Kur na kap lemza, e kemi zakon të pimë një gotë ujë të ftohtë, të mbajmë disa çaste frymën, ose të na trembë dikush! Disa të tjerë hanë një lugë sheqer, ose lëng limoni. Këto janë vetëm disa nga strategjitë më popullore që përdorim për të ndaluan lemzën. Lemza është diçka që ndodh shpesh dhe është e bezdisshme, por jo e rrezikshme. Megjithatë, edhe sot shkencëtarët nuk e dinë plotësisht se çfarë e shkakton dhe për çfarë shërben, por edhe se cilat “terapi” e heqin qafe atë. Në shumicën e rasteve, lemza shfaqet kur diafragma, muskuli që ndan barkun me kraharorin, kontraktohet në mënyrë të pakontrollueshme. Ashtu siç e shpjegon doktor Anton Emanuel i Shoqatës Britanike të Gastroenterologëve, lemza shkaktohet nga irritimi i diafragmës. Ajo mund të shkaktohet edhe nga irritimi i kraharorit apo stomakut, ose i sistemit nervor.
Disa ushqime, si ato me shumë yndyrna, si edhe disa pije, si ato freskuese dhe me alkool, janë irrituesit më të shpeshtë që shkaktojnë spazma të diafragmës. Te disa njerëz, lemza mund të shkaktohet edhe nga stresi i fortë. Një mënyrë origjinale që propozon doktor Emanueli për të ndaluar lemzën është të fërkoni bulëzat e veshëve tuaj! Në këtë zonë ndodhet nervi vagus që lidhet edhe me diafragmën dhe fërkimi aktivizon nervin për të çliruar presionin që ushtrohet në diafragmë. “Nëse ka një mënyrë që do ta provoja, do të ishte pikërisht kjo”, deklaron doktori Emanuel.