Të nderuar botues! Marr shkas për t’ju shkruar nisur nga fjala që ish-kryeministri Berisha mbajti në Parlament e tha se populli duhet të armatoset që të mbrohet. Jam dakord me të dhe ju lutem mos më paragjykoni pa e lexuar deri në fund dhimbjen time. Nuk kam votuar qysh prej vitit një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e shtatë dhe s’më intereson politika, s’më intereson kush e tha, por më intereson ajo çka tha.
Jam nga veriu i Shqipërisë dhe sot jam shtatëdhjetë e tetë vjeç. Zoti më dhuroi shtatë fëmijë si drita, pesë vajza e dy djem. Kam qenë me biografi të keqe dhe gjithë jetën time nuk më la partia të ngrija kokën. Kam jetuar në fshat me rrogë kooperative dhe fëmijët e mi kanë vuajtur edhe për copën e bukës ndërsa rriteshin. Por fatmirësisht u bënë fëmijë të mbarë, nuk më kanë sjellë kurrë as shqetësimin më të vogël. Me ndryshimin e sistemit do të kisha dëshirë që ndonjëri nga fëmijët të shkonte në shkollë, por të gjithë u dhanë pas punës me qëllim që të ndërtonin shtëpinë e të bënin katandi. Nuk kishin faj fëmijët e mi, janë rritur në pikë të hallit. Dy vajzat e para i kam martuar shumë shpejt sapo kanë mbaruar shkollën e mesme. Ranë në familje të mira, por edhe vetë janë shumë punëtore. Djali i madh u martua sapo mbushi të njëzet e pesat me një vajzë të mrekullueshme. Tri dasmat e para i kam bërë sapo hyri demokracia dhe nga qejfi që mund të ftonim të gjithë kushërinjtë dhe ata mund të na vinin pa frikë, kam bërë dasma të mëdha.
Na kish hyrë tmerri pesëdhjetë vite, nuk na ftonte njeri e nuk ftonim njeri. Merreni me mend, kur vdiq babai im në vitin një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë, kemi qenë në varrim vetëm ne të pesë fëmijët e tij me gratë e fëmijët tanë dhe njëra nga hallat tona, së cilës ia kishin pushkatuar të shoqin. Në fakt, për mua s’kishte qenë asgjë vuajtja nga izolimi, në krahasim me hallin që kam sot.
Pasi u martua djali i madh, duhej shtuar shtëpia. Pastaj edhe ajo që kishim ishte ku thërret qameti. Kështu, të dy djemtë e mi vendosën të iknin sërish në Greqi. I madhi kishte shkuar dhe dy herë të tjera dhe me paratë që kishte fituar atje u bë dasma e të vajzës së dytë dhe dasma e tij. Por duhej bërë edhe shtëpia e të dy djemtë e mi morën rrugën e kurbetit.
Ata punuan bashkë në Greqi si gjithë djemtë e shqiptarëve dhe kur erdhën në shtëpi pas gjashtë muajsh, ne vendosëm të hapnim themele të reja nga fillimi. Djemtë në Greqi kishin mësuar të punonin në ndërtim, kështu që nuk na duhej të paguanim ustallarë.
Të dy djemtë e hapën vetë themelin e shtëpisë dhe filluan punën. Ashtu siç rritej e ngrihej muri i shtëpisë, ashtu rritej edhe zemra ime tek shihja djemtë që ishin bërë ustallarë dhe vajza e nusja që bënin punën e hamallit për të ndihmuar djemtë. Pas gjashtë muajsh shtëpia mbaroi, por jo e gjitha, se donte para të madhe. Vëllai i kunatës më dha ca para borxh që ta mbaronim katin e parë të shtëpisë dhe të hynim në shtëpi të re. Kështu, për herë të parë në jetën time në moshën gjashtëdhjetë e një vjeçare, unë kisha një shtëpi të re, me dritare e dyer të reja, me mure të suvatuara brenda e jashtë, me oxhak ku flaka bubulonte çdo natë.
Por Zoti s’më la rehat. Ndërsa djemtë, vajza dhe nusja punonin, nusja e djalit filloi të dobësohej. Në fillim menduam se e kishte nga lodhja, por kur po vazhdonte ashtu, e çuam në spital. Na thanë që njëra veshkë nuk i funksiononte e duhej operuar. E doja si vajzën time, kështu që menjëherë dola te miqtë e mi për të kërkuar para borxh që të bënim operacionin. Për dy muaj i mblodha paratë, por kur mjekët po bëheshin gati ta operonin, morëm vesh që ishte shtatzënë. O Zot, nuk dija në duhej të gëzohesha për këtë fëmijë apo të hidhërohesha që duhej të abortonte nusja. Por Zoti e kishte sjellë për të qenë jetëgjatë. Mjekët thanë që nëse do të rrinte regjim absolut shtrati dhe me një dietë të përcaktuar, shtatzania do shkonte mirë dhe, as nusja, as fëmija s’do të kishin probleme. I shpërndava paratë që kisha mbledhur për operacionin me frikën se mos i shpenzoja për gjëra të tjera. Edhe një herë djemtë vendosën të iknin më këmbë, në diell apo shi, maleve e kodrave të Greqisë që të fitonin paratë për operacionin e nuses.
Më besoni, gjashtë muaj që djemtë ishin në Greqi, asnjë natë nuk kam fjetur më shumë se tri orë, duke përgjuar se mos më sëmurej nusja. Djemtë erdhën para se nusja të lindte dhe kishin punuar e fituar paratë për operacionin.
Erdhi dita e shumëpritur e nusja lindi një djalë yll të bukur e të shëndetshëm. Nuk pati asnjë problem me veshkën. Mjekët na këshilluan që operacionin ta bënim pas katër ose pesë muajsh, që organizmi ta merrte veten nga lindja. Gjithë sikleti për nusen mu shpërblye me gëzime të njëpasnjëshme. Nipi lindi shëndoshë e mirë si molla, ndërkohë që unë kisha fejuar edhe dy vajzat e tjera. Njëra u martua në Itali e tjetra në një fshat afër fshatit tim. Më kish mbetur pa martuar djali i dytë e vajza e vogël që ishte akoma në gjimnaz. Ndërsa djemtë po mendonin të shkonin prapë në Greqi për të punuar, unë po mendoja t’i gjeja nuse djalit të dytë. E dija që ishte i ri, por doja të gëzohesha, të mbushja shtëpitë e reja. Kështu, një kushëriri im na rekomandoi një vajzë që sapo kishte mbushur të tetëmbëdhjetat. Shkova me djalin gjoja te kushëriri ynë dhe aty pamë edhe vajzën. Doli që im bir e pëlqeu atë vajzë dhe asaj i pëlqeu djali im. Me kushëririn tim shkuam në shtëpinë e vajzës dhe i kërkuam dorën. Atë natë fjeta i rehatuar te familja që do të ishte miku im i zgjedhur i ri dhe të nesërmen në mëngjes, babai i vajzës më tha që për dy javë do të vinte të pinte kafe në shtëpinë time. Festuam e gëzuam për dhjetë ditë, derisa do vinte gjëma e të ulej këmbëkryq në shtëpinë time.
Djali i dytë, qysh kur erdhi nga Greqia, kishte filluar punë në fshat me një bashkëfshar tonin. Ai kishte kamion e kishte nevojë për një punëtor që ta ndihmonte të ngarkonin e të shkarkonin mallrat që ai transportonte. Një ditë, kur pasi marrë rrogën e po kthehej në shtëpi, një bashkëmoshatar i tij, që e kishte parë kur kish marrë paratë, e kishte ftuar të pinin në klubin e lokalit. Im bir, duke qenë se kishte marrë rrogën, ishte ulur për të pirë me djallin dhe i kishte paguar edhe faturën. E ndërsa janë çuar për të ikur, ishte errësuar dhe djalli, bashkëfshatari, i kishte kërkuar djalit ta përcillte se i përzihej e nuk ndihej mirë. Djali, duke mos patur sherr në mendje, kishte shkuar për ta përcjellë. Sapo i janë larguar qendrës së fshatit, ku shtëpitë janë më larg njëra-tjetrës, djalli e kishte qëlluar djalin mbas koke me një gur derisa ai nuk ka lëvizur dot më. I kish marrë paratë dhe ishte larguar.
Djali im që ishte vetëm njëzet e katër vjeç ka ndenjur i shtrirë aty me kokën të hapur nga plagët për rreth pesë orë. Një tjetër bashkëfshatar, djalë i ri, ndërsa kthehej nga puna e tij, kish dëgjuar rënkimet e tij. I trembur kishte shkuar në shtëpi me vrap dhe kish treguar e më pas kishin dalë dy-tre burra të rritur për të parë se ç’ishte. Në orën njëmbëdhjetë të natës e kanë gjetur djalin tim në grahmat e fundit. Ata ishin përpjekur t’i jepnin ndihmë, por ka qenë e kotë.
Kur e pyeta personin që e kishte gjetur nëse djali i kishte thënë ndonjë fjalë të fundit, ai më tha: “Mori edhe dy herë frymë. Mu duk sikur u lehtësua. I fola dhe i thashë që do ta çonim në spital, i thashë që të mbahej, por ai më pa e në errësirë mu duk sikur buzëqeshi. Pastaj mbylli sytë”.
Pra, lexues të gazetës, në orën dymbëdhjetë të natës, bashkëfshatarët erdhën e më thirrën për të më thënë që djali ishte i sëmurë. Ikëm burrë e grua me vrap pas tyre, por na kishte ikur gjysma e shpirtit. U lajmërua policia e spitali. Kur mjekët i bënë autopsinë dhe policia më dha raportin që ta lexoja, e vetmja gjë që doja ishte të vrisja gjithë familjen e atij krimineli. Ju nuk e keni idenë se si ia kishte nxjerrë shpirtin ai tim biri… Por, në atë moment, unë duhej të mendoja t’i jepja me nder lamtumirën e fundit djalit.
Të nesërmen u bë varrimi. Dy ditë para se të pija kafet e fejesës, unë e përcolla djalin në varr. Gjyshi i vajzës që kishim zgjedhur për nuse, erdhi në varrim. E mendoni dot, nuk dija ç’të qaja më parë. Të qaja që vdiq vetëm njëzet e katër vjeç, apo të qaja se mendoja se ç’ka vuajtur ai për pesë orë në mes të pyllit në kthetrat e atij krimineli, apo të qaja që unë mendoja ta fejoja e ai vdiq. Një nga vajtimoret i ka thënë në vaj: “Je tu më dhan moj nanë lule të verdha e të kuqe, amanet ti babë, ma kthe mbrapsht atë nuse”. A ka njeri që e mat dhimbjen time, a ka njeri që më gjykon tani për fjalinë e parë të letrës sime, kur thashë që e dua armën?
Policia e gjeti për tri ditë se kush e kishte bërë vrasjen dhe pas një javë e kapën. Një nga policët e RENEA-s e kisha kushëri timin. Ai më tregoi se kur e kishin kapur, nga vendi ku e kanë arrestuar e deri në rajonin e policisë e kishin rrahur. Nuk e keni idenë se ç’gëzim ndjeva në zemër kur e mora vesh që e kishin rrahur, por sa para bënte?! Ai ishte gjallë, ndërsa im bir ishte në tokë.
Vitin e parë pasi vdiq djali, mendoj se nuk ka mbetur njëri nga gjithë vendi pa më ardhur për ngushëllim. Ndërmjet njerëzve që vinin për ngushëllim, më vinin edhe njerëz që më thoshin se njihnin vrasës me pagesë dhe të gjithë kishin të njëjtën fjalë: “T’i vrasim vëllain, se atë në burg s’kanë si e vrasin”. Mes dhimbjes, unë përpiqesha të logjikoja. Vëllai i tij ishte i martuar e kishte dy fëmijë. Ai kishte qenë në shtëpinë e tij me gruan e fëmijët, ndërsa i vëllai ishte pushtuar nga djalli. Ç’faj kishte ai? E kështu, unë prita vendimin e gjykatës me shpresën se do të jepte dënimin e merituar për atë kriminel, por, siç e dini, gjykatat tona të dënojnë me pesëmbëdhjetë vite burg po të të kapin me dhjetë gram kokainë e po të vrasësh një njeri, të dënojnë me dhjetë vite burg. Në fakt, gjykata e rrethit ku banoj unë, nuk dha dënimin minimal, por as atë maksimal. Ata e dënuan vrasësin me njëzet e katër vite burg. Nëse do të ishte dënuar me burgim të përjetshëm, sinqerisht, për mua do të kishte qenë muhabet i mbyllur, por nuk mbaron këtu dhimbja ime.
Krimineli doli që na kishte shokë drejtuesit e burgut që i plotësonin letrat për sjellje të mirë çdo vit dhe ai përfitonte ulje dënimi. Nga njëzet e katër vite, ai do bëjë vetëm tetëmbëdhjetë vite burg. Tashmë, gjashtëmbëdhjetë vite burg i bëri se djali im u nda nga ne në vitin dy mijë.
Familja e tij ka ikur nga fshati qysh një javë pas vrasjes. Prindërit që e kanë edukuar aq mirë djalin e tyre janë kujtuar të kërkojnë besë nga unë për të punuar e jetuar.
Më pas, më kanë dërguar disa nga ata të pajtimit të gjaqeve për të kërkuar falje. Bashkë me kërkesën për falje, kanë dhënë edhe premtimin për të mos kontaktuar me djalin në burg, por në fakt nuk e kanë mbajtur premtimin. Ata e kanë ndjekur e mbështetur të birin gjithë kohën nëpër burgje, ngado që e kanë transferuar.
Përveç kësaj, djali im i madh e ka dëgjuar vetë në një emision në radio vrasësin ndërsa përshëndet të burgosurit, shokët e tij nëpër burgje me këngë të ndryshme. Pra, ai jo vetëm që nuk vuan, por hargaliset pa pikën e problemit, edhe pse vrau djalin tim.
Ndërsa familja kam dëgjuar që i ka gjetur një nuse. Nuk i ka gjetur nuse që të martohet pasi të dalë nga burgu, por ka bërë martesën në burg dhe nusja shkon e takon qysh tani. Kam dëgjuar që e ka nusen shtatzënë. Pra, një kriminel duhet të jetojë e ta shijojë jetën, prindërit e tij duhet të gëzohen më nipër e mbesa që janë pasardhës të djalit të tyre, ndërsa unë duhet të pres që së pari shteti të më ruajë. E në rastin kur vrasja ndodh, gjykata të vërë drejtësi. E në rastin kur gjykata nuk vë drejtësi, unë duhet të bëhem kriminel!
Kjo është, të dashur gazetarë e lexues. Unë e dua atë armën që Berisha tha të marrim. E para, që të vras atë kriminelin sapo të dalë nga dera e burgut dhe të mos shijojë asnjë minutë liri, të mos shijojë asnjë minutë familje, grua e fëmijë, por ta kalbë toka kriminelin, ashtu siç dërgoi djalin tim në lule të rinisë në tokë. E dyta, t’ia lë djalit tjetër të mbrojë familjen se me ç’po shohim këtu, secili vjen të mbushë thasët më para e të ikë.
P. M.