E dimë mirë se ka gjëra që duhen evituar kur e ke zemrën e thyer. Prova janë këto dhjetë gabime që nuk duhen bërë asnjëherë pas ndarjes!
1. T’u telefonosh gjithë miqve për të sharë ish-in
Në moshën 15 vjeçare, e kishim zakon të kërkonim këshillën e shoqeve para se të puthnim një djalë. Në moshën 20 vjeçare, me shoqen e ngushtë bënim listën në kolonat “pro” dhe “kundra”, për të ditur nëse duhej të rrinim me X-in, ose jo. Në moshën 30 vjeçare, është mirë të evitojmë (me gjithë dëshirën e madhe) t’u telefonojmë gjithë miqve që kemi, për t’u ankuar dhe kritikuar “këtë bastard”, “këtë pervers impotent”, “këtë derr të ndyrë”. Nga njëra anë, sepse ai mund të ketë krijuar pak shoqëri me ta që prej kohës kur ishit bashkë dhe nga ana tjetër, sepse ju mund të rilidheni përsëri me të në një të ardhme, ku i dihet? Atëhere, veproni si e rritur dhe mbajeni brenda hidhërimin gjatë orëve të para, ose flisni vetëm me shoqen e ngushtë, që të mos pendoheni më pas për sharjen e “perversit impotent”.
2. T’i telefonosh ish-it para këtij ish-i
Le të jemi të sinqerta: Sapo ndahemi ose na lënë, kemi vetëm një dëshirë: T’i telefonojmë të dashurit të vjetër, me të cilin kemi qenë të lumtura të paktën 4 muaj rresht. Kemi dëshirë ta shohim në sy këtë burrë me të cilin kemi jetuar një histori dashurie reciproke, gjë që na rijep shpresë (megjithëse në fakt, lidhja ka qenë katastrofike) kur mendojmë se si tjetri, “derri i ndyrë”, na ka braktisur. Por, ka ardhur koha të ndryshoni reflekset e gabuara, sepse të rrish me ish-in para ish-it, do të thotë thjesht të gërmosh më thellë në të shkuarën, ndërkohë që duhet shkuar përpara. Ide super e keqe!
3. Të strehohesh te shoku gej (ose kushërira e martuar)
Në këto kohë beqarie të sapofilluar, ndjeheni keq shpirtërisht dhe ju duhen miq të lidhur me qendrat tuaja të interesit. E dimë se keni vetëm një dëshirë: Të kontrolloni profilin e Facebook-ut të ish-it tuaj çdo 30 sekonda, por duhet të bëni atë që është duke bërë edhe ai në këtë moment: Të zbaviteni! Kur të dilni me shoqërinë e shokut gej, do të ndjeheni shpejt një grua e shkretë, e rrethuar nga burra që duan burra të tjerë. Edhe me kushërirën e martuar ju do të shkoni të flini në orën 22.00 dhe do rrini zgjuar në dhomën tuaj deri në mëngjes, përsëri duke kontrolluar Facebook-un e ish-it. Pra, jo! Më mirë telefonojuni shokëve që festojnë gjithë natën dhe mos harroni se pas një rënieje, duhet t’i hipni menjëherë kalit, përndryshe fillon trauma. Shoku gej do ta kuptojë; kushërira, gjithashtu.
4. Të prisni flokët
Ju kuptojmë… Keni dëshirë të rimerrni në dorë jetën tuaj, t’i bëni gjërat më mirë. Kështu, pra, keni dëshirë të ndryshoni gjithçka, që nga veshjet e deri te flokët, për të filluar një jetë të re. Por, kujdes! Ato që shkojnë me zemrën e thyer te parukieri, marrin vendime radikale! Për fat të keq, për të joshur dhe rihipur në kalë, është shpesh më e lehtë ta bësh me flokë më të gjatë se 5 cm. Sidomos, nëse zakonisht i mbani në mes të shpinës…
5. Të grindeni me të afërmit
Kur vuan përbrenda, të gjithë njerëzit të nervozojnë, sepse nuk e kuptojnë që kjo ndarje nuk është si të tjerat, se ju ishit ndryshe dhe sa e trishtuar ndjeheni. Edhe fjalët më banale për t’ju ngritur moralin, i perceptoni si të padurueshme: “Dil, do të të bëjë mirë, takohu me shoqërinë”, “Merru me veten, bëj atë që të pëlqen”, “Të kisha thënë që ishte idiot”… Shkurt, nuk llogariten herët kur ia keni mbyllur telefonin shoqes suaj që nuk e kupton ende se nuk keni dëshirë të dilni, të takoheni me shoqërinë, të merreni me veten dhe se, thjesht, jeni shumë e trishtuar për faj të atij idiotit…
6. Të hani ç’t’ju dalë para
Nëse dilni me shoqërinë dhe hani me të ose nëse vini para tasin e akullores kur uleni para televizorit për të parë komeditë romantike që i shihni vetëm, apo çokollatat që thonë se ngrenë moralin, do t’ju duhet të bëni 10 km vrap çdo mëngjes për të mos shtuar në peshë. Atëhere, kujdes me kaloritë dhe rrofshin mollët jeshile! Për ato, të cilave ndarja u bën efektin e kundërt, duke u prerë oreksin: Mendoni se do të humbisni format dhe ndonjë darkë, hani pa u ndjerë në faj, një pjatë plot me patate të skuqura.
7. Të veproni si një histerike virtuale
Të hiqni brenda një ore ish-in nga miqtë e Facebook-ut, apo të hidhni foto në instagram me koktejlet që pini nëpër diskotekat në modë, etj., janë ide të këqija pas ndarjes. Ne nuk jua këshillojmë histerinë virtuale që konsiston në përmbysjen e gjithë zakoneve tuaja vetëm për t’ia përplasur në fytyrë ish-it. Mos u dehni, hidhni në instagram foto si zakonisht, evitoni statuset në Facebook, të tipit: “Tani jam më e lumtur se më parë”. Mos e bombardoni internetin me fotot e grupit të ri të miqve dhe prisni me durim momentin më të përshtatshëm për të hequr ish-in nga miqtë. Mos e hiqni menjëherë, që të mos dukeni si e egërsuar, por vetëm kur ai fillon të postojë gjëra që të shqetësojnë. Ndërkohë, ndiqni këtë rregull të vërtetë: Hyni vetëm një herë në ditë në Facebook. Nëse mund ta evitoni fare, aq më mirë!
8. Të mendoni se jeni në Hollivud
Ky djalë budalla që ju ka lënë me pretekste kot (“Nuk takohem aq sa duhet me shoqërinë”, “Më vjen keq, por gjithmonë kam menduar se gruaja e jetës sime do të ishte kuqe, jo brune”), ose që ju e keni lënë, e lodhur nga karakteri i tij i keq, nuk do të zbarkojë një ditë te ju, në momentin kur ndjeheni më e deprimuar, për t’ju thënë gjithçka që keni ëndërruar të dëgjoni qëkur ishit e vogël dhe shihnit përralla me princër e princesha. As nuk do t’ju dërgojë lule në zyrë për t’ju marrë me të mirë para kolegëve, as nuk do t’i telefonojë fshehurazi shoqes suaj të ngushtë për të marrë vesh si t’ju bindë që të ktheheni mbrapsht, as nuk do t’ju dërgojë letra dashurie… sepse nuk jemi në Hollivud! Në jetën e vërtetë, këto gjëra ndodhin shumë rrallë, bile kurrë. Ndërkohë, mund t’ju ndodhë të takoni një djalë simpatik që ju pëlqen, kur ju përpiqeni të merrni veten pas një ndarjeje… Besoj se e njihni këtë skenar, apo jo?
9. Të lini gjithçka (për të ikur larg)
Papritur, jeni beqare. Çiftet që ecin dorë për dore në rrugë ju bezdisin, shefi ju bezdis, mamaja ju bezdis, bile edhe pasqyrimi juaj në pasqyrë ju bezdis. Ju duket sikur ju ka mbetur vetëm një alternativë: Të gjeni një mënyrë për të ikur diku larg nga e gjitha kjo, në një shtet ose qytet tjetër. Nuk është ide e keqe nëse e bëni vetëm për një fundjavë, ose gjatë pushimeve, por të lini gjithçka për shkak të një ndarjeje dashurore, jo vetëm që është për të ardhur keq, por nuk zgjidh asgjë. Siç e thotë një proverb i lashtë kinez: “Murgu që arratiset, nuk i ikën dot manastirit të tij”. Kudo që të shkoni, do të riktheheni një ditë dhe, ndërkohë, pasqyrimi në pasqyrë mbetet njëlloj, qofshit në Tiranë, apo Honolulu.
10. Të bëni dashuri me ish-in
Kur merr fund, merr fund. Duket shumë e lehtë të ikësh, e sigurtë në vetvete, për t’u rikthyer, e pasigurtë, në shtratin e tij… E dimë mirë se, sapo të keni kapërcyer dozën e këshilluar të alkoolit, ju do të hapni faqen e Facebook-ut për të parë ndonjë dritë shprese, ose do të keni dëshirë t’i telefononi për t’u lidhur prapë me të, apo t’i dërgoni një sms. Të gjitha pretekstet janë “të mira”… Edhe ai mund të bëjë tentativa të tilla, duke ardhur te ju të dielën në orën 23.00 për të marrë rrobat e tij. Për fat të keq, megjithëse rrini orë e minutë duke kontrolluar Facebook-un apo telefonin, nuk jeni ende gati për të pasur një lidhje “të rastësishme” me të. Ta themi mes nesh… Është pak e trishtueshme të përjetosh një histori dashurie me dikë, për ta kthyer atë në histori seksi! Në këto raste, më mirë ngushëllojeni veten me atë thënien e njohur “Një bie, mijëra ngrihen!”