Rashë në dashuri me profesorin tim…
Përshëndetje të dashur lexues të gazetës më të bukur dhe më të larmishme të vendit tonë! Unë jam Era, një vajzë me origjinë nga Fieri, që jetoj prej 7 vjetësh në Tiranë. Kur erdha në Tiranë për herë të parë, ishte viti 2012 dhe unë do të hyja në vitin e parë të gjimnazit. U regjistrova në një gjimnaz periferik, por jo shumë të këndshëm. Prindërit e mi janë goxha të kapur nga ana financiare dhe, më thënë të drejtën, nuk e kishin problem të më regjistronin në një gjimnaz më të mirë, por u futa aty sepse atë kishim më afër shtëpisë. Jo për mburrje, por unë jam nga ato vajzat që, kur ecin rrugës, nuk mbeten pa u vënë re nga të gjithë sepse kam trup të gjatë e të rregullt. Që në moshën 12 vjeçare kam qenë goxha e gjatë dhe të gjithë u thonin prindërve të mi: “Mbajeni vajzën me kujdes se do t’jua rrëmbejnë”. Unë nisa të bija në sy si në lagje, ashtu edhe kudo ku shkoja me shoqërinë për kafe, në festa të ndryshme apo qoftë edhe kur dilja të rrija me shoqet pasditeve. Në lagje kishte shumë djem të bukur dhe, si çdo vazjë, aq më tepër që isha vetëm 13 vjeçe, ai që më pëlqente sot nuk më pëlqente nesër. Unë nuk lidhesha me asnjë sepse më dukeshin të gjithë njësoj. Asnjëri prej tyre nuk kishte ndonjë gjë të veçantë që të më tërhiqte dhe të vendosja të lidhesha. Pastaj, kisha edhe frikën e prindërve sepse ma kishin bërë shumë të qartë; duhej të mbaroja shkollën dhe të mos ngatërrohesha me askënd sepse ata nuk më linin asgjë mangut dhe unë nuk të mos i mbaja premtimet që u kisha dhënë. U detyrohem shumë atyre, i doja dhe i dua jashtëzakonisht.
Tre vjet të shkollës së mesme kaluan me ulje-ngritjet që nuk kam për t’i harruar ndonjëherë sepse janë ngjarje që, kur i kujton, të vjen të qeshësh dhe të qash njëkohësisht. Isha shumë mirë me mësime dhe propozimet nga djemte e moshës time (madje edhe më të mëdhenj) nuk kishin të sosur, por unë nuk pranoja. Kështu, erdhi viti i katërt, një vit, fillimi i të cilit ka qenë një mrekulli. Në shkollën tonë, ose më saktë, në klasën tonë, erdhi një djalë i cili për bukurinë që kishte, nuk ia merrte dot asnjëri nga djemtë që kisha njohur ose parë unë në lagje. Po në atë kohë, profesori i edukimit fizik u sëmur dhe në vend të tij, erdhi një profesor i ri edhe në moshë, edhe në profesion. Të gjitha vajzat e shihnin sikur ai kishte zbritur nga qielli dhe kishte ardhur aty posaçërisht për t’i bërë lëmsh ato. Tani, që të mos ngatërrohemi, ky djali i ri që erdhi në klasën tonë e kishte emrin Geri dhe ishte djalë, përveçse i bukur, edhe shumë inteligjent dhe kjo më intrigonte pak. Ai vinte pothuajse përditë nga lagjja ime sepse kishte shumë shokë atje dhe pothuajse çdo pasdite atë e kishe në lagjen time. Ne, si goca që ishim, mblidheshim poshtë shtëpive tona e bënim muhabet dhe kur kalonte ai, ne të gjithave na ngecte muhabeti në gojë, aq shumë hutoheshim nga ai.
Geri ishte një djalë të cilin e kishin zili të gjithë, si moshatarët, ashtu edhe prindërit e tyre. Ai dukej që diçka kërkonte në lagjen time, por mua, as që më shkonte mendja se ai vinte për të më parë mua. Këtë gjë e mora vesh nga shoku im i klasës që u bë më vonë shoku i ngushtë i Gerit. Ai ma tha në fillim pak si rrotull e rrotull muhabetin, por pastaj ma tha troç:
– Era, ty Geri të pëlqen shumë, të ka pëlqyer qëkur të ka parë për herë të parë në klasë.
Aq u gëzova sa ju nuk e merrni dot me mend; jo se e doja kushedi se sa, por më bëhej edhe qejfi sepse ai më kishte fiksim mua dhe jo vajzat e tjera. Ai vinte përditë në lagjen time dhe flisnim si shokë, por e shihja se ai kërkonte diçka më shumë. Mua, sinqerisht, më pëlqente të rrija në shoqërinë e tij, por mendja më rrinte tjetërkund. Pa e kuptuar, kisha filluar të pëlqeja dikë tjetër, që ishte tërësisht ndryshe nga unë, tërësisht në kundërshtim me ligjet dhe rregullat e shkollës. Në mëngjes mezi prisja të ikja në shkollë, sepse doja të shihja, tashmë jo Gerin, por profesorin e edukimit fizik, i cili, siç ju thashë më lart, ishte i ri në moshë, në profesion dhe dukej që ishte njeri me norma, i pjekur dhe jo si moshaatrët e mi, të cilët merreshin vetëm me llafe dhe intriga koti.
Geri më rrinte në këmbë për çdo gjë, më luste përditë që të dilnim për kafe, por unë gjithmonë gjeja një pretekst për të mos dalë me të. Shoqet e mia habiteshin kur më shihnin që i thoja “jo”. Ato më quanin budallaqe, sepse kisha fatin që të dilja me Gerin, bukuroshin e shkollës dhe unë e hidhja tutje këtë mundësi. Por, unë mendjen e kisha gjetiu, vuaja në heshtje sepse nuk mund të kisha pranë njeriun që me të vërtetë më pëlqente, ndërkohë që nga ana tjetër, ai nuk dinte asgjë dhe as nuk guxoja t’i thoja kujt se si ndihesha apo se sa ndjeja unë për atë profesor që, për fat të mirë apo të keq, erdhi atëhere kur nuk duhet të kishte ardhur. E shihja dhe e ndjeja shpirtin të më copëtohej përditë e më shumë. Nuk kisha mundësi as t’i thoja apo t’i shprehesha dikujt sepse ajo që ndjeja nuk mund të bëhej e ditur për askënd. I vetmi që e dinte ishte Geri (djali me të cilin supozohej se do të kisha një lidhje shumë të bukur dhe që më vonë doli se do të ndodhte pikërisht kështu)…
Problemet filluan më vonë, kur unë u mbylla në vetvete sepse ndodhi diçka që nuk e kisha parashikuar. E vetmja shpresë që më mbante ishte që të mbaroja shkollën dhe, pasi të mos kisha më asnjë lidhje me ambientin e saj, në një mënyrë apo në një tjetër, t’i tregoja profesorit atë që ndjeja, me mendimin se edhe ai mund të më përgjigjej njësoj. Ishte dashuria ime e parë dhe isha shumë e ngazëllyer, në të gjitha kuptimet. Papritur, ndodhi ajo që nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend se mund të ndodhte, aq më tepër në ato momente. Profesori u fejua dhe, sipas fjalëve, e fejuara ishte bashkëmoshatare me të. Ata kishin qenë në fillim shokë shumë të mirë dhe më pas kishin krijuar një lidhje shumë të gjatë, e cila u kurorëzua me fejesë. Mua sa nuk më ra qielli në kokë; nuk dija çfarë të bëja dhe faktikisht, atij nuk mund t’i vë faj sepse ai nuk dinte asgjë. Unë, zëre se u çmenda; nuk haja, nuk flija, nuk flisja me njeri, në mësime rashë shumë, u dobësova, nuk doja të shihja askënd; gjithçka përreth më dukej gri. Ajo që nuk kuptoja ishte se përse duhet të ndihesha ashtu kur unë nuk isha provuar prej atij as përqafim, as përkëdhelje, as puthje, asgjë…
Kisha kaq shumë nevojë për profesorin, isha xheloze për të fejuarën e tij, por vetëm atë nuk e urreja dot. E shihja mëngjes për mëngjes në shkollë dhe më dukej njeriu më i mirë në botë, më i bukuri, më i dashuri dhe vetëm ideja që do ta shihja në shkollë, më mbante pak me qejf dhe më jepte kurajo që të vazhdoja jetën. Për shumë kohë, u ndjeva keq e më keq, sa nuk po kuptoja më ku e kisha kokën; nuk doja më të jetoja…
Kur i kujtoj sot ato që kam kaluar, e quaj veten shumë budallaqe sepse nuk ia vlen ta torturosh veten tënde për gjëra që as vetë nuk i ke të qarta, aq më tepër kur bie në dashuri me dikë që nuk është dhe as nuk duhet të jetë për ty. Për një periudhë kohe unë urreja gjithçka dhe çdo gjë që kishte të bënte me të, por sot, në heshtje, i kërkoj falje sepse ai s’kishte asnjë faj pse unë po vuaja ashtu.
Sa për Gerin, dua t’ju tregoj se sot ai është i dashuri im dhe, shumë shpejt, do të fejohemi. Sot, atë e dua me gjithë shpirt sepse është i vetmi që e di për këtë histori dhe, pas gjithçkaje që ndodhi, më qëndroi afër dhe më kuptoi, edhe pse ishim vetëm 18 vjeçarë dhe unë u humba në dashurinë për atë profesor që kurrë nuk e mori vesh se dikush e donte më shumë se jetën e tij. Sot ndihem mirë dhe për këtë falënderoj prindërit e mi e Gerin, që është njeriu me shpirtin më të bukur në botë…
Ju falënderoj që patët durimin ta lexonit historinë time dhe, nëse keni ndonjë vërejtje, unë do t’jua mirëprisja sepse e di që kam gabuar, edhe pse nuk kam dëmtuar njeri tjetër, veç vetes time…