Përshëndetje instruktor. Kam dëgjuar që ushtrimet për këmbët cilësohen si më të rëndësishmet në botën e fitness-it. Muskujt e këmbëve në tërësi përbëjnë pjesën më të madhe muskulore të të gjithë trupit dhe si pasojë stërvitja e tyre sjell avantazhe të shumta për trupin e bukur. Çfarë duhet të bëj që të kem këmbë të bukura por edhe disa ushtrime përgjithësuese për fitness. Pres me padurim përgjigjen tuaj. Faleminderit.
Renato Kurti, instruktor, 0696681688:- Përshëndetje, ushtrimet e muskujve të këmbëve janë shumë të rëndësishme dhe është e vërtetë që përbëhen nga masa muskulare të mëdha. Është dhe shumë e vërtetë që të pasurit këmbë të bukura (të tonifikuara dhe me muskuj) normal që paraqitja fizike e jona do të jetë më e bukur. Duhet një stërvitje e përhershme dhe konstante që të shohim një rezultat të kënaqshem tek ne. Të gjithë peshën e trupit në çdo veprim, punë ose stërvitje e mbajnë këmbët. Të pasurit këmbë të forta ndikon në mbajtjen e qëndrueshme dhe të fortë gjatë lodhjeve në punë. Çdo ditë duhet të bësh sa më shumë ecje, të paktën 8km. Kjo ndikon shumë në djegien e dhjamit dhe të tonifikimit. Përveç ecjes nuk duhet të harrojmë vrapimet. Vrapimet janë zemra e çdo sporti. Të këshilloj që të gjesh mundësinë të paktën 2 herë në javë në natyrë. Është dhe pjesa e palestrës që duhet me patjetër sepse është bazë e formimit të muskujve. Ushtrimet e këmbëve mund të bëhen pa nevojën e veglave dhe peshave, të gjitha me peshën e trupit tonë dhe me kosto sa më të vogël. Këto mund të zhvillohen në ambientet e shtëpisë, punës ose gjatë pushimeve. Rëndësi ka që të krijosh ulje ngritje mbi këmbë, të përkulësh trupin dhe të ulesh dhe ngrihesh të paktën 4 sete nga 10. Intensitetin, duhet ta ndjejmë sa më pak dhe sa më lehtë në ditët e para të ushtrimeve. Ushtrimet janë të thjeshta por edhe të vështira njëkohësisht. Mund të kërcejmë lart me të dyja duart dhe gjatë rënies të palosemi me gjunjë dhe përsëri kërcejmë deri sa të ndiejmë që muskujt janë të lodhur dhe kanë nevojë për pushime. Të këshilloj ushtrime pa pesha dhe sa më shumë ushtrime me peshën e trupit ose minimumi me pesha sa më të lehta. Kërcimet janë shumë të dobishme, ngjitjet dhe zbritjet janë të dobishme dhe japin rezultat. Pedalimi me biçikletë është i përkryer për këmbët. Streçing-u (hapjet dhe zgjatjet e muskujve ) ndikon në një formim të bukur muskulor. Ngjitja dhe zbritja e shkallëve, është ushtrim i realizueshëm, kudo ka shkallë, bëje pjesë të programit stërvitor ngjitjen dhe zbritjen e tyre (gjithmon me sete). Këto janë shumë të rëndësishme dhe do të japin shumë efekt. Faleminderit.