– Jam një vajzë që shkoj shpesh në palestër, por jam konfuze në lidhje me një gjë: A mund të bëjmë ushtrime kur jemi me menstruacione dhe, nëse po, cilat janë këto ushtrime konkretisht? A na dëmtojnë ushtrimet kur jemi me menstruacione?
Mario, instruktor: – E dashur vajzë, pyetja juaj është shumë me vend. Unë si instruktor, sipas informacioneve që kam marrë edhe nga mjekë të kësaj fushe, kam arritur në konkluzionin që ushtrimet janë të mira në çdo lloj situate shëndetësore, ama kur një femër është me menstruacione, duhet të bëjë disa kufizime. Ajo duhet të ketë shumë kujdes dhe nuk mund të ndjekë një program normal të plotë ushtrimesh siç i ndjek në ditët kur nuk është me menstruacione. Nëse gjatë atyre ditëve nuk keni dhimbje apo kontraktime, atëherë bëni vetëm 40 minuta ose 1 orë ushtrime, nuk keni nevojë për më tepër.
– Mund të bëni ecje të lehtë, ose biçikletë, ose të alternuara së bashku. Bëni streçing, që është shumë i mirë në këto raste për femrën sepse çliron muskujt dhe dhimbjet e lehta nëse keni. Do ishte mirë të bëni pak joga, nëse ushtrohet në palestrën ku shkoni. Në mungesë, bëni vetëm kardio të lehtë, ushtrime tip pilates, por pa pesha, të ngjashme me streçingun ose jogën. Nuk duhet të përdorni absolutisht ngritje peshash apo të bëni ushtrime barku të rënda. Mundësisht bëni vetëm streçing, asgjë më tepër. Bëni ndonjë ushtrim për pjesën e sipërme, shpinën, kraharorin apo krahët, por pa pesha. Peshat gjatë periudhës së menstruacioneve nuk janë të këshillueshme për femrën. Ecjen mund ta bëni edhe në natyrë, që do ishte akoma më mirë. Këto janë pak a shumë këshillat tona dhe nëse i ndiqni, do të ndiheni më mirë dhe nuk do të ndjeni shqetësimet karakteristike të menstruacioneve, përkundrazi, do të ndiheni e çliruar psikologjikisht dhe fizikisht.
Advertisement