Nëse të pëlqejnë surprizat dhe ndryshimet e lukut, provo të lyesh flokët e tu. Do të bëhesh bionde platin apo brune sensuale? Sido që të jetë, vetëm për disa minuta mund të arrish lukun që të pëlqen. Ja pyetjet që bëjnë më shpesh gratë që duan t’i lyejnë flokët në shtëpi dhe përgjigjja për to…
– Si ta zgjedh ngjyrën?
– Para se të lyesh flokët, duhet të zgjedhësh ngjyrën që të pëlqen. Ngjyrat janë klasifikuar secila sipas një toni të caktuar, të përdorur nga parukierët profesionistë. Janë 10 tonalitete, që shkojnë nga më e hapura, deri te më e errëta. Këtyre u shtohen edhe reflekset. Dallohen këtu reflekset e ngrohta (të arta, ngjyrë bakri, gështenjë e të kuqërremtë) dhe reflekset e ftohta (hiri dhe i ylbertë). Për të ditur në çfarë tonaliteti do t’i lyesh flokët, mjafton të shohësh ambalazhin e bojës. Kështu, në një formë të thjeshtë, do të mësosh se cilat janë tonet me të përshtatshme për ngjyrën tënde natyrale.
– Të përdor bojë e përhershme apo të përkohshme (shampo)?
– Një shampo kolorante shpëlahet pas 6-8 larjesh, ndërsa një ngjyrë gjysëm e përhershme, zgjat 6-8 javë. Përsa u përket bojërave të përhershme, ato nuk zhduken dhe duhet të presësh që floku të rritet, për t’u rikthyer te ngjyra natyrale. Duhet të kesh parasysh se shampot nuk përmbajnë amoniak, sepse vetëm i japin ngjyrë dhe refleks flokut. Për këtë arsye, ai dëmtohet më pak. Megjithatë, këto produkte i mbulojnë vetëm pjesërisht thinjat. E vetmja që mund t’i mbulojë thinjat plotësisht, është boja e përhershme. Ajo, gjithashtu, mund të përdoret edhe për të hapur apo errësuar ngjyrën e flokëve.
– Çfarë masash paraprake duhen marrë?
– Së pari, duhet të sigurohesh që nuk je alergjike ndaj disa përbërësve të produktit. Amoniaku është një element shumë toksik dhe i dëmshëm, që mund të irritojë dhe të djegë lëkurën e kokës, kur ajo është delikate.
– Si bëhet lyerja?
– Si fillim, bëj një provë 48 orë më parë. Përgatite përzierjen në momentin e fundit dhe procedo me aplikimin. Nëse është hera e parë që i lyen flokët, shpërndaje gjithë produktin në mënyrë uniforme në të gjithë kokën, deri te majat dhe lëre të veprojë për 10 minuta. Më pas, aplikoje në rrënjë dhe lëre të veprojë gjatë kohës që është shënuar në ambalazhin e bojës. Nëse do të lyesh vetëm rrënjët, ose floku është i ndjeshëm, aplikoje bojën vetëm te rrënjët dhe lëre për 20 minuta. Më pas, lyej gjithë flokun e majat e tij dhe lëre të veprojë për 10 minuta. Kur të ketë mbaruar koha e duhur, shpëlaji flokët me ujë të vakët. Masazhoje mirë lëkurën e kokës dhe shpëlaje me ujë të bollshëm. Në fund, përdor një shampo të veçantë për flokët e lyer.
Disa këshilla shkurt
– Një ditë para lyerjes, laje kokën me një shampo ushqyese për të rigjallëruar flokun.
– Vazhdo me instruksionet hap pas hapi dhe mos evito asnjërin.
– Mos harro të përdorësh dorezat; janë të domosdoshme.
– Shpëlaje kokën me ujë të bollshëm, pas lyerjes.
– Pas lyerjes, kujdesu për flokun me shpampo për flokë të lyer. Nëse shkon me pushime ose në plazh, përdor një shampo me filtër diellor.
– Që lyerja të fiksohet mirë, apliko maska ushqyese mbi gjithë flokun. Mos harro ta ushqesh flokun tënd pas lyerjes.
– Evito lyerjet e shpeshta, sepse boja e dëmton flokun.
– Kujdes me lyerjen me këna; përdore vetëm kur je e sigurtë për ngjyrën dhe rezultatin, pasi lyerja me këna nuk mbulohet me lyerja me bojë. Nuk këshillohet të bësh njëra pas tjetrës këto dy lloje lyerjesh. Duhet të presësh që të rriten flokët.
– Nëse është hera e parë që i lyen flokët, evito lyerjet shumë agresive ose shumë të errëta, sepse duhet kohë që të mësohesh me imazhin tënd të ri.