As në ëndrrat më të largëta nuk mund të përjetosh emocionet e të qenit kapiten i kombëtares që bëri krenar një komb të tërë. Pavarësisht se pati fatin të ishte vetëm për një ndeshje, pak rëndësi ka, pasi Ledian Memushaj realizoi ëndrrën e shumëdëshiruar nga të gjithë futbollistët e një shtetësie. Krenaria më e madhe për çdo lojtar të përfaqësueses është që të jetë i pari i saj ose ndryshe, kapiten. Vlonjati e mbajti shiritin në takimin ndaj Luksemburgut duke u habitur edhe vetë me këtë vendim të teknikut italian De Biazi. Kapiteni i Peskarës tregon emocionet e këtyre dy takimeve miqësore dhe shumë pikante me djemtë e skuadrës. Gazeta “Intervista” ka kontaktuar me vlonjatin, duke gjetur dashamirësinë e tij për këtë rrëfim…

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Memushaj…
Ledian Memushaj: – Përshëndetje të përzemërta për ju…
– Çfarë po bën?
– Sapo kam mbërritur në Itali dhe po bëhesha gati për të fjetur, pasi jam shumë i lodhur, por më kapët më parë ju. (Qesh)
– Atëherë… e prisje të ishe kapiten në ndeshjen me Luksemburgun?
– Të them të drejtën, nuk e prisja fare. U habita edhe vetë kur trajneri De Biazi më ofroi shiritin…
– Si e prite?
– Nuk më kujtohet shumë mirë ai moment sepse u çudita shumë. Nuk po e bëj sa për ta thënë këtë gjë, por është e vërtetë. Mund të them me bindje të plotë se kam përjetuar emocionet më të mëdha që mund të përjetojë dikush në karrierën e tij futbollistike. Nuk e di se si mund t’i përjetoj ato emocione përsëri, madje edhe tani që po flas, më dridhet zëri.
– Po Loriku, çfarë të tha?
– … (Qesh)
– Çfarë ka?
– Po qesh, pasi tani që më bëtë ju pyetjen, dua të tregoj një moment shumë interesant. Ishte Loriku që më lidhi shiritin e kapitenit përpara ndeshjes me Luksemburgun. Ai u afrua dhe më dha zemër. Më foli, por të them të drejtën, tani që më pyetët ju, nuk mbaj mend asgjë nga ato që më tha, aq i emocionuar isha…
– Për të kaluar te ndeshja… Si ishte paraqitja e skuadrës ndaj Luksemburgut?
– Ishte një paraqitje e mirë nga ana jonë dhe e prisnim të shkonte në këtë mënyrë. Luksemburgu është një kundërshtar më i dobët se ne dhe duhej të mbrohej. Ne duhej të tentonim më shumë përpara për të zhbllokuar rezultatin dhe ia dolëm pas disa episodeve, siç ishte rasti i daljes me të kuq të portierit vendas. E merituam fitoren!
– Skuadra në fushë, ishte një skuadër “eksperimentale”. Mendon se lojtarët ishin aty ku duhet?
– Jo, pasi ishin shumë djem të rinj në fushë dhe natyrisht që kishin emocione të mëdha. Pastaj duhet të pranojmë që edhe kushtet e fushës ishin shumë të vështira.
– Pse nuk luajte me Austrinë?
– Pata disa probleme shëndetësore dhe nuk doja të rrezikoja.
– Dy miqësore, një humbje dhe një barazim… fituam apo humbëm më shumë?
– Miqësoret janë gjithmonë të vlefshme për trajnerin dhe skuadrën. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi nuk mund të pretendojmë të mposhtin Austrinë që për mua është më e fortë se Zvicra dhe Rumania. Me Luksemburgun bëmë detyrën dhe nuk duhet të vetëkënaqemi nga fitorja me këtë skuadër.
– Ju kanë kapur tashmë ethet e Evropianit?
– Po, sigurisht, kam filluar të tregohem i kujdesshëm edhe me ekipin e Paskarës dhe dua të luaj sa më shumë që t’i shërbej kombëtares.
– Për të kaluar te skuadra e Peskarës, ku keni 5 humbje radhazi. Çfarë ndodhi?
– Në të vërtetë ishim shumë mirë në renditje dhe tani jemi edhe jashtë zonës së “play-offit”. Pësuam 5 humbje radhazi dhe ka ardhur momenti të reagojmë që nga kjo javë. Jemi një pikë larg zonës së “play-offit” dhe jam i sigurt se do ta kapim.
– Besoni se do të ngjiteni në Serinë A?
– Shpresojmë. Asgjë nuk është e pamundur.
– Po fakti që je kapiten atje të ka habitur?
– Jo, pasi kam kontribuar për këtë ekip dhe është një vlerësim që më bëhet.
– Për t’u rikthyer përsëri te Kombëtarja dhe tek Evropiani. Ku shkojnë synimet tuaja?
– Jam tip që qëndroj me këmbë në tokë dhe mendoj se nuk duhet të jemi shumë entuziastë, por t’i marrim ndeshjet një nga e një.
– Cili do të jetë takimi më emocional?
– Ai me Zvicrën, sigurisht.
– Sa i njihni kundërshtarët e grupit?
– Me Francën kemi luajtur 2 takime, por këtë radhë nuk është e njëjta gjë, pasi nuk është miqësore. Zvicra ka shumë shqiptarë dhe lojtarë të mirë, ndërsa Rumaninë nuk e njohim edhe aq shumë.
– Besoni se do të keni shumë tifozë në Francë?
– Jam i sigurt. Ne kishim edhe në ndeshjen me Luksemburgun dhe as bëhet fjalë që do të kemi edhe në Francë.
– Një ndër çështjet më të debatuara është edhe lista e futbollistëve që do të udhëtojnë në Francë…
– De Biazi, De Biazi përgjigjet këtu, jo unë. (Qesh)

Me djemtë e Kombëtares

– Kush është më llafazani i Shqipërisë?
– Nuk shquhet ndonjëri. (Qesh)
– Po më i akullti?
– Berisha është ndër njerëzit më të qetë që kam njohur në jetën time.
– Më mistreci?
– Jemi seriozë.
– Atëhere, më seriozi?
– Po them, De Biazi.
– Ai që ankohet më shumë?
– S’ka të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *