Babai i vdekur
– Më ka vdekur babai im, para shumë vitesh. E kam parë vetëm dy herë në ëndërr dhe u bë kohë që nuk e shoh më. Kur e kam parë, e shikoja të rinuar, të qeshur dhe e dija që kishte vdekur. Do të doja ta shikoja përsëri, por nuk e shoh më. Çfarë kuptimi ka? Ela
– E dashur Ela, me siguri, babai juaj kishte nevojë t’jua bënte të ditur nëpërmjet ëndrrës që është shumë mirë dhe i qetë në botën e tij. Arsyeja pse nuk e keni parë më, është pikërisht kjo që ju thashë më sipër. Përveç kësaj, ëndrra, në mënyrë ndoshta jo të drejtpërdrejtë, shpreh dhe pakënaqësinë tuaj ndaj burrave. Do të donit të gjenit një njeri që t’i ngjajë pak a shumë si karakter babait tuaj, por s’e keni gjetur akoma. Duhet të qëndroni e qetë. Do të vijë momenti që do të gjeni njeriun e duhur. Ju uroj fat!
Shtatzënë
– Kam parë në ëndërr sikur isha shtatzënë dhe fëmija im do të lindte në shtator. Isha në shoqërinë e kushërirës dhe xhaxhait tim. A ka ndonjë kuptim kjo ëndërr?
– Ëndrra juaj parashikon ndryshime thelbësore në jetën tuaj ose në mënyrën se si silleni në jetën e përditshme. Do t’ju lindin ide të reja dhe do t’i vini në jetë shumë shpejt. Ju uroj shëndet!
Gjarpër
– Isha në ballkonin e shtëpisë time dhe në cep të tij, pashë një gjarpër të vogël që dukej si i ngordhur. Iu afrova që ta shikoja dhe ta godisja sërish nga frika, por më iku. Unë ngela me një shkop të vogël në dorë. Dua të di kuptimin e kësaj ëndrre. Faleminderit.
– Kjo ëndërr parashikon frikë nga vetvetja, nga e kaluara dhe nga marrëdhëniet intime. Duhet ta lini mënjanë përvojën e hidhur të së kaluarës dhe të shikoni përpara, përndryshe, ajo do t’ju bëhet pengesë në përjetimin e kënaqësisë që ju jep marrëdhënia intime. Mundohuni të punoni me veten, që të mos keni probleme në të ardhmen me lidhjet tuaja. Gjithë të mirat!
Përplasje me makinë
– Isha me makinën time dhe në krah nuk e di kë kisha, nuk e mbaj mend. Di vetëm që përplasesha shumë gjatë rrugës me makina të tjera. Pastaj, kishte shumë trafik dhe mezi po orientohesha. Do të doja të dija çfarë kuptimi ka kjo ëndërr, pasi isha në siklet. Arjana
– E nderuar Arjana, ëndrra juaj tregon që keni shumë konflikte me veten. Kjo gjë ka bërë që të përplaseni me ata që ju rrethojnë. Në ditët në vazhdim, do të ndizni disa debate jo të mira. Mundohuni të ruani qetësinë dhe të reflektoni përpara se të flisni.
Breshka
– Në ëndërr pashë sikur isha në mes të një pylli dhe po mblidhja breshka. Më e çuditshmja ishte se ditën tjetër gjeta një breshkë deti në kopshtin tim dhe e mora që të kujdesesha për të. A ka ndonjë kuptim kjo ëndërr? Roza
– E dashur Roza, keni në plan disa projekte që kanë të bëjnë me të ardhmen tuaj. Problemi është se jeni shumë e nxituar dhe kjo gjë mund t’ju prishë planet tuaja. Duhet të jeni më realiste dhe të qëndroni me këmbë në tokë, nëse dëshironi të arrini synimet tuaja. Keni më shumë nevojë për kohë dhe vendosmëri të plotë. Mos u rrëmbeni nga nxitimi! Gjithë të mirat!
Shkallë
– Përshëndetje. Para dy netësh kam parë një ëndërr të tillë: po vrapoja nëpër shkallë, kur po më ndiqte një person i panjohur për mua. Nuk arrija dot t’ia shikoja fytyrën. Kur u ktheva që t’i shihja fytyrën, humba shpejtësinë me të cilën po ecja dhe aty, nga sikleti, u zgjova nga gjumi. Jam në pritje të parashikimit!
– Kini kujdes sepse për shkak të disa paragjykimeve që do të bëni kundrejt dikujt, mund të reagojë keq ndaj jush. Prandaj përpara se të gjykoni dikë tjetër, më parë analizojini gjërat me veten tuaj që të mos dilni e gabuara. Sido që të vijë, ëndrra tregon që nuk do të kaloni lehtë pa pasur një përplasje qoftë dhe të lehtë me këtë person. Ju uroj shëndet.
Autopsi
– Ka dy netë radhazi që shoh pothuajse të njëjtën ëndërr dhe kjo gjë më ka trishtuar. Pashë sikur më kishte vdekur xhaxhai, i cili, në fakt, është gjallë. Unë, bashkë me prindërit, shkuam në Elbasan për të lajmëruar disa të afërmit tanë. Rrugës, pamë që u ul një anije kozmike, nga e cila zbrtitën një burrë dhe një grua. Ata na thanë se duhet t’i bënim patjetër autopsinë xhaxhait. E tmerruar, u zgjova nga gjumi. Keti
– E nderuar Keti, ëndrra vë në dukje një ndryshim thelbësor në jetën tuaj. Ju keni shumë frikë nga vetja dhe ndryshimi që do të përjetoni në ditët në vazhdim. Nëse do të ndodhë vërtet kështu, do të thotë që do të jetë për mirë, prandaj mos kini frikë. Në fund të fundit, kjo është ajo që keni dëshiruar prej kohësh, apo jo? Ju uroj fat!
Puse gjaku
– Shoh shpesh puse ose gropa me gjak. Nuk mbaj mend ngjarje të tjera, por këto më janë fiksuar. Dua të di, çfarë parashikon kjo ëndërr? Andi
– Ëndrra juaj është mjaft domethënëse. Ju harxhoni më shumë seç duhet energji me argëtime ose aktivitete, ndoshta të pafrutshme dhe kjo gjë do të ndikojë në shëndetin tuaj. Nëse nuk e ndaloni vrapin, do të keni probleme. Keni nevojë për pak pushim. Mendohuni mirë përpara se të bëni zgjedhjen e radhës në jetën intime. Gjithë të mirat!