– Doktoreshë Rezarta, ju përshëndes. Unë kam vënë syze optike për larg në moshën 17 vjeçare. Pas një viti, numri i syzeve u rrit nga –0.75 gjer në -1. Kjo, mbase sepse i kam sforcuar shumë sytë nga leximet e gjata. Doja nga ju disa këshilla për t’u kujdesur për sytë, që numri im të mos rritet më shumë. A ka mundësi që numri im të korrigjohet? Faleminderit.
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – I dashur letërshkrues! Sipas përshkrimit të situatës që më paraqisni në letrën tuaj, kuptoj që ju vuani nga një defekt apo anomali refraksioni që quhet Myopia Simplex. Me fjalë të thjeshta, ju nuk shihni mirë nga larg. Dritëshkurtësia ka të bëjë me anomali të gjatësisë optike të syrit, e cila është më e gjatë sesa norma. Kur ju keni vendosur syzet, keni qenë në moshën 17 vjeçare, që konsiderohet si mosha e rritjes, kështu që në vizitën e kontrollit që keni bërë më pas, numri është vënë re që ishte rritur (kishte arritur –1.00). Kjo situatë nuk është fare problematike dhe njihet si rritje fiziologjike e trupit; për pasojë, edhe e boshtit gjatësor të syrit dhe e rritjes së numrit të syzeve.
– Nuk mendoj se ka lidhje shumë me faktorin lexim, pra, mos mendoni që kjo rritje numri ka lidhje të drejtpërdrejtë me faktin që lexoni shumë. Më tepër ka lidhje me moshën tuaj, se jeni në moshën e rritjes. Ju sugjeroj që përsa i përket leximit, të lexoni me dritë të mjaftueshme, jo shtrirë, të mos qëndroni gjatë para kompjuterit dhe ta alternoni leximin me periudha çlodhjeje që përfshijnë: një shëtitje në ajër të pastër ose konsumimi i një fruti. Përsa i përket pyetjes nëse korrigjohet numri juaj, ju tashmë e dini përgjigjen: korrigjohet vetëm me mbajtjen e syzeve të përditshme ose me mbajtjen e lenteve të kontaktit. Numri juaj nuk mund të kthehet asnjëherë në zero, pasi është minus dhe miopia nuk neutralizohet asnjëherë, por vetëm korrigjohet me syze apo lente. Shpresoj të kemi sqaruar sadopak disa paqartësi që kishit ju për situatën tuaj të shikimit.
Advertisement