, ishte bërë shumë i mbyllur dhe pothuajse nuk fliste asnjë fjalë me mua e madje as me djalin. Djali në fillim nuk i afrohej sepse tashmë ishte rritur dhe nuk e kishte patur pranë në momentet kur njihte njerëzit, por as burri nuk bënte ndonjë përpjekje për ta tërhequr rreth vetes.

 Kur ai doli nga burgu, e transferuan në një qytet malor që të punonte në minierë. U shpërngulëm atje edhe unë me djalin. Ishte një vend ku mezi arrije ta kaloje dimrin e ftohtë. Një ditë pas pune ai nuk u kthye në shtëpi. Mendova se kishte ndaluar me shokët e punës të cilët i kishte të paktë, që të pinte nga një gotë, por vonesa zgjati. Shkoi ora 12 dhe ai akoma nuk kishte ardhur në shtëpi. U shqetësova shumë, por nuk dilja dot të shikoja ku ishte sepse isha në një vend të huaj aq më tepër, në atë orë të natës! Prita. Nga ora 1 e gjysëm, trokiti dera. Mendova se erdhi, më në fund, por kur dola te dera, pashë dy burra. Ata më thanë se burri im ishte arratisur nga Shqipëria. Ata dyshonin se mos unë dija gjë, por unë u thashë se nuk dija asgjë. Ata ikën dhe unë mbeta e ngrirë. Si mund ta bënte ai një gjë të tillë? Si mund të na linte neve këtu e vetë të shpëtonte? Këtë ai ndoshta s’do ta bënte para se të futej në burg, por pas burgut mund të bënte gjithçka sepse kishte ndryshuar tërësisht.

Pas dy ditësh, më lajmëruan se burrin tim e kishin vrarë ushtarët e kufirit kur po tentonte të arratisej. Qava për ditë të tëra. Erdha në Tiranë te vjehrrit, që ishin të shkatërruar. Ishte një gjëmë e madhe për ta. Edhe pse i vdekur, e akuzoja burrin tim se kishte bërë një gabim të pafalshëm. Ai duhej të përpiqej t`i shtynte vitet në atë vend malor dhe të jetonte me familjen e tij. Megjithatë, dihej se tani mua më priste një jetë tepër e vështirë. Jetova shumë vite në atë qytet malor. Atje rrita djalin e vetme. Shteti më futi në punë në minierë dhe vija një herë në vit të takoja prindërit e mi e të burrit. Pas vdekjes së burrit tim, vjehrra u dergj në shtrat derisa vdiq shumë e re. Vjehrri jetoi më shumë.

Pasi djali im u bë 18 vjeç dhe ishte i shkëlqyer në mësime, erdhi në Tiranë me studime. Ai ndoqi shkollën e lartë të Mjekësisë, për 6 vjet. Unë ndenja vetëm, por tani isha mësuar në atë qytet në Veri të Shqipërisë e për më tepër, kisha shumë njerëz që më donin e më respektonin. Të them të drejtën, megjithëse ishin vite të vështira e plot vuajtje, vitet që kalova në atë qytet ishin vitet më të bukura e të mbushura me dashuri nga të gjithë banorët e atij vendi.

Më në fund, erdhi demokracia dhe, si të gjithë, unë erdha në Tiranë. Pas shumë mundimesh, arrita ta merrja shtëpinë e vjehrrit tim i cili kishte kohë që kishte vdekur. Së bashku me djalin, e rregulluam dhe u futëm brenda. Tashmë, djali kishte mbaruar shkollën dhe ishte në punë si doktor. Ai ishte një djalë shumë i mbarë, ashtu si babai i tij. Edhe burri im, po të mos futej në burg e të ndryshonte, ishte mashkulli ideal. Nejse, çdo gjë kishte kaluar e nuk vlente t`i kthehesha më. Tani duhej të shihnim para.

Djalit i doli specializimi në Francë. Edhe për një vit, duhet të rrija vetëm, por tashmë isha një grua në moshë e për të mirën e djalit, siç kisha bërë gjithmonë, mund të duroja gjithçka e për më tepër, tani isha në kryeqytet, në një shtëpi të bukur, afër të afërmve të mi (ndonëse nëna dhe babai nuk jetonin më), kisha të afërm të tjerë me të cilët isha lidhur e shkonim e vinim shpesh, për të kaluar mërzinë.

Kur djali u kthye nga Franca, u fut në një vend shumë të mirë pune. Pra, Zoti më kishte shpërblyer vitet e tmerrshme me mbarësinë e tim biri. Në punë, ai u njoh me një vajzë shumë të mirë. E solli dhe në shtëpi ta njihja unë dhe u fejuan e u martuan. Më pas lindën një vajzë të bukur e cila më dukej sikur ma kishte shtuar jetën. Unë mundohehsa t`i ndihmoja me ç`të kisha. U mbaja vajzën kur dilnin, u gatuaja, bëja punët e shtëpisë e çdo gjë, por kur vajza u rrit, nusja filloi të ndryshonte. I mbetej hatri shpejt dhe rrinte me ditë pa folur. Unë djalit nuk i thoja sepse nuk doja t`i ngatërroja me njëri-tjetrin, mirëpo kjo ftohje i kishte rënë në sy edhe atij. Ai më tha një ditë:

– Pse i rri kaq ftohtë nuses sime?

– Si? – I thashë. – Unë rri ftohtë apo ajo?

– Ti. Unë ju kam parë me vëmendje dhe ajo përpiqet të të afrohet, ndërsa ti je bërë kokëfortë, nuk ke qenë kështu. Ti ke patur gjithmonë shoqëri me njerëz të panjohur e ke bërë gjithçka për ta e jo më për nusen time.

– Shiko, se të janë errësuar sytë. Më duket se ke ndryshuar shumë. Unë jam ajo që kam bërë gjithçka për ty, mor bir.

– Ja ku fillove përsëri të thuash ato që ke hequr ti. Gjithmonë këto thua. Kam bërë e kam bërë atë! – ulëriu ai.

Nuk fola më dhe thashë se për mua tashmë kishte mbaruar çdo gjë. Kisha duruar gjëra nga më të këqiat, por nuk paskan qenë të këqia. E keqja më e madhe qenka kur fëmija të mohon sakrificat që ke bërë për të. Pas pak kohësh, ata gjetën një shtëpi dhe u larguan. Unë nuk u mbaj inat. Shkoj t’i takoj, marr vajzën e dal me të. Nganjëherë e marr dhe e mbaj për disa ditë. Ajo më do shumë, tamam ashtu siç më donte djali im, kur ishte pa u martuar. Si duket, Zoti gjithmonë të merr një dashuri e të jep një tjetër. Në fillim më mori dashurinë e burrit e më dha të djalit, tani më mori të djalit dhe më dha të mbesës sime, ama, kjo është dashuria më e madhe që ekziston.

Unë vuajta për të jetuar jetën dhe përsëri nuk arrita t`i kem të gjitha. Megjithatë, nuk jam penduar për sakrificat e bëra sepse çdo nënë do të bënte çdo gjë për fëmijën e saj.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kur fillon procesi i shëndoshjes?

Next Post

Më ndihmoni të dal nga kjo gjendje...

Advertisement