– Kam parë një ëndërr të çuditshme që më ka tronditur shumë. Sikur isha shtatzënë, megjithëse e dija që nuk isha e martuar. Ata të familjes time nuk e dinin. Ndihesha në siklet, sepse edhe pak dhe barku do më dukej. S’dija ç’të bëja. T’ua thoja apo të fshihesha? Djalin me të cilin kisha ngelur shtatzënë nuk e shihja në ëndërr. Doja ta kisha pranë, por s’e kisha dhe ndjeja dhimbje. Pranë kisha mamanë. Ajo më pyeti çfarë kisha dhe unë i thashë: “Jam shtatzënë”. Për momentin, ajo u trondit. Pastaj fillova të ulërija nga dhimbjet dhe mami më çoi në spital ku e abortova fëmijën. Qaja me dënesë, ndërsa mami më qëndronte pranë dhe më thoshte: “Duhet të më kishe treguar”. U zgjova duke qarë.
– Ëndrra paska qenë vërtet e trishtueshme. Më vjen keq, por më duhet t’ju them që kjo ëndërr nuk paralajmëron situata të këndshme për ju. Përgatituni shpirtërisht sepse do të ketë një thyerje në marrëdhënien tuaj. Fëmija që keni humbur në ëndërr është dashuria juaj, që do të marrë fund. I dashuri do t’ju braktisë. Fillimisht do të ndiheni keq, por do ta gjeni mbështetjen shpirtërore te mamaja. Gjithçka do të qartësohet, do të çliroheni dhe do të ndiheni mirë sepse do ta kuptoni që është më mirë të flasësh hapur me njerëzit e shtëpisë sepse ata janë të vetmit që mund t’ju ndihmojnë për të dalë nga situata e vështirë. Ne urojmë që asgjë nga këto të mos ndodhë dhe ëndrra të ngelet vetëm ëndërr.