Përshëndetje Lorela, unë jam mamaja e një vajze 3 vjeçare. Në përgjithësi shoh një sjellje të mirë pasi dhe po e edukojmë me qetësi por ç’po na dëgjojnë veshët me këto fëmijët e sotëm, dita-ditës po ndryshojnë. Do doja që edhe kur të rritet të ketë besim dhe të jetë e hapur, e lirshme në komunikim me mua, por për ne prindërit jo gjithmonë kjo gjë është e lehtë. Do doja të dija, cila është mënyra më e mirë që ne të kemi një komunikim të mirë, sot dhe në të ardhmen?
Lorela Garuli, psikologe, email lorela_garuli@hotmail.com:- Përshëndetje e dashur dhe të falënderoj që na shkruan, mbi të gjitha për një cështje e cila lidhet me fëmijët. Çdo element që na sjell në vëmendje edukimin e fëmijëve, është e një rëndësie të vecantë, pasi mënyra sesi ne i rrisim, zhvillojmë, sesi i trajtojmë dhe e konsiderojmë, ka të bëjë në mënyrë direkte me personalitetin e tyre dhe me atë që do të bëhen kur të jenë të rritur. Sigurisht që komunikimi është një faktor kyç në mirërritjen e fëmijëve. Mesazhet që ata marrin në familje, mënyra sesi u transmetohet dashuria, sesi u shpjegohen gjërat, si u tregohet se çfarë duhet bërë dhe çfarë jo, ndikon në mënyrë direkte në konceptin që fëmija do të krijojë për veten dhe në shfaqjen e sjelljeve të përshtatshme. Komunikimi është shtylla kurrizore e çdo marrëdhënieje e si i tillë vlen që të tregojmë kujdesin e duhur për të. Ka disa rregulla bazë sesi mund të komunikojmë në mënyrë më efikase dhe më të saktë me fëmijët, në mënyrë që të zgjidhim problemet, por njëkohësisht edhe të jemi një shembull e model i mirë për ta. Fillimisht, duhet të jemi koherentë në atë që themi dhe sesi e themi; pra në atë që quhet komunikimi verbal dhe jo verbal. Përmbajtjen e asaj që themi duhet ta përshtasim me mimikën, gjesten, shikimin, tonin, volumin dhe intonacionin e zërit. Në të kundërt, fëmija mund të ngatërrohet sepse e ka të vështirë të mirëkuptojë mesazhet e dyfishta apo nënkuptimet. Është e rëndësishme që cështjet të cilat diskutohen apo problematikat që dalin të kenë një lloj radhe dhe hierarkie, në mënyrë që dhe fëmija të dijë t’i japë përparësi atyre më të rëndësishme.