Dilan Çiçek Deniz: Si vendosa të isha Sena? Dilan Çiçek Deniz është një aktore dhe modele turke 23 vjeçare. Ajo ka lindur në qytetin e Sivasit, në Anadoll dhe prindërit i ka mësues. Në shkollën e mesme ajo ka studiuar tre vjet për teatër dhe më pas vendosi të bënte studimet për turizëm, por e la këtë degë për të vazhduar për Literaturë Krahasuese në universitetin Exhe të Izmirit. Në vitin 2014 Dilan mori pjesë në konkursin e Mis Turqisë ku doli e dyta si edhe ka përfaqësuar Turqinë në Miss Univers. Roli i saj i parë ishte në serialin “Gënjeshtra të vogla, të bukura” më pas në “Vajzat e diellit”, “Përrallat e Bodrumit”, ndërsa aktualisht interpreton rolin e Senës në telenovelën “Çukur”. Në janar të këtij viti ajo deklaroi se ishte lidhur me aktorin Furkan Andiç.

– Kur fillove të aktrosh?

– Kur isha 7 vjeç i thasë sime mëje se doja të më gjente një agjensi, sepse doja të bëhesha aktore. Ajo më vuri kusht të merrja nota të mira që të ma gjente. Kështu fillova të mësoja dhe vazhdoj ende. Kur isha e vogël kam lexuar veprat e poetëve të shquar turq, si Ozdemir Asaf, Xhemal Syreja si edhe Silvia Plet (poete amerikane). Më pas lexova një libër se si mund të shkruash poema dhe fillova të shkruaja poezi të shkurtra po me kuptim. Kur isha 15 vjeç një poetit të njohur të vendit tim i kishin pëlqyer shumë poezitë e mia dhe më rekomandoi një shtëpi botuese. Kështu botova librin e parë me poezi dhe më pas bëra disa seanca firmosje të librit, gjë që qe për mua një eksperiencë e bukur. Më vonë fillova të studioja për Letërsi Krahasuese dhe mund të them se letërsia është shumë e rëndësishme për mua.

– Pse zgjodhe të merrje pjesë në serialin “Përrallat e Bodrumit”?

– Kisha në dorë disa skenarë, por më tërhoqi vëmendjen “Përrallat e Bodrumit” dhe personazhi i Susë. M’u duk një rol i rëndësishëm dhe për karrierën time.

– Çdo projekt ku merr pjesë ti tërheq vëmendjen e publikut. Ky është shans, apo varet nga mënyra se si zgjedh rolet?

– Mendoj se që të dyja vlejnë. Besoj tek fati dhe rrjedha e jetës, por është e rëndësishme edhe të marrësh vendimet e duhura. Për shembull, për serialin « Gënjeshtra të vogla, të bukura » kam pritur një vit të tërë.

– Seriali “Çukur” pati sukses që në fillim. Si po shkon ai tani ?

– Shumë mirë dhe kjo më lumturon. « Çukur » është një projekt tek i cili besoj shumë, pasi ka një skenar të mrekullueshëm. Unë e quaj nder të punoj krahas disa aktorëve që marrin pjesë në të, që ndaj të njëjtin sheshxhirim me ta dhe mësoj shumë prej tyre.

– Sa projekte kishe në dorë para se të zgjidhje « Çukurin » ?

– Pata shumë dhe u ndjeva pak e humbur, por kur lexova faqen e parë të « Çukurit » atëherë vendosa të isha Sena Koçovali. Ishte një personazh kaq eksitues për mua. Vura re që karakteristikat e personazhit ishin krejt të kundërta nga të miat.

– Ne pamë një Dilan ndryshe në këtë serial. Çfarë do të thuash për zhvillimin tënd?

– Njerëzit piqen dhe zhvillohen me kalimin e moshës. Unë mësoj gjëra të reja nga çdo projekt dhe kjo pasqyrohet në performancën time. Unë punoj fort, bëj plane për të udhëhequr karrierën time. Unë po përpiqem të plotësoj mungesat e mia dhe të konsolidoj gjërat ku mendoj se jam mirë, jo vetëm në aktrim, por edhe në aspektet e tjera të jetës. Unë përpiqem të lexoj, bëj kërkime.

– Në serial, Sena thotë se do të donte t’i propozonin duke kërcyer në një restorant në Paris. Si do të doje të ishte propozimi yt për martesë?

– Këtë do ta tregojë koha. Nuk është mirë t’i parashikosh këto gjëra që tani, më mirë të më bëjnë surprizë.

– Sena njihet dhe martohet brenda pesë ditëve. Po ti do ta bëje këtë ?

– Jo, në jetën time private dhe shoqërore jam e rezervuar.

– Ti kalove njëfarë kohe në SHBA për të studiuar për aktrim. Çfarë ndodhi në këtë proçes?

– Bëra dy muaj trajnim intensiv. Pata mundësi të punoja me një emrat më të rëndësishëm të industrisë kinematografike. Ishte diçka që më ndihmoi shumë, por unë besoj se gjëja më e vlefshme në jetë është eksperienca.

– Para se të ktheheshe në Turqi ti bëre një marrëveshje me Elite Model Management (Agjensia Ndërkombeëtare e Modelëve) në Los Anxheles. Si do ta ruash ekuilibrin mes aktrimit dhe modelingut ?

– Prioriteti im është aktrimi. Jam shumë përzgjedhëse përsa i përket modelingut dhe pranoj vetëm projekte të rëndësishëm. Kjo është marrëveshja që kam bërë. Unë kam ndërmend që karriera e modeles të pengojë atë të aktores.

– Kontaktove ndonjë agjensi për aktorë në Amerikë?

– Jo, nuk kontaktova, por pata takime me producentët e filmave më të mëdhenj hollivudianë, të cilëve u prezantova veten.

– Kur ishe atje, çfarë të mungoi më shumë nga Turqia?

– Mendoj se kur shkoj në një vend tjetër më merr malli për vaktin e mëngjesit në Turqi.

– Për një kohë të shkurtër ti je bërë një nga aktoret e njohura të ekranit të vogël. E prisje një famë të tillë?

– Unë jam ende në rrugë e sipër. Kam shumë për të bërë, duhet punë dhe jam e ndërgjegjshme për këtë. Unë bëj gjithçka që mundem të kem sukses, por përfshirja ime në projekte të mirë përshpejton faktin që jam bërë e njohur.  

– Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde?

– Asgjë. Unë bëj të njëjtën jetë që bëja edhe tre vjet më parë. Nuk ka ndryshime serioze në shijet e mia, vetëm se kur dal në rrugë njerëzit më shohin më shumë se më parë dhe është rritur numri i atyre që duan të më bëjnë fotografi. Përvçe kësaj jeta ime nuk ka ndryshuar shumë.

– Ti ke një kimi të mirë me Aras Bulut Inemlin, që luan rolin e Jamaçit. Si të duket ai?

– Aras është një nga aktorët më të suksesshëm të brezit tonë. Në fillim të projektit unë isha shumë e kënaqur që do ta kisha përkrah në skenë. Ai ka një energji të paparë dhe jo vetëm përballë kamerave, pasi ne zbavitemi shumë edhe pas tyre.

– Në serial pati disa skena të nxehta. Është e vështirë të puthesh para kamerave? Ke ndonjë limit në aktrim?

– Nuk kam limite, por ki parasysh se nuk marr pjesë në projektet që nuk më pëlqejnë.

– I ndjek komentet që bëhen për ty?  

– I ndjek por nuk ua vë shumë veshin. Në këtë botë ka njerëz tek të cilët kam besim dhe janë komentet e tyre që ndjek. 

– Cila është ëndrra jote më e madhe?

– Dua të marr çantën e shpinës dhe t’i bie rreth e rrotull vendit tim, të shkoj në vende ku nuk kam qenë. Pastaj dua të shkoj në Indi, të ha ushqimin e atjeshëm, të shkoj të shoh Maçu Piçun, ose të shkoj në Rejkjavik të shoh aurorën boreale.

– Cilat janë gjërat për të cilat nuk do të bëje kompromis?

– Shpirti dhe ndërgjegjia ime. Asgjë që nuk lejohet nga këta të dy nuk bën për mua.

– Çfarë interesash të tjera ke përveç poezisë?

– Më pëlqen përkthimi dhe do të më pëlqente të përktheja ndonjë libër. Përveç kësaj shoh seriale, sidomos në gjuhën angleze.

– Çfarë gjërash të reja po mëson?

– I jam futur një kursi pastiçerie për të bërë ëmbëlsira. Është relaksues dhe mëson si të kënaqësh miqtë. Gjithashtu po mësoj edhe spanjishten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *