Këngëtaret që këndojnë me shpirt dhe që kanë talent, sa vijnë e pakësohen e prandaj kur të takon të realizosh një intervistë me një këngëtare si Festina Mejzini, e gjithë intervista është plot botë, plot pasion dhe dashuri për atë që ajo di të bëjë më mirë, të këndojë. Festina, përveçse një këngëtare e mirë është edhe një e diplomuar  në një fushë si ajo e Mjedisit dhe e Planifikimit Urban që pak ka të bëjë me këngën, por e kompleton profilin e saj.

Fabjola Kuburi-  Festinë, duket sikur je tërhequr pak nga tregu muzikor… Je e zënë me ndonjë aktivitet tjetër, përveç muzikës?

Festina Mejzini:- Aktualisht jam e angazhuar në një organizate ndërkombëtare si vullnetare, ku jam duke pratikuar profesionin tim për cilin jam kualifikuar në Universitetin Polis në sektorin e Mjedisit dhe Planfikimit Urban. Krahas profesionit tim jam duke ndjekur pasionin  tim muzikën, kur para 2 jave pata nderin të jem e ftuar speciale në koncertin e maestros Shkëlzen Doli.

– Pas këngës “ Tjetër jetë”, me të cilën u paraqite në Festivalin e fundvitit në RTSH, po përgatit ndonjë kënge të re?

– Jam duke punuar rreth albumit tim të parë që do jetë diçka ndryshe një stil i veçantë dhe mendoj që vitin tjetër do realizohet dhe do jetë pranë publikut.

– Ç’të veçantë ka muzika që bën Festina Mejzini?

– Mendoj që e veçanta është që preferoj më shumë stilet specifike të muzikës që ndoshta tek ne janë më pak të dëgjuara si p.sh folk/jazz prandaj dhe tingëllon më e veçantë.

– Duke qenë se ke hyrë që e vogël në botën e muzikës, do vazhdosh të marrësh pjesë në to?

– Mendoj që kur prek njëherë skenën nuk mund të largohesh më dot ndoshta me pauza, por jo gjithnjë.

– Tek “Kënga Magjike” këtë edicion do marrësh pjesë?

– Jo.

– Si mendon, a bëhet më në Shqipëri muzikë e mirëfilltë?

– Mendoj që muzika ka ndërruar totalisht vitet e fundit, është bërë një shabllon ku të gjithë i përkasin një stili dhe një vijë muzikore do thoja nuk ka diversitet.

–  Në ç’rrymë muzikore e gjen më shumë veten? Cilën nuk do e këndoje dot kurrë?

– Soul/Jazz, Blues, Reggae etj, kurse muzikën që ndoshta nuk mund ta këndoj kurrë është tallavaja.

–  Festinë, personalisht mendoj dhe besoj se shumë janë dakord me mua, je ndër këngëtaret ‘big’shqiptare… Është e lehtë të mbash mbi supe një vlerësim të tillë?

– Faleminderit per epitetin, besoj që duhet ende punë për t’a arritur këtë epitet.

–  Risolle këngën “Qesh i lumtur kur të pashë” në një mbrëmje muzikore…më trego pak më shumë për këtë event…!

– Kënga ‘’Qesh i lumtur kur të pashë’’ është  këngë e kompozuar nga gjyshi im, një nder keëngët më të ndjera që mund të them kam në repertorin tim, e adhuroja këtë këng që nga versioni orgjinal i gjyshit tim dhe u mundova të risjellja diçka ndryshe për publikun tonë, në një melodi folk/jazz që ndoshta shumë pak e dëgjuar tek ne. Ishte një mbrëmje gala kushtuar ‘’Krijuesve ndër vite’’ ku siç njihet gjyshi im, Mazllom Mejzini i takon grupit të këngës së vjetër popullore. Ky koncert u organizua nga drejtori artistik Ruzhdi Sadiku dhe maestro i mirënjohur tashmë Shkëlzen Doli, një mbrëmje e paharruar dhe një organizim madhështor që ndoshta i mungon çdo qyteti ku ka shqiptarë.

–  Beson në shprehjen: “Kush punon ha dhe dhe kush s’punon, ha dhe pi”?

– Shumë besoj, më shumë ndoshta se asnjë gjeneratë tjetër.

– Cila është gjëja që të frikëson më shumë?

– Errësira.

–  Po ajo që të lumturon më shumë?

– Suksesi.

–  Si e shikon veten pas 5 vjetësh?

– Në një skenë botërore.

– Beson se gojët e liga ashtu siç janë shprehur këngëtarë të tjerë, përveç publicitetit, s`të prishin asnjë punë?

– Nuk kamë qenë asnjëherë pjesë e këtyre diskutimeve, dhe ky ka qenë qëllimi im që të mos jem pjesë e thashethemeve.

–  Festinë, cila është motoja e jetës tënde nëse ke një të tillë?

– Me punë të sinqert arrihet suksesi.

–  Cilat janë planet e tua për këtë sezon?

– Të punoj një videoklip për këngën që ceka më lart “Qesh i lumtur kur të pashë”.

 

Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për  1 euro ne muaj!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here