Vjen rrallë në ekranet muzikore, por kur vjen sjell vetëm dashuri, paqe, ndjesi pozitive dhe shumë buzëqeshje. Këtë herë, ajo i është përkushtuar vendlindjes së saj Gjirokastrës dhe dashurinë për vendlindjen e transmeton që te titulli i këngës “Sa të dua moj Gjirokastër”…

 

Fabjola Kuburi: – Përshëndetje Denisa! Ti je nga Gjirokastra dhe këndon “Sa të dua moj Gjirokastër”… Po përpiqesh t’i rregullosh imazhin qytetit, pas kaq shumë thënieve për gjirokastritët?

Denisa Gjezo: – Ka aq shumë thënie saqë unë mërzitem kur i dëgjoj sepse në fakt nuk janë të vërteta. Do të thosha një shprehje që e përdor populli “nuk ka pyll pa derra”, por imazhi i gjithë qytetit s’mund të cënohet për një ose dy familje. Në fakt kisha menduar kohë më parë t’i dedikoja një këngë qytetit tim…

– Kur ke debatuar për herë të fundit me dikë që shan gjirokastritët?

– Para një jave, kur kam postuar në Facebook një thënie për gjirokastritët, që realisht ishte shumë e ekzagjeruar.

– Shkon shpesh në Gjirokastër apo thjesht i këndon asaj?

– Nuk shkoj shpesh sepse edhe familjen e kam këtu, plus edhe angazhimet në profesion, ndaj edhe kam kaq shumë mall.

– Për çfarë të merr malli më shumë?

– Për çdo gjë… për rrugicat, daljet me shoqërinë, kushërinjtë, xhaxhallarët e mi.

– Herën tjetër, kujt do t’i këndosh?

– Nuk e kam menduar akoma, por do të jetë diçka konkrete në momentin e duhur.

– Ti je e martuar me një muzikant. Është më mirë kur partneri është i së njëjtës fushë?

– Normale që është më mirë. Ndihem shumë mirë kur jam afër me të sepse më kupton si veten, në profesionin që kemi.

– Lloji i njerëzve që nuk do të doje të kishe pranë…

– Sa më pëlqeu kjo pyetje! Nuk do të doja të kisha afër njerëzit me lajka, mosmirënjohësit, tradhtarët.

– Ti ke vite karriere. Sa të vështira kanë qenë këto vite për ty?

– Sa të vështira, aq edhe të bukura. E ndiej veten me fat dhe falënderoj Zotin që më ka qëndruar gjithnjë pranë.

– Do ta quaje veten ende një “studente” apo ndihesh tashmë profesioniste në muzikë?

– Me dokumente quhem profesioniste. (Qesh) Studente s’mund ta quaj veten me 12 vjet eksperiencë muzikë live e brenda këtyre, 8 vjet shkollë, por akoma duhet studim dhe asnjëherë nuk ndihesh i kënaqur me veten.

– Me ç’lloj muzike je rritur dhe çfarë ke marrë prej këngëtarëve që dëgjoje atëherë?

– Shumë vetë e dinë që këndoj muzikë popullore, por unë këndoj shumë mirë çdo zhanër tjetër dhe e vërteta është që jam rritur me muzikë moderne. Uitni Juston, Maraja Kerri e Selin Dion janë të preferuarat e mia.

– Cila është kënga që do ta këndoje gjithë jetën, pa u mërzitur asnjëherë?

– “I vvill alvvays love you”!

– Ke qenë e ftuar jashtë Shqipërisë në koncerte, por edhe mbrëmje. Cilat vende të kanë mbetur ende pa i shkelur?

– Ka shumë vende që nuk i kam shkelur. Kam pasur oferta për Amerikë, Australi e shumë të tjera, por kam frikë të shkëputem nga familja e të shkoj aq larg.

– Cili do të ishte titulli që nuk do të doje të lexoje për veten një mëngjes, në faqen e parë të gazetave?

– Nuk do të doja që të dilte diçka pa dijeninë time dhe e sajuar, kjo do të më shqetësonte shumë.

– Po ai që do doje?

– Të ishte diçka e merituar. Jam e kënaqur nga kjo anë, nuk kam ankesa. (Buzëqesh)

 

 

Më afër me Denisën

– Koha më e bukur e jetës tënde?

– Adoleshenca.

– Aksesori më i panevojshëm që përdorin femrat?

– Femrat përdorin shumë aksesorë që nuk janë të nevojshëm, thjesht për tendencë.

– Hera e fundit që ke ndihmuar dikë në nevojë?

– Ndihmoj shpesh, por nuk kam dëshirë të merret vesh dhe të tregoj shumë për këtë.

– Po të kishe një ambient tëndin me muzikë, ç’muzikë do të luhej?

– Të gjitha llojet muzikore, të lehtë, popullore, por dëshira ime e vetme do të ishte që të këndohej vetëm muzikë shqiptare, vetëm shqip.

– Po të mos e kishe emrin Denisa, si do ta kishe?

– Më pëlqen emri që kam, nuk do të doja emër tjetër.

Motoja me të cilën ke ecur gjithmonë në jetë?

– “Bëj mirë, se një ditë do të shpërblehesh”.

– Me dhe pa çfarë do ta doje të ardhmen?

– Me këto që kam dhe ndoshta pak më shumë vlerësim për një artiste që e meriton.

 

Denisa dhe paraja

– Ka patur rast kur ke mbetur pas asnjë lek në xhep?

– Po, ka pasur dhe jam ndier keq, jo për veten, por për ata që nuk kanë pothuajse gjithë kohës. Mua vetëm një herë më ka ndodhur ta kem portofolin bosh dhe u ndjeva keq, mendo ata që janë ashtu gjithë kohës.

– Paraja te ti zë vend në mendje apo në shpirt?

– Në mendje.

– Për çfarë shpenzon më shumë?

– Për gjërat e duhura.

– A është paraja e lidhur me lumturinë?

– Unë do të thoja që, po pate lumturinë, ke edhe paratë ose… nuk kanë ç’të duhen paratë, kur ke lumturinë.

– Çfarë do të ndodhte nëse të gjithë të pasurit e botës do ta ndanin pasurinë me të varfrit?

– Do të ishte gjëja më e mirë, por e pamundur, sepse do të ishin të barabartë të gjithë!

– Çfarë do të thotë për ty të jesh e pasur?

– Për mua ka kuptim të jem e pasur në shpirt dhe jo me letra (lekët).

– Çfarë do të ndodhte nëse paraja nuk do të ekzistonte fare?

– Më mirë do të ishte, sepse paraja po i prish njerëzit. Madje, do doja të citoja disa vargje nga Bibla, Fjalët e urta, kapitulli 11, vargu 24-25: “Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër. Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit, do të vaditet”. Besoj se kjo i përmbledh të gjitha.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here