Me një tufë trëndafila, më trokite në derë

 

Nuk di ç’të shkruaj për ty më parë,

Se ti tek unë le gjurmë në përjetësi,

Prandaj shkruaj e të kërkoj si e marrë,

Dhe derisa të vij pranë teje s’gjej qetësi…

 

Nuk do të kisha shkruar kurrë për ty,

Por ti tek unë ke lene shume gjurmë,

Mundohem te largohem të tretesh në vetmi

Por ty vitet të afrojnë tek unë më shumë…

 

Edhe këtë Vit të Ri, unë ika, u largova,

Që ty mos të të kisha pranë, asnjë hap,

Por dhe kësaj here më kot u mundova

Se edhe atje ku shkova, ti më erdhe prapë…

 

Mundohem të jetoj me cicërimat e zogjve,

Që çerdhen tonë tani e kanë gjallëruar.

Megjithatë ndihet më shumë mungesa jote,

Se ty në gëzime askush s’të ka zëvendësuar…

 

Edhe këtë fundviti, më trokite në derë,

Me një tufë trëndafila përpara më dole,

Mu afrove e më puthe në gushë, si përherë

Dhe të përhumbur në krahët e tu më hodhe… Luljeta Gjosha Pashollari

 

Fat(n)e!

 

Gjithë jeta është rrugë e gjatë,

s’e di pse vetëm pija të jep jetë,

e të çon në qiellin e shtatë,

ti je viktimë e këtë e di mirë,

e prapë se prapë të pëlqen të jesh i pirë.

Çdo ditë shkon atje ku veten gjen,

dhe thua më mirë i dehur e behem,

përherë të flasin e ikën sakaq,

çdo gjë me vlerë nuk të kënaq,

por nuk mund të hesht më shumë se kaq.

Një mbrëmje dhjetori u rrëzove përdhe,

dhe sot miku Fane nuk di ku je,

në mëhallë, në spital apo…

Një ditë do na mungosh shumë,

në çdo hap dhe në çdo gjurmë! Isidor Koti

 

Për Laver Bariun

 

Po vajton sot klarineta!

Ne maj gurit lapidar

Te simboli i Permetit

Klarineta vajen ka marrë

Po i qane usta Laverit!

 

Po i qan permetarçe

Siç ustai e kish mesuar

Trëndafili s’është në bahçe

Vet klarinetës i ka munguar!

 

Me ze t’larte i thërret ustait

T’braktis varrin, prane t’i vijë

Me kabanë te maja gurit

Mbarë Përmeti me e ndi!

 

Klarineta po vajton

Prane e do usta Laverin

Kush i ndau fort e qorton

Pse ia mori ylberin! Jahe FIDA

 

Urrejtje, jo

 

Urrejtje nuk ka në zemrën time

Por as mëshirë nuk gjendet më

Të gjith’ mëkatet bërë thërrime

Dhe ti aty, ndër to… asgjë!

 

Asgjĕ s’e lag më zemrën time

Madje dhe gjakun e kam dyshim

Të gjitha mëkatet bërë kujtime

Dhe ti aty, ndër to… kujtim!

 

E zgjodhe vetë të shkosh më tej

Mendove ndoshta për më mirë

Nuk mundem më të të urrej

Por as të të tregoj mëshirë… Bledi Ylli

 

Veç nesh, askush

 

Ndodh mes shiut që të mos lagesh

Mes diellit të verës të mos digjesh aspak

Ka njerëz të afërt që duart s’i prekin

Ka edhe të largët që enden në gjak…

Kjo jetë kujtime sjell gjithmonë

Fytyra shumë, gjeste dhe emra

Sa njerëz fshimë nga jeta jonë

Nga jeta po, por jo nga zemra!

Mendimet vijnë në turmë të çrregullt…

Sa ngjajnë me shiun që bie jashtë.

Mbi xham një zemër vizatuar

Dhe murit ora që mbeti gjashtë…

E brenda zemrës një emër shkruar

Dy sy përlotur… nostalgji

Ky shi nuk paska të pushuar

Dhe ora gjashtë që ike Ti!

Një jetë s’mjafton për të t’harruar

Ty nuk të prek as diell, as shi,

Sepse aty ku je strehuar

Veç ne të dysh askush s’e di! Bledi Ylli

 

 

Unë pa ty

Jeta pa ëndrra

Autostradë e zbrazur…

Njeriu pa dashuri

Si perandori pa perandori

Toka pa diell

Si nëna pa fëmijë

Unë pa ty

Si i verbri pa sy! Alban Arapi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *