Doktoreshë Detina Zalli punon si kërkuese shkencore dhe lektore në universitetin e Harvardit. Ajo, së bashku me motrën e saj binjake, Argita Zallin, është themeluese e fondacionit shkencor “VVe Speak Science”, një fondacion jofitimprurës që ka si qëllim kërkimet në fushën e mjekësisë si dhe përditësimin e publikut shqiptar me të rejat më të fundit në fushën shkencore…
Adrian Rakipi: – Përshëndetje doktoreshë. Gjithmonë e më shumë dëgjojmë të flitet për sëmundjen e Parkinsonit. Çfarë është kjo sëmundje?
Detina Zalli: – Sëmundja e Parkinsonit është një sëmundje që prek trurin. Te njeriu i sëmurë me Parkinson, të gjitha qelizat nervore të pjesës së trurit, të quajtur “substantia nigra”, vdesin ose dëmtohen. Bashkë me të, edhe neuronet e kësaj pjese që janë përgjegjëse për prodhimin e një substance kimike të quajtur dopaminë, e cila ndihmon në koordinimin e lëvizjeve të trupit.
– Cilat janë shenjat e para të sëmundjes dhe grupmoshat kryesore që prek ajo? Gjithkush mund të ndihet i rrezikuar nga Parkinsoni?
– Shenjat e para fillojnë të shfaqen kur 80% e qelizave nervore që prodhojnë dopaminën vdesin. Mungesa e saj në trup shkakton këto shenja: Në fillim dridhje edhe në qetësi, ngurtësim të gjymtyrëve, ngadalësim të lëvizjeve, mungesë të drejtpeshimit dhe të ekuilibrit. Fytyra bëhet e ngurtësuar dhe humbet mimika. Këto simptoma fillojnë në një pjesë të trupit dhe përhapen mandej në të gjithë trupin. Diagnostifikimi i Parkinsonit është shumë delikat dhe i vështirë sepse shpeshherë dridhja ngatërrohet me procesin fiziologjik të plakjes dhe qëndrimi i ngrirë/i ngurtësuar i trupit ngatërrohet me osteoporozën. Zakonisht, moshat që prek më shumë kjo sëmundje janë ato mbi 65 vjeç, por rreth 15% e rasteve shfaqen para moshës 50 vjeçare.
– Cilat janë shkaqet e shfaqjes së Parkinsonit?
– Parkinsoni është një sëmundje idiopatike, që do të thotë se, ndonëse ka vite të tëra që studiohet, ende nuk është gjetur një shkak i qartë për të. Gjithsesi janë disa faktorë rreziku, të tillë si gjenetika, pra, trashëgimia. Nëse keni ndonjë në familje që vuan nga kjo sëmundje, duhet të jeni në kontroll të vazhdueshëm. Ekspozimi ndaj disa kimikateve të caktuara si pesticidet, herbicidet etj., qëndrimi për një kohë të gjatë në rrezet e forta të diellit, stresi i fortë i grumbulluar dhe ndryshimet emocionale ndikojnë gjithashtu. Ekzistojnë edhe disa ilaçe që mund të çojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, prandaj është mirë të mësoni më shumë për barnat që pini përpara se t’i filloni ato. Një shkak tjetër janë dëmtimet e enëve të gjakut në tru.
– A ka ndërlikime dhe cilat janë pasojat më negative që mund të sjellë kjo sëmundje?
– Sigurisht që ka. Parkinsoni është një sëmundje progresive dhe degjenerative, që do të thotë se ajo përkeqësohet me kalimin e kohës, sidomos nëse nuk kurohet. Ndërlikimet janë të shumta si: Probleme në procesin e të menduarit në stadet e fundit të sëmundjes (kjo sepse truri është mjedisi ku shfaqet semundja), ndryshime emocionale dhe depresion, probleme me gëlltitjen (sepse muskujt nuk kontrollohen më) dhe grumbullimin e pështymës, probleme me gjumin, paaftësi për të mbajtur urinën (ngaqë muskujt nuk kontrollohen më në mënyrë autonome), lodhje dhe dhimbje në zona të caktuara të trupit.
– A ekzistojnë barna për ta kuruar dhe a mund të shërohet kjo sëmundje?
– Sigurisht që duke qenë një sëmundje degjenerative, ajo shkakton dëme të pariparueshme në tru. Truri nuk mund të kthehet në gjendjen e mëparshme, sepse zona që prodhon dopaminën është dëmtuar dhe, si e tillë, ka defiçit dopamine në të gjithë organizmin. Ilaçet për Parkinsonin veprojnë pikërisht këtu, në zëvendësimin e dopaminës, duke e marrë atë në mënyrë artificiale me anë të ilaçeve. Qëllimi kryesor i trajtimit me ilaçe të sëmundjes së Parkinsonit është kontrollimi për kohë sa më të gjatë i simptomave, shtyrja për kohë sa më të gjatë e shfaqjes së ndërlikimeve të sëmundjes dhe evitimi i efekteve anësore të barnave. Doja të shtoja që, përveç trajtimit me barna, ekziston një tjetër lloj zgjidhjeje për Parkinsonin, kirurgjia, por ajo mbetet një zgjidhje ende e papreferuar sepse është e rrezikshme dhe askush nuk jep garanci për të.
– Gjithsesi pak më parë thatë se ka të reja për Parkinsonin. Cilat janë ato?
– Studimet e fundit na kanë habitur të gjithëve; është gjetur një lidhje mes nervit vagus dhe sëmundjes së Parkinsonit. Nervi vagus është nervi i 10-të nga 12 nervat kryesorë që dalin nga truri. Ai rregullon funksionimin e pavullnetshëm të zemrës dhe të aparatit tretës. Më konkretisht, një studim i kryer nga Universiteti i Aarhusit, Danimarkë, në të cilin morën pjesë 15,000 pacientë, të cilëve iu ishte hequr nervi vagus nga stomaku, ka treguar se këta pacientë pa nerv nuk ishin prekur nga sëmundja e Parkinsonit dhe shanset për t’u prekur nga kjo sëmundje ishin rritur pas 20 viteve. Ndërsa ata, të cilëve u ishte hequr vetëm pjesërisht nervi vagus ishin me të prirur për t’u prekur nga Parkinsoni. Është e rëndësishme të bëhen studime të reja për të zbuluar faktorët që nxisin zhvillimin e kësaj sëmundjeje degjenerative nervore, në mënyrë që të zbulojmë faktorët e rrezikut dhe të parandalojmë shfaqjen e saj. Kjo do të çonte gjithashtu në ndryshimin e trajtimit të sëmundjes së Parkinsonit.