Ai është i gjatë, ka humor, është aktor shumë i mirë por drejton një emision investigativ. Devis Muka bashkë me Dorian Ramaliun kanë një mision human dhe të rëndësishëm, për të sjellë në fokus dhe zgjidhur problemet dhe hallet e shqiptarëve që nuk gjejnë dot asnjë zgjidhje në instanca shtetërore dhe shohin si dritë jeshile emisionin “Fiks Fare”. Devisi, në këtë intervistë tregon çfarë i ka zili politikës, kë ka mik dhe armik, marrëdhënien e tij me Dorin dhe shumë gjëra të tjera të cilat bëni mirë t’i zbuloni vetë në intervistën më poshtë…!

Fabjola Kuburi:- Devis përshëndetje! “Fiks Fare” të është bërë si shtëpia tani apo jo? Ç’të reja ka ky sezon i ri?

Devis Muka:- Në fakt Fiksin e kam shtëpi dhe shtëpia më është bërë si hotel pasi gjithë dita më shkon me “Fiksin”. Fat për mua që gruaja më mban akoma mend si fytyrë se dhe mund të meë lërë jashtë ndonjë ditë. (Qesh) Të rejat në “Fiks” janë të përditshme pasi hallet dhe ankesat nuk kanë fund tek “Fiksi” dhe përdite janë të ndryshme.

– Për më tepër, kanë ardhur velina të reja… Më përshkruaj pak si të duken Mariana dhe Artea? Të ka marrë malli për të vjetrat?

-Ah velinat…! Sa më të mira të jenë aq me hall është për ne se na heqin vëmendjen.(Qesh) Të dyja janë shumë të mira edhe pse unë mbyll syte kur kërcejnë se e kam një “velinë” në shtëpi. Më te mëparshmet vazhdojmë takohemi sepse jemi bërë miq shumë të mirë.

– Thuhet se “Fiks fare” e ka rritur shumë shikueshmërinë kohët e fundit, meritë për të cilën ke ti, Dori e i gjithë stafi, ke ndonjë përkufizim për këtë vlerësim?

– Stafi vetëm stafi, që nga Kapiten Filipi dhe gjithë të tjerët. Ne jemi vetem marinarë të anijes së “Fiksit” që vështirë ta ndalin.

– Çfarë e bën “Fiksi-n” të arrijë të korrë rezultatet e kërkuara?

– Fiksi është nga emisionet me jetegjata në Shqipëri. Dhe nuk i thonë pak 16 vjet emision që e kthejnë atë në një institucion prandaj dhe tek zyrat e Fiksit përditë ka me dhjetëra njerëz.Tek ne nuk bëhen vetëm denoncime, tek ne dy në tre halle zgjidhen.

Nga 1-10 tek cila shkallë qëndron miqësia, bashkëpunimi yt me Dorin? Ziheni ju të dy ndonjëherë apo nuk ndodh?

– Zero. Ne nuk jemi miq pasi kaq vite që njihemi në shkollë, punë, jetë jemi bërë vëllezër. Edhe pse ai është më i madh vëllai i madh jam unë.

-Ju kanë kërcënuar ndonjëherë për shkak të çështjeve që trajtoni në emision?

– Sa te duash. Por kur je në anën e së drejtës dhe të vërtetës nuk na frikëson. Ne çdo ditë bëjmë miq dhe armiq me punën tonë.

-Ka ndodhur që ndonjë politikan t’ju shikojë shtrembër për stigmatizimet që bëni?

– Shumë prej tyre por ne sa më inat të na ketë politika aq me të lumtur na bën pasi tregon se e kemi bërë punën mirë. Miq kemi vetëm popullin, politikën është mirë ta kemi rivale.

– Dev, ti je një ndër aktorët më të dashur të skenës shqiptare. Ç’po bën aktualisht me aktrimin?

– Tani luaj vetëm për vajzën time pasi edhe koha nuk më lejon të jem afër skenës. Por së shpejti besoj do rikthehem tek dashuria e parë, aktrimi.

– Çfarë mesazhi do t’u jepje armiqve të tu(nëse mendon se ke)?

– Për të ecur në jetë të duhen miq dhe nëse do të kesh suksese duhet të kesh armiq. Armiqtë janë suksesi im, por mënyra më e mirë për t’a mundur një armik është ta bësh mik.

– Në situata të ndryshme je më shumë optimist apo të kap ndjenja e pesimizmit?

– Ne ndeshemi përditë me pesimizëm në historitë që trajtojmë por nëse nuk do ishim optimistë nuk do mundnim t’i jepnim shpresë njerëzve.

-Çfarë do ndryshoje në jetën tënde po qe se koha do të kthehej mbrapsht?

– Asgjë, pasi për mua çdo gabim më është kthyer në mësim. Jeta do jetuar siç të vjen, gjërat nuk ndryshohen por jetohen.

– Të pëlqen politika, meqenëse ke të bësh me të në çdo emision?

– Politikës i kam zili pasurinë. Por politika i ka zili popullit gjumin qe ben rehat. Une fle rehat per vete.

-Flokët i mban të gjatë në funksion të …?

– Flokët po i mbaj të gjata pasi po pres që kur Shqipëria të hyje në BE, ti pres. Por besoj se kam kohë.(Qesh)

-Gjëja më e këndshme që ke dëgjuar nga publiku jot?

– Ah, më e bukura ishte një nënë që tha: “Të dua dhëndër për çupën o djalë”. Sa mirë që gruaja ime nuk ishte aty.

– Më e bukura dhe më e vështira që mban mend gjatë punës në ekran?

– Vështirsitë e bëjnë të bukur punën tonë, pa to nuk ka rezultate.

– Si e menaxhon dhe sa e ndjen sot peshën e të qenit person publik?

– Nuk e menaxhoj fare pasi jam shumë i thjeshtë, nuk kam as vilë, as makinë të shtrenjtë dhe as badigard.

-Me telekomandën në dorë, duke bërë lundrim nëpër stacione… cilat programe të ekraneve shqiptare ta “rrëmbejnë’ vëmendjen?

– Ah, ligjin në shtëpinë time e bën vajza e vogël prandaj këtë periudhë mund të flas me kopetencë vetëm për filmat me kukulla.

– Cilat prej programeve të dikurshme të ngjallin nostalgji?

– Për spektaklin “Pa Limit” jo se isha pjesë e tij por realisht solli një energji në të gjitha shtëpitë e shqiptarëve. Prandaj dhe sot jane të shumtë ata që i kujtojnë çmenduritë e tij.

– Sa edukativ është televizioni sot, sipas teje?

– Varet nga programet, pasi ka programe që janë edukativë por ka dhe të tjerë që duhet hedhur televizori nga ballkoni kur fillojnë.

-Çfarë do të dojë të shihnin, për shembull, fëmijët e tu tani dhe në të ardhmen?

– Të shikojnë çfare të duan, siç kam bërë dhe unë, fundja!

– Në fund, mesazhi yt për ata para dhe pas ekranit…

– Mos u qani kot, po keni halle ejani tek “Fiks Fare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *