I vetëm
Qeshja e kësaj bote të gënjen
Ajo kurrë s’të tregon të vërtetën
S’dihet ku ka përfunduar
Shpresa që rend tërë jetën
Kjo botë mjerane s’ka të sosur
Vuajtja rend rrugë më rrugë
Loti në syrin e rrudhosur
Në vetmi rri porsi murg. Thodhori Cerro
Bija ime!
Atë ditë të pashë të mërzitur, të heshtur,
edhe pse ëndrrën për pak minuta kishe prekur,
fjala, buzëqeshja, ledhatimi,
t’u neveritën më shumë se mjerimi.
Unë përsëri të putha në sy e në ballë,
kuptova që kishe më shumë se një hall,
në dhjetëra lodra e personazhe të ftohta,
mungonte lëvizja e frymës së ngrohtë.
Nuk e kuptoja ç’kisha bërë,
një engjëlli pa legjione i bëhet çasti ferr,
bija ime, s’mund të të lë në vend të huaj,
as të dëgjoj nga ty fjalët: Po vuaj!
Bujare e vërtetë me ecje elegante,
ty të magjeps lindja dhe perëndimi i diellit,
dëgjo pakëz me zë të lartë e të qartë,
si vullkani i etshëm për liri, duhet të kesh dashuri! Isidor Koti
Era e dashurisë
Do t’fryjë një erë një ditë a natë
Aromën time, do të sjellë dendur.
Do t’përpëlitesh ti në shtrat
E do të zgjohesh si e çmendur!
Dhe ashtu, humbur, hutuar
Do të më sjellësh nëpër mend
Do udhëtosh e dashuruar
Duke braktisur unin tënd!
Do shohësh shpirtin të arratiset
Të humbë në erën që vetëm fryn’
Do ndjesh dhe zemrën kur të niset
Ndjekur prej mallit që e shtyn’…
Kur t’jesh braktisur nga shpirt e zemër
Si një kufomë që mbetet gjallë
Do recitosh timin emër
…si poezi e mbushur me mall!
Do t’fryjë një erë një ditë a natë
Nuk ka rëndësi se ku e kur… Bledi Ylli
Tetëdhjetë e tetë tinguj
Në tetëdhjetë e tetë vende udhëtova
Me zemër atyre i rashë vërdallë
E prapë se prapë nuk të harrova
E tani më shumë kam mall!
Tetëdhjetë e tetë zemrave iu dorëzova
U mora bujshëm dashuri
E jo, ty prapë nuk të harrova
E më shumë të ndiej tani!
Tetëdhjetë e tetë shtretërve u kam aromën
Dhe ngashërimave, melodinë
Por kam në shpirtin tim jehonën
e zërit tënd… Dashurinë!
Sa këndshëm ndjehet një soprano
Pranë tastierës bardhë e zi
Tetëdhjetë e tetë butona ka një piano
E kjo nuk quhet rastësi…
Ti mbetesh ëndërr dhe sot për mua
Nuk mund të luaj me ty. Nuk di! Bledi Ylli
Çdo ditë… çdo natë
E ndiej më mungon marrëzisht
Imazhi yt vjen e shkon
E më turrbullon tmerrësisht
Nëse do mundja të vija pas
Detin do ta pija të tërë
E do të ecja qindra vjet
Këmbëzbathur mbi rërë.
Do t’u rropatja shtigjeve
Netëve të egra të hidhura vrer
Do të të ndiqja pa hezituar
Ndoshta edhe në ferr!
Do të fluturoja pa krahë
E në mundja do hapja qiellin
E me zjarrin e mallit në zemër
Mund të digjia edhe vetë diellin
Do tu grindja me retë
Kush lotonte më shumë
Po numërova pikat e lotit
S’ka rënë shi sa kam qarë unë…
E s’m’i thajnë lotët
Dhe shtatë diej bashkë…
Për puthjen tënde
Digjem si flaka në kashtë…
Më janë tharë buzët
Sa shumë pa puthur kanë
S’ma shuajnë dot etjen
Burimet anembanë…
E në do isha lidhur
Këmbë e duar në zinxhirë hekur
S’do ndalja rrugëtimin drejt teje
Dhe po të kisha vdekur. Nesti Durrës
Gonxhe zemrash (Nënë Terezës)
Një thesar mirësie
Me vepra dashurie,
Me buzëqeshje kristali
Shenjtore për së gjalli
Është engjëll vetë
Pragvdekjes i jep jetë
Gonxhe e gjithëshëndetshme
Ajo, pasuri e përjetshme
…një pikë ujë në oqean…
Pa të cilën s’di si ngjan!
…s’jam askush, na thosh shpesh,
Brenda na mbush me aq shpresë
Botës-aromë Shqipërie
Dhuratë prej Perëndie
Bibëlon në çdo kontinent
Zemërzhuritur për çdo vend
Shprehet: “Jam më pak se asgjë”
Për ata që s’mund të qajnë më,
Se lotët u janë shteruar
Tani dhembshuri mbuluar
Përvuajtje Zeusi pi me fund
Me besim dhe Himalajat tund… Izet S. Çulli
Sa shumë
Sa shumë kujtime
Mbeten pa shkruar
Sa shumë çaste
Mbeten pa jetuar
Sa shumë ëndrra
Mbeten pa plotësuar
Duket sikur kjo jetë
Nuk është jetuar
Dikur ekzistonte një realitet
Mbi të ëndrra thura aq net
Dikur ekzistonte një realitet
Tani ai, më nuk më përket. Alban Arapi