Sot, pas përfundimit të mësimit, shumë studentë, nxënës dhe vullnetarë të nismës ndërmorën një aksion pastrimi përgjatë shkallëve të gjata të gjimnazit ‘Ibrahim Muça’ Librazhd dhe territorit përreth. Ideja ishte e një nxënëse të gjimnazit e cila kërkoi ndihmën e nismës dhe vullnetarëve të Korpusit të cilët ishin mëse të lumtur të ndihmonin. Aksioni zgjati rreth 1 orë dhe pothuajse i gjithë territori u pastrua me sukses. Mbeturina nga më të ndryshmet dhe të ‘’shpifura’’ u gjetën përqark. Ky aksion ishte dhe një mesazh për nxënësit e shkollës së mesme për ta mirëmbajtur ambientin sidomos gjatë orës së pushimit dhe ti hedhin mbeturinat në vendin e tyre të caktuar. Gjithashtu shumë qytetarë përshëndetën nismën dhe u shprehën të gatshëm për të bashkëpunuar në aksione të tjera vullnetare. ‘Ky aksion i veçantë që u ndërmor nga të rinjtë, nuk ndodhi në ndonjtë ditë të caktuar mjedisi, por erdhi si pasojë e një nevoje dhe si e tillë duhen të ndodhin sa më shpesh në të ardhmen’.- thotë Arlis Alikaj, aktivist mjedisi dhe drejtuesi Nismës për Mbrojtjen e Lumit Shkumbin.
Vullnetarët e Korpusit të Paqjes, janë duke bërë një punë shumë të mirë duke punuar me rininë dhe duke e fuqizuar atë. Ata janë të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë nga Borshi deri në Tropojë, dhe punojnë në fusha të ndryshme si në shkolla, qendra shëndetësore, bashki duke mbështetur projekte, ndihmuar me përkthime si dhe të mira të tjera për komunitetin dhe zhvillimin e tij. Shqipëria është një nga vendet me fat që përfiton nga ky program.