Ata na zgjojnë çdo mëngjes në “Report TV”. Erjona Rusi dhe Alban Musa janë dy moderatorë që sjellin vetëm rreze në ekran përmes “Rreze dielli” një rreze që transmetohet përmes ekranit, batutave, të ftuarve, buzëqeshjes që sjellin ata të dy.
Fabjola Kuburi:- Erjona dhe Alban, së fundmi ju kemi parë të prezantoni “ Rreze dielli” në “Report TV”. Si është për ju kjo eksperiencë e re?
Albani:- Është një experiencë e bukur të cilën po mundohem ta shijoj sa më shumë.
Erjona:– Për mua, shumë argëtuese dhe sfiduese. Po e nis me këtë të fundit, është sfidë e madhe të ofrosh larmi temash që jo vetëm të tërheqin publikun por të kenë mundësi të nxjerrin në pah një problem social (të paktën një pjesë e tyre) në një kohë kur media është shndërruar në konsum të përditshëm e shpeshherë edhe “ushqim” i dëmshëm. Por është argëtuese sepse që ditën e parë jam ndjerë si në shtëpinë time dhe me Albanin kam një marrëdhënie fantastike prej “dashurie dhe urrejtje”.
-Ju të dy vini nga eksperienca të tjera televizive. Ku ndryshon ky format nga ata që keni prezantuar deri më sot?
Albani:– Ky është një program gjithëpërfshirës, pra nuk ka një tematikë specifike ndryshe nga programi paraardhës që ishte disi më i lokalizuar rreth ushqimit dhe produktit. Duke qenë dhe më i gjerë të jep mundësinë të kesh shumë më shumë variacion në të ftuar dhe tematika.
Erjona:– Së pari, unë s’kam prezantuar kurrë më parë me një partner përkrah dhe kjo ndryshon shumë. Duhet koordinim, bashkëpunim e mbi të gjitha energji e mirë. Për më tepër që kam në krah një aktor, e kjo e bën edhe më argëtuese.
-Pse “Rreze dielli” dhe jo një emër tjetër?
Albani:- Sepse ne rrezatojmë si rreze dielli.(Qesh) Na është përshtatur në perfeksion emërtimi i programit me atë cfarë ne duam të përcjellim nëpërmjet ekranit, vetëm rreze për të tërë.
Erjona:- “Rreze Dielli” quhej përpara se unë e Albani të bëheshim pjesë e këtij formati, kështuqë menduam që s’kishim pse tja hiqnim identitetin emisionit. Ne të dy kemi sjellë brenda kësaj shtëpie që është “Rreze Dielli” secili të veçantën e vet.
-Çfarë vështirësish hasni gjatë prezantimit të këtij formati?
Albani:- Të prezantosh me Erjonën është vështirësi më vete. Duhet të paguhem për vështirësi pune. (Qesh) Bëj shaka. Asnjë vështirësi. Për mua është një argëtim i pamasë dhe me Erjonën shkojmë shumë mirë.
Erjona:- Vështirësitë janë nga më të ndryshmet, duke nisur që nga të ftuarit që nuk u del gjumi.(Qesh) Profesionalisht është sfida e temave sa më të larmishme, interesante dhe të ftuarve që kanë çfarë të thonë apo tregojnë. Por sfidë e madhe është natyrisht edhe orari i emisionit. Në atë orë, një pjesë e mirë e njerëzve sapo kanë nisur ditën edhe duan energji pozitive, duan një “nxitje” apo motivim të bukur për të shkuar në punë, për të vijuar rutinën, për të harruar hallet etj,etj dhe kjo është e vështirë se edhe ne jemi njerëz me ato problemet apo sfidat tona. Kështu që duhet të motivojmë fort veten, për t’a bërë pastaj këtë me publikun.
-Kush jua bëri ofertën për të prezantuar këtë emision?
Albani:- Drejtuesit e televizionit. Në ditët e para të janarit ma propozuan si program dhe unë e pranova. Është bërë një punë kolosale në shumë pak ditë.
Erjona:- Drejtuesit e Report TV, me të cilin si unë edhe Albani kemi patur mundësinë që të bashkëpunojmë edhe më parë. Ishte ideja e tij për të na parë ne të dy në një format krejt të ri, që ne na pëlqeu si ide.
-Cili nga të ftuarit që keni patur në emision ju ka impresionuar më shumë?
Albani:- Është shumë herët për të folur për ndonjë të ftuar kaq impresionues. Besoj se ata do vijnë rrugës.
Erjona:- Them se është ende herët, duhet të presim fundin e sezonit për këtë, por di të them që shijoj shumë çdo të ftuar që është vetvetja dhe që sjell një copëz jete aty në studio, qoftë edhe për pak minuta.
-Shumë punë dhe lodhje… Jeni penduar që keni zgjedhur televizionin?
Albani:- Çdo ditë. (Qesh) Por, ç’e do që s’di të bëj punë tjetër. Se bëj shaka. Jo. Për asnjë moment. Madje jam me fat që bëj atë që dua.
Erjona:- (Qesh) Pyetje prej 1 milion dollarësh. Ka plot momente që pendohem, e ka plot të tjera që them se nuk e ndërroj Televizionin me asgjë. Në fakt është dashuri e veçantë, nga ato që të bën edhe “të vuash”
Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!