Afro gjysma e grave kalojnë një infeksion të rrugëve urinare (IRU) në një moment të jetës së tyre. Kjo ndodh kur bakteret prekin sistemin që trajton urinën në trup, veshkat, fshikëzën dhe tubat dhe i lidhin ato. Infeksionet e fshikëzës janë të zakonshme kur trajtohen shpejt, por nëse infeksioni prek veshkat, mund të shkaktojë sëmundje më serioze…

– Cilat janë simptomat e infeksionit të fshikëzës dhe veshkave?
– Shumica e IRU-ve janë infeksione të fshikëzës. Simptomat përfshijnë: Dhimbje apo djegie gjatë urinimit, nevojë për të urinuar shpesh, dhimbje në fund të barkut, urinë e turbullt, ose që mban erë të keqe. Disa njerëz nuk kanë simptoma, por nëse ky infeksion nuk trajtohet, ai mund të prekë veshkat. Shenjat e kësaj përfshijnë: Dhimbje në shpinë, në njërën ose të dyja anët, temperaturë dhe ethe, të vjella dhe marrje mendsh.
– Kur duhet shkuar te doktori?
– Sapo të shihni simptomat e para. Një infeksion i fshikëzës nuk përbën urgjencë në përgjithësi, por disa njerëz rrezikojnë më shumë për ndërlikime. Këtu futen gratë shtatzëna, të moshuarit, burrat, si edhe njerëzit që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e veshkave, ose që kanë një sistem urinar të dobësuar.
– A mund të ngatërrohet IRU-ja me ndonjë gjë tjetër?
– Megjithëse djegia gjatë urinimit është një shenjë dalluese e një IRU-je, ajo mund të jetë edhe simptomë e një infeksioni mykotik të vaginës, ose e një SST-je. Këto të fundit përfshijnë klamidian, gonorrean dhe trikomoniazën. Analizat e thjeshta laboratorike bëjnë dallimin e një IRU-je nga një SST.
– Ç’është cistiti i muajit të mjaltit?
– Janë të pakta gjërat që mund të prishin një muaj mjalti si një IRU. Megjithatë, kjo gjë ndodh kaq shpesh, sa e kanë quajtur edhe “cistiti i muajit të mjaltit”. Arsyeja është se aktiviteti seksual mund t’i shtyjë bakteret në uretër. Sigurisht, problemi nuk u përket vetëm çifteve që shkojnë në muaj mjalti, disa gra preken nga infeksioni i fshikëzës pothuajse sa herë që bëjnë seks. Të prekshme janë sidomos gratë që përdorin diafragmën si metodë kontraceptive.
– Çfarë ndodh kur një IRU nuk ka simptoma?
– Ka raste kur IRU-ja ndodh pa simptomat klasike, pra pa simptoma fare, por analiza e urinës tregon praninë e bakteries. Në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për trajtim, por gratë shtatzëna, disa fëmijë dhe ata që kanë bërë transplant veshkash, duhen trajtuar që të evitojnë infeksionin e veshkave.
– Çfarë ndodh kur kemi një ndërlikim të sëmundjes?
– Rreziku më i madh i një IRU-je është se kur nuk trajtohet, mund të përhapet nga fshikëza në njërën ose në të dyja veshkat. Kur bakteret sulmojnë veshkat, mund të shkaktojnë dëme që reduktojnë funksionet e tyre përgjithmonë. Te njerëzit me probleme në veshka, kjo shton rrezikun e mosfunksionimit të tyre. Ekziston edhe një mundësi e vogël që infeksioni të futet në gjak dhe të shpërndahet në organe të tjera.
– Si fillon një IRU?
– Shumë tipe bakteresh jetojnë në zorrë dhe në zonën gjenitale, por jo në sistemin urinar sepse urina është sterile. Kështu, kur bakteret si E.coli futen aksidentalisht në sistemin urinar, mund të fillojë një IRU. Zakonisht, bakteret udhëtojnë nga uretra në fshikëz, ku mund të fillojë infeksioni. Prej kësaj preken më shpesh gratë sesa burrat, mbase ngaqë kanë uretër më të shkurtër.
– Cilët faktorë e shtojnë rrezikun?
– IRU-të hasen më shpesh te gratë seksualisht aktive. Të tjerë faktorë që shtojnë rrezikun janë mospirja e sasisë së mjaftueshme të lëngjeve, larja e shpeshtë në vaskë, mbajtja gjatë e urinës dhe gurët në veshka.
– Po burrat, sëmuren nga IRU-ja?
– Burrat kanë më pak gjasa që të sëmuren nga një IRU. Kur kjo ndodh, shpesh ka lidhje me një problem tjetër mjekësor, si gurët në veshka, ose një prostatë e zmadhuar.
– Si bëhet diagnostikimi?
– Hapi i parë i diagnostikimit është një analizë e thjeshtë e urinës. Gjatë kësaj kërkohen bakteret si edhe gjëra jonormale në të, si rruaza të kuqe dhe të bardha. Gjithashtu, mund të bëhet edhe mbjellja e urinës për të parë se për çfarë tipi bakteresh bëhet fjalë.
– Si bëhet trajtimi i një IRU-je?
– Në shumicën e rasteve, antibiotikët e zgjidhin problemin. Doktori gjithashtu mund t’ju këshillojë të pini shumë lëngje dhe ta zbrazni shpesh fshikëzën. Edhe infeksionet e veshkave shpesh mund të trajtohen me antibiotikë. Kur këto infeksione janë të rënda, mund të kërkohet shtrimi në spital dhe dhënia e antibiotikëve nga gjaku.
– Po kur IRU-të përsëriten shpesh?
– Nëse ju sëmureni tre ose më shumë herë gjatë vitit, flisni me doktorin për të parandaluar ose për të pakësuar infeksionet. Për këtë, ka disa zgjidhje: Të merrni një dozë të vogël antibiotikësh për një kohë të gjatë, të merrni vetëm një dozë antibiotikësh pas seksit, ose të merrni antibiotikë vetë, pa recetën e mjekut, sapo të shfaqen simptomat.
– Ç’lidhje ka IRU-ja me diabetin?
– Njerëzit me diabet janë më të prekshëm ndaj IRU-së, për arsye të ndryshme. Së pari, sistemi i tyre imunitar ka tendencë të jetë më i dobët. Së dyti, sheqeri i lartë në gjak mund të kalojë edhe në urinë dhe të krijojë mjedis të përshtatshëm për bakteriet. Gjithashtu, dëmtimi i nervave që shkakton diabeti, mund të pengojë zbrazjen e plotë të fshikëzës. Njerëzit me diabet duhet të flasin me doktorin e tyre që në shenjat e para të sëmundjes.
– Është e vërtetë që gratë shtatzëna janë më të rrezikuara nga kjo sëmundje?
– Po, e vërtetë, janë disa faktorë që shtojnë rreziqet për IRU, veçanërisht të infeksioneve të veshkave. Hormonet shkaktojnë ndryshime në rrugët urinare dhe mitra e zmadhuar mund të shtojë presionin në uretër, apo fshikëz, ose në të dyja, duke vështirësuar kalimin e urinës nga veshkat në fshikëz dhe jashtë. IRU-ja që nuk trajtohet mund të shkaktojë lindje të parakohshme, prandaj duhet të lajmëroni doktorin nëse dyshoni për infeksion.
– Sa e përhapur është IRU-ja në menopauzë?
– Estrogjenet kanë një efekt mbrojtës në rrugët urinare, por nivelet e këtij hormoni bien në mënyrë drastike gjatë menopauzës. Nivelet e ulëta të estrogjeneve lehtësojnë futjen e bakterieve në vaginë apo në kanalin e urinës (uretër). Për këtë arsye, gratë janë më të prekshme ndaj IRU-së në menopauzë.
– Thuhet se edhe shtrimi në spital e shton këtë rrezik.
– Po, veçanërisht nëse nevojitet të përdorni një kateter (një tub i hollë që futet në uretër për të nxjerrë urinën jashtë). Bakteret mund të futen nëpërmjet kateterit dhe të arrijnë në fshikëz. Ky është më shumë një problem për të moshuarit që qëndrojnë gjatë në spital.
– Cilat grupmosha janë më të prekshme ndaj IRU-së?
– Së pari, të moshuarit, por simptomat e tyre mund të mos ndjekin skemën klasike. Te të moshuarit, burra, apo gra, mund të vihet re një lloj shqetësimi, deliri dhe ndryshime në sjellje. Kjo grupmoshë mund të ketë edhe më shumë ndërlikime si pasojë e një IRU-je. Gjithashtu, të prekshme janë bebet, por ato nuk mund ta thonë se çfarë ndiejnë. Ju duhet të shqetësoheni kur vini re simptomat e mëposhtme: Temperaturë e lartë e pashpjegueshme, urinë me erë të çuditshme, mungesë oreksi ose të vjella, ose nëse fëmija grindet. IRU-ja prek edhe fëmijët më të mëdhenj. Afro 1% e djemve dhe 3% e vajzave preken prej tyre deri në moshën 11 vjeçare. Kjo përfshin disa fëmijë që vazhdimisht evitojnë shkuarjen në banjo (muskujt e tyre mund të mos relaksohen aq sa duhet më vonë për të boshatisur fshikëzën dhe larguar bakteret). Vajtja më e shpeshtë në banjo dhe pirja e shumë lëngjeve mund të ndihmojë. Një numër i vogël fëmijësh kanë probleme strukturore, për pasojë, urina nuk rrjedh siç duhet, ose kthehet mbrapsht nga fshikëza në veshka, duke shkaktuar infeksione kronike të veshkave. Kjo mund të shkaktojë një dëmtim të veshkave.
– Si mund të parandalohen IRU-të?
– Ka disa strategji për të reduktuar rrezikun e IRU-ve: Të pish shumë ujë, të shkosh në banjo para dhe pasi ke bërë seks, të fshihesh nga para-mbrapa, të evitosh spërkatësit higjienikë te femrat dhe të lahesh në dush në vend të vaskës.
– Thuhet se lëngu i boronicave të kuqe (cranberry) e lufton IRU-në…
– Disa studime kanë treguar se ai mund ta parandalojë, por jo të trajtojë infeksionin dhe kjo është më efikase te gratë e reja dhe tek ato të moshës së mesme. Boronicat përmbajnë një substancë që pengon bakteret E.coli të ngjiten në muret e fshikëzës. Nëse nuk ju pëlqen lëngu i boronicave, mund të merrni tableta, ose kapsula me të, megjithatë, njerëzit me gurë në veshka, duhet të këshillohen më parë me mjekun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *