Diçka e pazakontë po ndodh brenda Piramidës së Madhe të Gizës. Një projekt ndërkombëtar i shkencëtarëve dhe i arkitektëve për të skanuar 4 piramida egjiptiane me teknologjinë e imazheve termale, ka zbuluar disa parregullsi që tregojnë se në to, ka më shumë gjëra të fshehura nga ç’mendohej me parë. Projekti i quajtur Operacioni i Skanimit të Piramidave, po mbledh të dhëna termike mbi piramidën e Khufusë (Piramidën e Madhe) dhe atë të Khafres (djalit të Khufusë) në Giza dhe dy piramidave në Dahshurit, të ndërtuara nga babai i Khufusë, faraoni i dinastisë së 4-rt, Snefru. Pas dy javësh, skanimet termale kanë treguar disa gjëra të pazakonta, përfshi këtu anomalinë më “mbresëlënëse” në Piramidën e Madhe: Disa nga blloqet e ndërtimeve prej guri gëlqeror janë më të nxehta se të tjerat. Një njeriu që nuk merr vesh, kjo gjë mund t’i duket e parëndësishme, por ekspertët thonë se ndryshimi në nxehtësi mund të shkaktohet nga korentet e brendshme të ajrit, ose nga dhomat e pazbuluara brenda piramidave. Ky projekt pritet të vazhdojë deri nga fundi i 2016-ës dhe arkitektët e shkencëtarët do të kërkojnë boshllëqe në pramida për të përcaktuar me saktësi se çfarë e shkakton këtë ndryshim temperature.