– Kam një pyetje për instruktorin dhe doja një përgjigje, nëse është e mundur. Kam dëmtuar gjurin padashur dhe pasi kam bërë mjekimin, m’u shërua, por edhe pse ka kaluar kohë, më dhemb sërish edhe kur bëj ushtrime. Instruktori im më thotë: “Edhe pse ke dhimbje, ushtrohu, s’ka problem”. Po ju, çfarë më këshilloni?
Mario, instruktor: – Unë nuk ju këshilloj të bëni ushtrime, ndërkohë që keni dhimbje, kjo është totalisht e gabuar. Aq më tepër që ju e keni dëmtuar gjurin, pra, nuk është thjesht një dhimbje muskulare. Unë nuk mund t’ju flas për instruktorin që ju ndjek, por edhe nëse shkoni te një fizioterapist, mendoj se do t’ju këshillonte t’i ndërprisni ushtrimet. Ushtrimet janë të mira, por në raste të tilla nuk do t’jua sugjeroja, sepse do ta dëmtonit gjurin akoma më shumë. Do t’ju këshilloja të këshilloheni me doktorin që është marrë me problemin e gjurit tuaj dhe të bëni disa kohë fizioterapi, përpara se të rifilloni ushtrimet. Në të kundërt, bëni ushtrime të lehta, pa e sforcuar gjurin dhe mundësisht, mbani fasho sportive që janë apostafat për ata persona që kanë probleme me gjunjët. Këtë fasho duhet ta mbani edhe gjatë kohës që ushtroheni.
Advertisement