– Jam një emigrant në Trieste të Italisë, i datëlindjes 28.5.1952. Jam me dokumente të rregullta me bashkim familjar me fëmijët. Në Shqipëri kam një vjetërsi pune 34 vite e 6 muaj, të dokumentuara në librezën e punës. Interesohem se si mund të marr pension të parakohshëm në këtë periudhë. A i plotësoj kushtet?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues, në terminologjinë e legjislacionit të ri të sigurimeve shoqërore, sipas ligjit 104/2014, pensioni i parakohshëm, zëvendësohet me termin Pension i Reduktuar.
– Bazuar në ligjin 104/2014 neni nr.17, për të përfituar pension të reduktuar, veprohet si më poshtë:
– Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92 kur:
a) kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92;
b) nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.
– Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koefiçientin mujor të reduktimit. Koefiçienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, është 0.6 për qind në muaj.” Në mënyrë më konkrete, për të përfituar pension të reduktuar, kërkohen 2 kushte;
1. Mosha jo më shumë se 3 vite para moshës për pension pleqërie të plotë.
2. Vjetërsia në punë sipas nenit 92, e cila duke filluar që nga viti 2015 rritet me 4 muaj për çdo vit.
– Në rastin tuaj, për të dalë në pension 1 vit para kohe, kërkohet një vjetërsi kontributive 35 vite e 8 muaj. Për të kompletuar vjetërsinë e kërkuar, sipas mundësive që keni, mund të siguroheni sipas skemës së sigurimit vullnetar. Duke qenë se ju keni gjithsej 34 vite e 6 muaj, mund të paguani në mënyrë vullnetare për periudha të pambuluara me sigurim shoqëror gjithsesj 1 vit e 2 muaj. Nisur nga masa mujore aktuale e sigurimit vullnetar prej 4752 lekësh, ju mbetet të paguani gjithsej 14 muaj * 4752 = 66 528 lekë. Duhet të keni parasysh se pensioni nuk do t’ju llogaritet i plotë, por do të reduktohet me 0.6 për qind për çdo muaj që do të dilni para periudhës normale. Në rastin tuaj, në qoftë se do të dilni në pension 1 vit para, reduktimi i pensionit do jetë 0.6 * 12 muaj = 7.2 të pensionit të plotë të llogaritur. Ju falënderoj për besimin.
Advertisement