– Jam Arturi, 45 vjeç. Kam humbur 15 kilogramë për dy muaj. Para një jave, mora vesh se vlerat e sheqerit i kisha të larta, mbi 400 mg/dl. Mjeku më tha të filloja insulinën, por unë refuzova dhe më dha kokrra. Nuk shoh ndonjë përmirësim të madh të vlerave të sheqerit me këtë mjekim. Ju lutem, më thoni, çfarë duhet të bëj?
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – I nderuar Artur, e kuptova shqetësimin tuaj dhe që në fillim ju them se bie totalisht dakord me mendimin e kolegut rreth diagnozës së diabetit të sheqerit dhe terapinë. Mosha e re, shifrat e larta të sheqerit dhe rënia e madhe në peshë, më bëjnë të mendoj se ju në të vërtetë po kaloni një periudhë të vështirë shëndetësore. Vlerat e larta të sheqerit në gjak dhe mjekimi me barna për një periudhë të gjatë kanë filluar të krijojnë probleme dhe të shfaqin atë që ne e quajmë gjendje e rënduar e organizmit për shkak të “helmimit” nga sheqeri i tepërt. Si rregull, kjo sëmundje është me ecuri të zgjatur ose konsiderohet sëmundje kronike, që do të thotë se do ta keni bashkëshoqëruese të keqe gjatë gjithë jetës tuaj. Duke qenë se organizmi i çdo njeriu normal funksionon dhe krijon energji në saje të djegies së sheqernave, në rastin e diabetit, pamundësia e djegies së këtyre sheqernave nga organizmi do të përkthehet në një lodhje apo apati dhe rënie të përformancës në punë e ngado.
– Diabeti i sheqerit tip 2, përgjithësisht trajtohet me dietë, aktivitet fizik dhe mjekim me barna nga goja, por duke qenë se rasti juaj konsiderohet i rënduar, rregulli i fillimit dhe i trajtimit me ilaçe nuk konsiderohet zgjidhje, ndaj alternativë e parë dhe e vetme mbetet mjekimi me insulinë. Mjekimi me insulinë do të normalizojë vlerat e sheqerit në gjak, do bëjë të mundur mirëfunksionimin e organizmit tuaj, frenimin e rënies në peshë, hidratimin e organizmit, mirëqenien e tij fizike, por edhe emocionale. Mbetet për t’u vlerësuar se sa gjatë duhet të përdoret insulina te ju. Meqenëse ju nuk përshkruani në pyetjen tuaj të dhëna të tjera fizike si pesha, gjatësia etj. atëherë e supozojmë që nëse ju jeni një individ obez, edhe pse keni humbur kaq shumë kilogramë, mundësia e kalimit të mjekimit nga insulinë në tableta, mbetet e mundshme dhe pse jo, në një afat të shpejtë pas 2 ose 3 muajsh mjekimi me insulinë. Por, nëse ju jeni i dobët në peshë dhe për pasojë keni humbur 15 kilogramë, mundësia për të vazhduar gjatë mjekimin me insulinë është e madhe. Megjithatë, një specialist që do t’ju këshillojë do të bëjë ndërhyrjet e duhura përsa i përket dietës, mjekimit, insulinës etj. Në favor të vazhdimit të mjekimit me insulinë janë edhe dy aspekte të tjera të rëndësishme. Së pari, studimet e fundit kanë treguar se fillimi i shpejtë i insulinës te diabetikët tip 2, jep një përmirësim të dukshëm jo vetëm të gjendjes momentale të të sëmurit, por është edhe një tregues i shkëlqyer për të parashikuar ecurinë e mirë të sëmurëve me diabet për gjithë jetën. Pjesë e arsyetimit në favor të mjekimit me insulinë do të konsideroja faktin që insulina jo vetëm që është elementi bazë që dëmtohet te diabetikët, por është edhe mjekimi më i mirë jo vetëm për të normalizuar vlerat e sheqerit në gjak, por mbi të gjitha, për të parandaluar dëmtimet e rënda të menjëhershme dhe kronike që sjell diabeti me kalimin e viteve. Së fundmi, për ju ka rëndësi që të ktheheni në gjendjen e mëparshme normale. Qëllimi ynë mbetet t’ju normalizojmë vlerat e sheqerit në gjak që të dominojmë sa më shpejt këtë sëmundje metabolike që fatkeqësisht është lënë pas dore nga ana juaj dhe është paraqitur që në fillim si një gjendje e rëndë, që ka rrjedhur nga shumë faktorë. Pres të më shkruani sërish. Të shkuara!
Advertisement