Në ditët e sotme, nuk është më e pamundur të zgjidhen problemet seksuale mashkullore, siç është problemi i ereksionit apo çlirimi nga çdo lloj ankthi që ka lidhje me seksin. Ne flasim e flasim për problemet e burrit dhe zgjidhjen e tyre, por nuk duhet harruar se edhe gruaja vuan nga këto probleme mashkullore dhe janë pikërisht ato probleme që mund ta çojnë marrëdhënien drejt shkatërrimit e çiftin, drejt ndarjes. Atëhere, çfarë prisni për t’i rregulluar?
Problemet që minojnë dëshirën seksuale
Problemet e ereksionit nuk janë të rralla. Ato prekin 42% të burrave gjatë të gjithë jetës së tyre. Me fjalë të tjera, këto probleme i provojnë thuajse gjysma e popullsisë mashkullore. Dhe, nëse për disa, ky dështim është momental, për të tjerë, ka raste kur mund të jetë edhe i qëndrueshëm. Fatkeqësisht, sipas studimeve, burrat presin mesatarisht një ose dy vjet derisa të interesohen për ta zgjidhur problemin. Dhe, kur themi kështu, nuk e kemi fjalën vetëm për meshkujt shqiptarë, pasi studimi për të cilin po flasim, është një studim i bërë me meshkujt evropianë në përgjithësi. Pse ndodh një gjë e tillë? Sepse problemet e ereksionit, i bëjnë meshkujt të ndihen shumë konfuzë dhe të ndjeshëm… Megjithatë, duhet patur parasysh se nuk janë vetëm ata që e përjetojnë në këtë mënyrë; të njëjtën gjë mund të themi edhe për partneret e tyre.
Nëse burri vuan; e njëjta gjë ndodh edhe me gruan
Problemi seksual mund të jetë pasojë e një vështirësie të jetës në çift, por mund të ndodhë edhe e kundërta; të shndërrohet vetë ky problem në shkak i problemeve të çiftit, madje edhe të ndarjes. Burri, në ankth për shkak të performancave të tij të këqija, nuk mendon se edhe partnerja e tij mund të vërë në dyshim kapacitetin e saj seksual: “Nuk e eksitoj më?”, “Nuk i pëlqej më?”… Këto pyetje dhe të tjera si këto, mund të minojnë besimin e partneres te vetja. Kjo humbje e sigurisë mund të shkaktojë një pakësim të kënaqësisë dhe në të njëjtën kohë, pakësim të dëshirës seksuale.
Vështirë ta rikthesh dëshirën e humbur
Shumë burra preferojnë të mbyllen në vetvete dhe refuzojnë të flasin për problemet që kanë. Komunikimi është thelbësor për mirëfunksionimin e lidhjes në çift, sidomos për gruan, e cila e bazon lidhjen e saj me partnerin pikërisht te dialogu, nëse flitet për ndjenja apo për seks. Rreziku më i madh është ta shohësh dëshirën të pakësohet pak e nga pak.
Kujdes! Do të jetë shumë e vështirë ta rizgjoni pas një periudhe të konsiderueshme mungese. Nganjëherë, çifti ia del mbanë, pavarësisht të gjithave, të vazhdojë të ketë një jetë seksuale, por burri, i përqendruar në ereksionin e tij dhe në frikën se nuk do të mund ta ruajë gjatë, mund të pakësojë kohën që u kushton përkëdheljeve para seksit, për t’u përqendruar vetëm te penetrimi, duke i provokuar dhimbje të mëdha gruas.
Ja pra tek fillon të krijohet rrethi vicioz: Frika se do të ketë dhimbje në një raport tjetër seksual, mund të provokojë irritimin e muskujve të vaginës gjatë penetrimit, duke sjellë kështu dhimbje të tjera, pakësim dëshire, shmangie nga ana e gruas, ftohje e kështu me radhë… raportet intime bëhet, pak nga pak më të rrallë me kalimin e kohës.
Rëndësia që ka këshillimi në çift
Mund të ndodhë që një problem seksual mashkullor të rikthehet dhe të turbullojë suksualitetin e gruas, duke goditur dëshirën e saj seksuale e duke shkaktuar bllokime psikologjike e fizike. Në këtë rast, në vend që t’i drejtohesh e vetme mjekut tënd gjinekolog apo seksolog për të trajtuar problemin e ereksionit, pse nuk vendos të shkosh e shoqëruar? Në këtë mënyrë, mjeku mund të përfitojë nga situata dypalëshje dhe të gjejë trajtimin më efikas; një kurë mjekësore apo një terapi psikologjike. Në çdo rast, megjithëse është thelbësore që burri të jetë një mbështetje për gruan, edhe gruaja duhet të bashkëpunojë. Mos harroni se seksualiteti bëhet në dy! Nuk është e vërtetë se trajtimi i këtyre problemeve i takon vetëm njërit.
Seksologu mund të propozojë, nëse është e nevojshme, ushtrime që do të nevojiten për ta ndihmuar çiftin të rigjejë dëshirën për të bërë dashuri. Gruaja do të mësojë të eleminojë ndjenjën e fajit dhe do të rifitojë besimin në vetvete. Mjeku mund të propozojë edhe një terapi për të rizbuluar së bashku një jetë seksuale harmonike. Pse pra ta humbni këtë rast?
Kush preket nga problemet seksuale?
Problemet seksuale mashkullore apo femërore janë të njohura për frekuencën e lartë që i karakterizon. Megjithatë, mbi këtë argument nuk ekzistojë studime epidemiologjike të nivelit të lartë. Duke u përpjekur të stabilizojnë me saktësi frekuencën me të cilën paraqiten këto probleme, dy kërkues amerikanë kana analizuar 52 punime të publikuara në këto dhjetë vitet e fundit mbi këtë argument. Po ju propozojmë pra, një vështrim të shkurtër mbi këtë temë… Ju sigurojmë se është shumë interesant dhe ndihmues…
Disfunksionet seksuale te gruaja
1. Vështirësi për të arritur orgazmën
Sipas studimeve më të besueshme, të bëra në një zonë gjeografike të gjerë (Në Evropën e Veriut), 4 deri në 7% të grave janë të prekura nga ky problem. Një studim amerikan nga ana tjetër zbulon se… 24% të grave deklarojnë se nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë orgazmën përgjatë disa muajve të vitit paraardhës. Kjo diferencë në përqindje mund të varet nga kriteret e përzgjedhura për të përcaktuar diagnozën nga njëri studim te tjetri.
2. Mungesa e lubrifikimit
Sipas studimeve, nga ky problem preken 22%-41% e grave, por në të gjitha rastet, metodologjia e përdorur në studim është e kontestueshme.
3. Probleme të dëshirës seksuale
Shtatë studimet e realizuara mbi këtë argument, kanë arritur në përfundimin se nga ky shqetësim vuajnë nga 5 deri në 46% e grave. Në këtë rast, kemi arsye të besueshme për të menduar se bëhet fjalë më shumë për një problem në përkufizimin e dëshirës seksuale.
4. Dhimbje gjatë raporteve seksuale
Studimet kanë arritur në një vlerë përqindjeje që varion nga 3-18% e popullsisë së përgjithshme. Edhe në këtë rast, të dhënat janë marrë me metoda matjeje shumë të ndryshme nga njëra-tjetra.
Disfunksionet seksuale te burrat
1. Vështirësi për të arritur orgazmën
Nga ky problem vuajnë rreth 8% e burrave. Kjo përqindje është thuajse e njëjtë në të shtatë studimet e kryera mbi këtë temë.
2. Ejakulimi i parakohshëm
Sipas njërit prej sondazheve, kjo vlerë mund të arrijë deri në 20%, te burrat që kanë varësi ndaj alkoolit.
3. Defiçit ereksioni
Çfarë kemi parasysh me shprehjen: “Defiçit” i ereksionit? Kjo nënkupton mungesën e ereksionit apo që ereksioni ekziston, por nuk është i mjaftueshëm ose është shumë i shkurtër? Me gjithë këtë mangësi të përkufizimit, mund të themi se rezultatet e studimeve janë, gjithsesi, kuptimplota.
Sipas 10 studimeve, deri në 10% të burrave vuajnë nga një problem i tillë, që është mjaft shqetësues (vihet re këtu ndikimi i faktorëve të ndryshëm, siç janë patologjitë e zemrës, diabeti, hipertensioni, ulçera, artriti, alergjia dhe duhanpirja). Te të moshuarit, kjo përqindje arrin deri në 20%-52%. Në moshat e treta, vihet re një fenomen i përgjithshëm: Të anketuarit kanë patur dy herë më pak ereksione gjatë vitit paraardhës.
Pse ndjej dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale?
Nëse marrëdhënia seksuale shoqërohet me dhimbje, gruaja provon një rënie të dëshirës dhe nuk e arrin orgazmën. Nganjëherë, shkaku i këtyre dhimbjeve është shumë banal… Nëse nuk ekziston dëshira për të kryer marrëdhënie, nëse bëhet penetrimi para eksitimit, para lubrifikimit të vaginës, penetrimi shndërrohet në një akt të padëshirueshëm dhe të dhimbshëm. Nga ana tjetër, duhet kuptuar nëse dhimbja provohet që nga kontaktet e para seksuale apo ka nisur që nga një moment i caktuar i jetës (operacion, infeksion, lindje). Sidoqoftë, është e rëndësishme të mësohet nëse bezdia apo dhimbja është në hyrje të vaginës apo në fund të saj.
Origjina e dhimbjes mund të jetë organike (gjinekologjike, urinare, vaskulare, dermatologjike) apo psikologjike. Shpesh, shkaqet janë të panjohura, por pasojat, vërtet të rrezikshme: Ne humbasim besimin te vetja dhe, nëse shkaqet fizike vazhdojnë, trupi ynë bllokohet. Kjo do të thotë: Lamtumirë kënaqësi!
Shkaqet fizike
Së pari, një grua duhet të kontrollojë nëse në buzët e vaginës apo në hyrje të saj ka ndryshime të sipërfaqes së lëkurës. Si?
– Vendos një gisht në vaginë për të gjetur pikën në të cilën ndihet dhimbja, për të parë nëse është një muskul shumë i tendosur, një kontraktim apo diçka tjetër.
– Përpiqu të kuptosh nëse dhimbja është e vetmja simptomë apo ajo është e shoqëruar nga djegie, kruarje apo gjakderdhje.
– Kujtohu nëse dhimbja është e lidhur me ciklin menstrual apo me një pozicion të caktuar gjatë seksit.
– Vër re nëse zgjat përgjatë të gjithë raportit seksual apo vetëm në fillim, vetëm në fund apo nëse e ndjen një ditë më pas.
Dhimbjet në fillim të marrëdhënieve seksuale
– Konsultohuni me një mjek. Ai mund ta gjejë lehtësisht shkakun e kësaj dhimbjeje, që mund të jetë një infeksion (shpesh, një cistit, një puçërr apo SST), një problem dermatologjik (si për shembull një ekzemë) apo anatomik (pas një lindjeje të vështirë apo heqjes së mitrës). Një konsultë dhe ekzaminim do ta gjejë menjëherë shkakun e kësaj dhimbjeje, ndaj është një mundim i kotë ta provosh dhe ta durosh atë, pa kërkuar ndihmën e mjekut.
Dhimbjet e thella, që kanë shkaqe psikologjike
Një lloj ankthi, para penetrimit, mund të pengojë relaksimin e muskujve dhe lubrifikimin, duke e bërë të dhimbshme tentativën për penetrim: Kur fillon dhimbja, edhe ankthi shtohet dhe penetrimi bëhet akoma më i vështirë.
Shqetësimi mund të jetë pasojë e frikës nga sëmundjet, nga mendimi se penisi mund të jetë shumë i madh për t’u futur në vaginë, nga frika se mos nuk je në lartësinë e duhur, nga konfliktet me partnerin… Origjina e dhimbjeve mund të jetë edhe më pak e dukshme, e lidhur kështu me konflikte të panjohura apo probleme të nënndërgjegjes, për të cilat, duhet të kërkoni ndihmën e psikologut klinicist apo seksologut.
Luftimi i këtyre tabuve që paralizojnë trupin e kënaqësinë, relaksimi, kërkimi e rigjetja e kënaqësisë, mund të jenë pikënisja e një evolucioni në çift. Me shpjegime e këshilla, mjeku (i përgjithshëm, gjinekolog apo seksolog) do t’ju ndihmojë të çdramatizoni situatat e pakënaqshme që po përjetoni, ndaj, mos hezito, është shumë e lehtë: Kërko menjëherë ndihmën e tij!