“Al Pazar”-i është një shou sa humoristik, aq edhe goditës për ngjarjet aktuale. Një nga aktoret, pjesë e këtij shou, është edhe kaçurrelsja Deljana Topulli. Ajo dallon në interpretim nga tipi i saj i lirshëm, është e afërt me publikun, e dashur, e buzëqeshur, profesioniste dhe shumë mirënjohëse ndaj atyre që ia dhanë këtë mundësi. Por ajo është edhe… Lexojeni vetë se çfarë!
Fabjola Kuburi: – Deljana, kjo intervistë po ndodh menjëherë pasi…
Deljana Topulli: – …pasi kam mbaruar provat tek “Al Pazar”-i.
– Ti je një fytyrë e dashur e këtij shou humori. Sa kohë u desh që të bëheshe e tillë?
– Nuk e di nëse jam bërë një fytyrë e dashur për publikun, pasi është ende shumë herët; nuk kam shumë kohë që jam pjesë e trupës së mrekullueshme të “Al Pazar”-it. Sa i përket anës profesionale, di të them që është një zhanër shumë i vështirë, madje ishte gati-gati i panjohur për mua dhe falë gjithë stafit e në veçanti mjeshtrit, zotit Agron Llakaj, po arrij t’i ngjis shkallët dalëngadalë.
– Qëndrojmë pak pikërisht te termi “profesional”. Ku e sheh profesionalizimin dhe joprofesionalizmin në artin që zhvillohet në Shqipëri?
– Unë nuk jam askushi që ta cilësoj dhe të vendos gishtin për profesionalizmin dhe joprofesionalizmin. Kam shumë pak kohë që kam mbaruar Akademinë e Arteve dhe jam me fat që jam në punë. Për mendimin tim, ka të aftë dhe të paaftë.
– Si është jeta e një aktoreje përtej fotove që shohim nëpër faqe gazetash apo ekrane televizionesh?
– Duke pasur parasysh që në 3 milion banorë, 90% e popullsisë janë “persona publikë”, atëherë më pëlqen thjeshtësia e personit që kam.
– Vendosu nga një epitet aktorëve të tjerë të “Al Pazar”-it…
– Kolegë.
– Cili është stili yt, në zgjedhjet që bën?
– Përpiqem të jem racionale në zgjedhjet e mia, gjë që mund të jetë e vështirë duke u varur nga situata, por deri tani, ia kam arritur.
– Nga kush i ke marrë këshillat më të vlefshme?
– Ka shumë emra që do të doja t’i përmendja dhe që kanë ndihmuar në formimin tim profesional, por do të përmend profesor Alfred Trebickën dhe zotin Agron Llakaj.
– Nëse të kërkoj të më thuash një kuriozitet…
– S’kam! Po të kisha, e para që do ta mësoje do të ishe ti. (Buzëqesh)
– Si dashuron Deli?
– “Ahhhh moj nëna ime me babanë thuaj”, është një batutë e “Al Pazar”-it, që përshtatet fiks me pyetjen. (Qesh)
– Ku i mban ëndrrat Deli, përveçse në sirtar?
– I vetmi vend ku nuk i mbaj ëndrrat është sirtari. (Buzëqesh)
– Femrat shpesh “mërziten” nëse i konsideron të bukura… Është i yti një nga ato raste?
– Nëse do të ishte pyetja “vetëm të bukura”, atëherë po!
– Ku e sheh të bukurën Deli?
– Aty ku ndodhet!
– Më pëlqen emri yt…
– Ah, emri im është histori e gjatë. (Qesh)
– Gjërat ndryshojnë dita-ditës… Çfarë mbetet e pandryshueshme për ty?
– Dashuria për aktrimin.
– Nëse hyn në një ambient të mbushur me njerëz, çfarë bëhet?
– Gati të gjithë më thonë: “Ti je ajo e “Al Pazarit”?”.
– Çfarë të ka sjellë në jetë, fakti i të qenit e njohur?
– Të thashë më sipër, akoma nuk jam e famshme apo kushedi se çfarë, por nuk besoj se sjell gjëra negative. (Buzëqesh)
– Çfarë i kërkon dikujt që është afër teje?
– Shekspiri thotë “Kryevesi i veseve është mosmirënjohja”. Kërkoj atë që jap, mirënjohjen.
– Gjëja më e çmuar që ke…
– Nuk kam gjëra të çmuara, por kam gjëra të rëndësishme dhe të domosdoshme…
– Nëse nuk do të ishe duke bërë këtë rrugë, tani do të kishim një Deljanë…
– …hetuese në kriminalistikë.
– Çfarë të bën të zgjohesh me dëshirë në mëngjes?
– Provat, dëshira për të arritur shfaqjen, duartrokitjet.
– Zakonisht, realizohet ajo që thua apo përkundrazi, ajo që nuk ia tregon askujt?
– Zakonisht, realizohet ajo që dua, ndërsa jashtëzakonisht, nuk realizohet asgjë.
– Ka diçka që e ke mbajtur gjatë për vete dhe që do të doje ta ndaje me ne?
– Nuk i mbaj dot gjërat për vete, i ndaj gjithmonë sepse kështu më pastrohet edhe shpirti.
– Më veço disa elemente që e bëjnë kaq të veçantë aktrimin?
– Trajtimi i temës, këndvështrimi i asaj që po interpreton, xhirimet e shumë e shumë elemente të tjera. Janë një tërësi komplekse që e bëjnë të veçantë aktrimin, interpretimin.
– A e quan arritje Deljana gjithë këtë?
– E quaj arritje dhe mirënjohje, madje më shumë mirënjohje sesa arritje. Jam autokritike e vetes dhe jam gjithmonë në kërkim të së mirës së vazhdueshme.
– Një aktore duhet të ketë më shumë fat apo talent?
– Duhet të ketë shumë talent, por t’i prijë edhe fati.
– Jeni ndier e xhelozuar nga kolegët apo koleget për ndonjë arritje?
– Mendoj që njerëzit xhelozë nuk e shijojnë jetën, kështu që nuk i vë re këto gjëra. Secili ka talentin, mundësitë e tij dhe s’ka vend për xhelozira.
– E ëndërron Hollivudin?
– E kush nuk e ëndërron?! Ëndrrat janë një mundësi që të bëjnë të ecësh përpara.
– Nëse një ditë do ta lije skenën…
– Kam përshtypjen se kjo nuk do ndodhë asnjëherë sepse skena është jeta ime dhe pa dashur që të bëjë parashikuesen, do Zoti, nuk më largon kurrë nga skena. Skena është familja ime, është vetë jeta ime.
– Çfarë fal Deli?
– Nuk mund të them që fal, por dhuroj shumë dashuri, mirëkuptim, mirënjohje.
– Të pëlqen të jesh në qendër të vëmendjes?
– Nuk di ç’të them, ndonjëherë, kjo është e paevitueshme. Hë, më thuaj, rri dot ti pa qenë në qendër të vëmendjes?! Jo. Nuk të besoj, po më the “po”. (Qesh)