– Kam një fëmijë që vuan nga veshët për një kohë të gjatë. Është operuar, por sërish ka dhembje e veshi i kullon vazhdimisht. Çfarë na thoni që të bëjmë, sepse jam shumë e shqetësuar për të? Faleminderit për mirëkuptimin.
Dr. Petrit Stafa, ORL: – E nderuar zonjë, me çfarë më përshkruani, kuptoj që fëmija juaj i ka të dëmtuara të dyja kanalet e veshëve. Pra, me pak fjalë, çfarë hyn nga hunda del nga veshët dhe çfarë hyn nga veshi, del nga goja. Ky është një infeksion i hapshëm, kanalet janë të infektuara dhe të hapura. Porta është daullja që e mbyll kanalin e jashtëm me atë të brendshëm. Ka disa lloje mjekimesh, aq më tepër që ai është fëmijë, por më parë duhet t’i bëni një vizitë fëmijës suaj tek otojatri për të parë nga afër gjendjen e veshëve të tij. Shkaqet e këtij problemi mund të jenë të ndryshme: mund të jetë mish i huaj në bajame, zmadhim i bajameve, grykët e infektuara etj., ndaj duhet t’i bëni një kulturë mbjelljeje të kanalit dhe të shikohet se çfarë mikrobi është ai që e shkakton këtë problem. Pasi të bëhen ekzaminimet e sakta, vendoset mënyra se si duhet mjekuar. Jeni të mirëpritur ta sillni fëmijën tuaj për t’i bërë një vizitë. Faleminderit.